1 Elizeu profet thirri një nga bijtë e profetëve dhe i tha: “Ngjishe ijën tënde, merre këtë enë me vaj e shko në Ramot të Galaadit.
2 Kur të kesh arritur atje, do ta shohësh Jehuin, birin e Jozafatit të Namsiut, hyr brenda dhe thirre nga mesi i vëllezërve të vet e priji në dhomën e brendshme.
3 Merre enën e vajit, zbraze mbi kokë të tij e thuaj: Kështu thotë Zoti: ‘Të shugurova mbret mbi Izraelin’! Hape derën, ik e mos qëndro atje”.
4 Djaloshi, shërbëtori i profetit, shkoi në Ramot të Galaadit
5 e hyri brenda, dhe ja, prijësit e ushtrisë po rrinin. Tha: “Prijës, kam një fjalë me ty”. Jehui iu përgjigj: “Me cilin prej gjithë nesh”? Ai i tha: “Me ty, o prijës”!
6 Ai u çua dhe hyri në dhomë. Atëherë ai ia zbrazi enën e vajit mbi kokë e i tha: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Të shugurova mbret mbi popullin e Zotit, Izraelin.
7 Vritie familjen e Akabit, zotërisë tënd, për t’ua marrë gjakun shërbëtorëve të mi profetëve dhe gjakun e të gjithë shërbëtorëve që i vrau Jezabela.
8 Do ta shuaj mbarë familjen e Akabit dhe do t’i vras të gjithë meshkujt prej familjes së Akabit, të madh e të vogël në Izrael.
9 Shtëpinë e Akabit do ta gjejë si shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nabatit dhe porsi shtëpinë e Baasës, birit të Ahisë.
10 E Jezabelën do ta hanë qentë në fushë, dhe askush s’ka për ta varrosur”. E hapi derën dhe iku.
11 Jehui doli te shërbëtorët e zotërisë së vet, të cilët i thanë: “A është gjithçka mirë? Pse erdhi tek ti ky marran”? Ai u tha: “E njihni njeriun dhe përrallat e tija”.
12 Por ata i thanë: “Gënjeshtër! Na e trego”. E ai u tha: “Kështu e kështu më ka biseduar e më tha:’ Kështu thotë Zoti: Të shugurova mbret mbi Izraelin’”.
13 Ata nxituan e i hoqën leshnikët e tyre dhe secili e shtroi nën këmbët e tija në shkallë, u ranë borive e brohoritën: “Jehiu është mbret”!
14 Kështu, pra, Jehui, biri i Jozafat Namsiut, bëri përbetim kundër Joramit. Jorami e kishte mbrojtur, ai e mbarë Izraeli, Ramotin e Galaadit kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë,
15 dhe ishte kthyer për t’u shëruar në Jezrahel prej plagëve që kishte marrë nga sirianët duke luftuar kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë. Jehui foli: “Nëse, pra, jeni me mua, askush të mos dalë prej qytetit, që të mos shkojë e të lajmërojë në Jezrahel”.
16 Jehui hipi në karrocën e vet e u nis për Jezrahel. Atje Jorami lëngonte e Okozia, mbreti i Judës, kishte shkuar për ta parë.
17 Rojtari që qëndronte në pyrgun e Jezrahelit, e pa togën e Jehuit duke ardhur dhe lajmëroi: “Po shoh një grumbull njerëzish”! Jorami urdhëroi: “Merr një kalorës e dërgoje para tyre për t’i pyetur: a po vini për paqe”?
18 Kalorësi shkoi para tij dhe e pyeti: “Kështu thotë mbreti: A është gjithçka në paqe?” E Jehui iu përgjigj: “Ç’punë ke ti me paqen? Kalo dhe eja pas meje”. Rojtari lajmëroi përsëri: “Rojtari ka arritur tek ata e nuk po kthehet”.
19 E nisi edhe kalorësin e dytë. Edhe ky kur arriti tek ata, tha: “Kështu thotë mbreti: A është paqe”? Jehui iu përgjigj: “Ç’punë ke ti me paqen? Kalo e eja pas meje”!
20 Rojtari lajmëroi: “Arriti deri tek ata, por nuk po kthehet. Porse vrapimi është si ai i Jehuit, birit të Namsiut: vrapon si të kish flatra”!
21 Jorami urdhëroi: “Mbërtheje karrocën”! E mbërthyen karrocën e tij. Jorami, mbreti i Izraelit, dhe Okozia, mbreti i Judës, dolën jashtë e hipën secili në karrocën e vet. U nisën në takim me Jehuin dhe u ndeshën me të në pronën e Nabotit jezrahelit.
22 Kur e pa Jehuin, Jorami, i tha: “A është paqe, Jehu?” E ai iu përgjigj: “Çfarë paqeje! Kur vazhdojnë lavirësitë e Jezabelës, nënës sate, dhe shortitë e saja të shumta!”
23 Atëherë Jorami u kthye dhe, duke ikur, i tha Okozisë: “Tradhti, Okozi”!
24 Jehui ngrehu harkun me dorë dhe e goditi Joramin ndërmjet shpatullave. Shigjeta i doli nëpër zemër dhe ai u rrëzua në karrocën e vet.
25 Jehui i tha prijësit Badacer: “Kape dhe flake në arën e Nabotit jezrahelit! Të të bjerë ndër mend: unë e ti ishim bashkë me ata që dy e dy në karroca shkonin pas babait të tij Akabit, kur Zoti tha:
26 Gjakun e Nabotit e gjakun e bijve të tij, që e pashë dje ‑ thotë Zoti ‑ do ta marr po në këtë arë prej teje, thotë Zoti.’ Tani pra, kape e hidhe në arë sipas fjalës së Zotit”.
27 Kur e pa këtë Okozia, mbreti i Judës, iku në drejtim të Betganit. Jehui e ndoqi dhe dha urdhër: “Goditeni edhe këtë!” E plagosën edhe këtë në karrocën e tij në përpjetën e Gaverit afër Jeblaamit. Por ky ia doli të ikte deri në Magedo dhe aty vdiq.
28 Shërbëtorët e tij e vunë në karrocën e tij dhe e çuan në Jerusalem. E varrosën në varrezën me etërit e tij në Qytetin e Davidit.
29 Në të njëmbëdhjetin vit të sundimit të Joramit, birit të Akabit, mbret mbi Judën u bë Okozia.
30 Jehui po arrinte në Jezrahel. Kur mori vesh Jezabela për ardhjen e tij, i leu sytë, e stolisi kokën, e pa për dritareje
31 tek po hynte nëpër derë në qytet dhe tha: “Gjithçka mirë, o Zambri, vrasës i zotërisë tënd”?!
32 Jehui ngriti sytë nga dritarja e tha: “A është kush me mua, a është kush?” Dy a tre oborrtarë u kthyen drejt tij.
33 Ai u urdhëroi: “Hidheni poshtë”! Ata e hodhën poshtë. Gjaku i saj stërpiku muret dhe kuajt që e shqelmuan.
34 Jehui hyri brenda, hëngri dhe piu e atëherë tha: “Shkoni e shiheni atë të mallkuar dhe varroseni, se është bijë mbreti”!
35 Kur shkuan për ta varrosur, nuk i gjetën tjetër përveç kafkës, këmbëve dhe shuplakave të duarve.
36 U kthyen dhe i treguan. Jehui tha: “U plotësua fjala që e kishte thënë Zoti me gojën e Elisë nga Tesbiu, shërbëtorit të vet, që tha: ‘Në fushën e Jezrahelit qentë do ta hanë trupin e Jezabelës.
37 Trupi i Jezabelës do të jetë si pleh në fushën e Jezrahelit, kështu që të mos mund të thuhet as: ‘Po a kjo qenka ajo Jezabela’”!