< 1Pjt 5 2Pjt 2 >
Lexim prej letrës së dytë të Shën Palit apostull (2Pjt 1)
1

1 Simon Pjetri, shërbëtori dhe apostulli i Jezu Krishtit, atyre që, me anë të drejtësisë së Hyjit tonë dhe Jezu Krishtit Shëlbues, e fituan të njëjtën fe të çmueshme sikurse edhe ne:

2 Paçi hir dhe paqe të plotë me anë të njohjes së Hyjit dhe të Jezusit, Zotit tonë.

Thirrja dhe zgjedhja e të krishterit

3 Vërtet, fuqia hyjnore na dhuroi gjithçka na nevojitet për jetë dhe për përshpirtëri me anë të njohjes së Atij që na grishi në saje të lavdisë dhe të forcës së vet.

4 Bashkë me to na u dhuruan premtimet më të çmueshme dhe më të mëdha që me anë të tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmimit.

5 Për këtë arsye përqendroni të gjitha forcat tuaja që t’ia shtoni fesë virytin, virtytit dijen,

6 dijes përkormërinë, përkormërisë qëndresën, qëndresës përshpirtërinë,

7 përshpirtërisë dashurinë vëllazërore, dashurisë vëllazërore dashurinë që përfshin gjithkënd.

8 Sepse këto cilësi, nëse i keni dhe nëse përparoni në to, nuk ju lënë të papunë as të pafrytë në njohjen e Zotit tonë Jezu Krishtit. 9 Kurse ai që nuk i ka këto virtyte, është i verbër, dritëshkurtër; ka harruar se u pastrua prej mëkateve të veta të mëparshme.

10 Prandaj, o vëllezër, mundohuni ta përforconi përherë e më tepër thirrjen dhe zgjedhjen tuaj: nëse bëni kështu, kurrë nuk do të bini në mëkat.

11 Kështu, vërtet, do t’iu hapet plotësisht hyrja në Mbretërinë e amshuar të Zotit tonë, Jezu Krishtit.

12 Për këtë arsye gjithherë do t’iu përkujtoj për këto, edhe pse i dini dhe qëndroni të palëkundshëm në të vërtetën që keni marrë.

13 Mendoj, pra, se është e drejtë, derisa të jetoj në këtë trup, t’iu nxis me anë të qortimit të rrini zgjuar,

14 sepse e di se nuk do të vonoj të ndahem nga trupi im, siç më vuri në dijeni edhe vetë Zoti ynë Jezu Krishti.

15 Por vetë do të kujdesohem që edhe pas vdekjes sime t’jua mundësoj t’i keni parasysh gjithmonë këto mësime.

Lavdia e Krishtit dhe fjala profetike

16 Sepse nuk ju shpallëm Fuqinë dhe Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit të bazuar në përralla të trilluara, por pse e kemi parë me sytë tanë shkëlqimin e tij.

17 Sepse prej Hyjit Atë mori nder dhe lavdi, kur zëri që vinte nga Lavdia e madhërueshme, i tha: »Ky është Biri im, i Dashuri, në të cilin unë u kënaqa«.

18 - zë të cilin, tek zbriste nga qielli e dëgjuam edhe ne që ishim bashkë me të në Malin e shenjtë.

19 Kështu u vërtetua fjala e profetëve dhe bëni shumë mirë që mbështeteni në të si në dritën që ndriçon në vend të errët - derisa të zbardhë dita e të lindë Ylli i Dritës në zemrat tuaja.

20 Para të gjithash dijeni mirë këtë: asnjë profeci që gjendet në Shkrim i Shenjtë nuk mund të shpjegohet sipas trillit të kujtdo,

21 sepse askurrë nuk ndodhi ndonjë profeci me vullnet të njeriut, por njerëzit, të frymëzuar prej Shpirtit Shenjt, folën nga ana e Hyjit.



Fjala e Zotit