< 2Pjt 2 1Gjn 1 >
Lexim prej letrës së dytë të Shën Palit apostull (2Pjt 3)
3

1 Të dashurit të mi! Ja, po ju shkruaj letrën e dytë. Në të dyja mundohem ta zgjoj kuptimin tuaj të shëndoshë me anë të porosisë,

2 që t’i kujtoni fjalët e paralajmëruara prej profetëve të shenjtë dhe urdhrin e Zotit dhe Shëlbuesit që shpallën apostujt tuaj.

3 Më së pari duhet ta dini: në ditët e fundit do të vijnë përqeshës që do të përqeshin; ata do të jetojnë sipas prirjeve të veta të ulta

4 dhe do të pyesin: »Ku është premtimi i Ardhjes së tij? Sepse, që kur vdiqën të parët tanë, gjithçka mbetet si në fillim të krijimit!«

5 Ata me qëllim harrojnë se qielli është që moti dhe se toka, në fuqi të fjalës së Hyjit, nxori prejardhjen nga uji dhe nëpër ujë.

6 Po në të njëjtën mënyrë, bota e atëhershme, e përmbytur me ujë, mbaroi.

7 Edhe qielli dhe toka e tanishme, prej të njëjtës fjalë, ruhen për zjarr dhe presin Ditën e Gjyqit dhe shkatërrimin e njerëzve të këqij.

8 Por një gjë, fort të dashur, assesi s’duhet ta harroni, e kjo është se te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme:

9 Nuk vonon Zoti ta çojë në vend premtimin, si disa e mendojnë të ngadalshëm, por është i durueshëm me ju, se nuk do që ndokush të birret, por do që të gjithë ta kenë mundësinë të kthehen.

10 Dita e Zotit do të vijë si vjedhësi: Atë ditë qiejt do të zhduken me krizmë; elementet do të shkrihen prej të nxehtit dhe toka e veprat në të do të gjenden para Gjyqit.

11 Pasi kështu do të shkatërrohen të gjitha këto, sa njerëz të mirë duhet të jeni ju të gjithë me jetë të shenjtë, me përshpirtëri,

12 ju që e prisni dhe e shpejtoni Ditën e Ardhjes së Hyjit, në të cilën qiejt do të shkatërrohen me zjarr dhe elementet e botës do të shkrihen prej nxehtësisë.

13 Ne veç, sipas premtimit të tij, presim »qiellin e ri dhe tokën e re«, ku banon drejtësia.

14 Këndej, o të dashur, ju, ndërsa i prisni këto, mundohuni të jeni para tij të panjollë, të patëmetë, në paqe!

15 Po edhe duresën e Zotit tonë çmojeni si rast shëlbimi, sikurse edhe Pali, vëllai ynë i dashur, ju shkroi me dijen që iu dhurua.

16 Kështu ai thotë në të gjitha Letrat, ku flet për këto gjëra. Në to ka nga diçka që merret vesh vështirë, çka të padijshmit dhe të paqëndrueshmit e shtrembërojnë, si bëjnë edhe me pjesët e tjera të Shkrimit të shenjtë - në dënim të vetvetes.

17 Ju, pra, o të dashur, pasi jeni të porositur që më parë për këto, ruajuni që, të marrë mendsh nga gabimi i të mbrapshtëve, të mos e humbisni sigurinë që jep feja!

18 Por rrituni në hir dhe në njohje të Zotit tonë Jezu Krishtit Shëlbues! Atij i qoftë lavdia që tani dhe deri në ditë të amshimit. [Amen].



Fjala e Zotit