1 Pas vdekjes së Saulit, Davidi u kthye nga përleshja pasi kishte shfarosur amalekasit. Qëndroi dy ditë në Siceleg.
2 Kur ja, të tretën ditë, po vinte një njeri prej aradheve të Saulit. Ishte me rroba të shqyera e me kokë të mbuluar nga pluhuri. Kur arriti para Davidit, ra me fytyrë përdhe dhe i bëri nderim.
3 Davidi e pyeti: “Nga po vjen”? ai iu përgjigj: “Ika prej taborreve të Izraelit”.
4 Davidi i tha: “Çfarë ka ndodhur? Më trego”! Ai iu përgjigj: “Populli iku prej përleshjes dhe shumë njerëz prej popullit ranë të vdekur. U vranë edhe Sauli dhe Jonatani, djali i tij”.
5 Davidi i tha djaloshit që po i sillte lajmin: “Nga e di nëse kanë mbetur Sauli e Jonatani, biri i tij”?
6 Djaloshi që po sillte lajmin u përgjigj: “Rastësisht erdha në malin Gjelboé kur ja, shoh se Sauli ishte mbështetur mbi heshtën e vet, kurse karrocat e luftës dhe kalorësit po e shtrëngonin përreth.
7 Ai u kthye e më pa dhe më thirri; unë iu përgjigja: ‘Tek jam’!
8 Ai më pyeti: ‘Kush je ti’? Unë iu përgjigja: ‘Jam i amalekas’.
9 Atëherë vazhdoi: ‘Sulu në mua e më vra, sepse jam në grahmat e vdekjes sado që shpirti është ende i tëri në mua’.
10 Kërceva mbi të dhe e vrava, sepse e dija se pas rënies nuk do të mbetej gjallë. Atëherë ia mora kurorën mbretërore që e kishte mbi kokë, si dhe mëdorëzën që e kishte në dorë, dhe i solla këtu tek ti, zotëria im”.
11 Si e mori vesh Davidi, shqeu petkat e veta. Po ashtu edhe të gjithë njerëzit që ishin me të.
12 Qanë e vajtuan dhe agjëruan deri në mbrëmje për Saulin e për Jonatanin, birin e tij, dhe për mbarë popullin e Zotit e shtëpinë e Izraelit, që mbetën të vrarë prej shpate.
13 Pastaj Davidi i tha djaloshit që i solli lajmin: “Nga je”? Ai iu përgjigj: “Jam biri i një ardhacaku amalekas”.
14 Atëherë Davidi i tha: “Si nuk u trembe të ngrije dorën për ta vrarë të shuguruarin e Zotit”?
15 Davidi e thirri njërin prej djelmoshave dhe i urdhëroi: “Afrohu dhe vritie”! Ai i ra dhe e vrau.
16 Davidi i tha: “Gjaku yt mbi kokën tënde, sepse goja jote dëshmoi kundër teje kur the: ‘Unë e vrava të shuguruarin e Zotit’”.
17 Atëherë Davidi bëri këtë vajtim mbi Saulin e mbi Jonatanin, birin e tij,
18 e urdhëroi që t’u mësohet bijve të Judës kënga e harkut, siç është e shkruar në Librin e të Drejtit. Davidi tha:
19 “Vaj për ty, o Izrael, si e pati kështu nderi yt?!
Trimat e trimave, ja, në malet e tua ranë!
20 Mos e shpallni në Get kumtin e zi,
mos e tregoni në udhët e Askalonit:
që të mos gëzohen bijat e filistenjve,
që të mos kënaqen bijat e parrethprerëve.
21 Ju, o bjeshkët e Gjelboesë,
vesë as shi mbi ju mos rëntë,
djerra arat në ty mbetshin,
pasi në ju keqas u mposht
mburoja e trimave mbi trima!
Mburoja e Saulit jo me vaj lyer,
22 por me gjak të vrarësh’ e me dhjamë kreshnikësh.
Harku i Jonatanit kurrë në të thatë nuk shkrepi,
shpata e Saulit kurr kot nuk vringëlloi!
23 Saul e Jonatan, të dashur e bujarë:
si në jetë dhe në vdekje mbetën të pandarë!
Më të shpejtë se shqiponjat,
më të fortë se luanët ishin!
24 O ju bija të Izraelit,
përmbi Saulin të gjitha qani.
Ai ju veshte me grimiz e purpur,
për më tepër ju stoliste
me kolona e argjende ari!
25 Ranë trimat në mes të betejës
Heu Jonatani i vrarë në mal prehet!
26 Vdekja jote për mua të mjerin
dhembje e madhe, or vëlla Jonatan!
Se sa fort unë ty të doja:
e për mua miqësia jote
ish më shumë se dashuria e gruas.
27 Heu si ranë trimat mbi trima,
armët e luftës si u copëtuan”!?