1 Elizeu foli me gruan, djalin e së cilës e kishte kthyer në jetë, e i tha: “Çohu e shko ti dhe familja jote kudo në ndonjë vend të huaj e bëj vend për vete, sepse Zoti e ka thirrur urinë e do të vijë mbi këtë vend për shtatë vjet rresht”.
2 Kjo u çua e bëri si i tha njeriu i Hyjit. Me mbarë familjen e vet emigroi në tokën e filistenjve për shtatë vjet.
3 Kur kaluan shtatë vjet, gruaja u kthye prej dheut të filistenjve. Ajo shkoi te mbreti për t’iu lutur që t’i kthehej shtëpia dhe toka.
4 Po atëherë mbreti po bisedonte me Gjiezin, shërbëtorin e njeriut të Hyjit e i thoshte: “M’i trego të gjitha punët e mëdha që i ka bërë Elizeu”.
5 Ndërkohë që ai po i tregonte mbretit se si e kishte ngjallur të vdekurin, ia behu gruaja, së cilës ia kishte ngallur djalin, për t’iu ankuar mbretit lidhur me shtëpinë dhe tokën e saj. Gjiezi tha: “Imzot, mbret! Qe gruaja dhe qe djali, të cilin e ngjalli Elizeu”!
6 Mbreti e pyeti gruan dhe ajo ia tregoi ngjarjen. Mbreti nisi me të një zyrtar dhe i urdhëroi: “Ktheji gjithçka është e saja si dhe të gjitha të ardhurat e tokave të saja që prej ditës kur e lëshoi vendin e deri më sot”.
7 Elizeu shkoi në Damask. Benadadi, mbreti i Sirisë, ishte sëmurur. E lajmëruan e i thanë: “Njeriu i Hyjit ka ardhur këtu”.
8 Mbreti i tha Hazaelit: “Merr me vete dhurata dhe dili në takim njeriut të Hyjit. Pyete përmes tij Zotin e thuaji: A do të mund të shpëtoj prej kësaj sëmundjeje”?
9 Shkoi, pra, Hazaeli në takim me të e i solli dhurata prej gjithë të mirave të Damaskut: dyzet gamile të ngarkuara. Kur qëndroi para tij, i tha: “Yt bir Benadadi, mbreti i Sirisë, më dërgoi tek ti. Ai të pyet: ‘A do të mund të shpëtoj prej këso sëmundjeje’”?
10 Elizeu iu përgjigj: “Shko e thuaji: Do të shërohesh! Porse Zoti më ka treguar se me siguri do të vdesë”.
11 Atëherë Elizeu u ngri në fytyrë, u skuq, mbeti i hutuar e dikur njeriu i Hyjit ia plasi vajit.
12 Hazaeli e pyeti: “Pse, imzot, po qan”? Ai iu përgjigj: “Sepse i di të gjitha të këqijat që do t’ua bësh ti bijve të Izraelit! Ti do t’i djegësh qytetet e tyre të fortifikuara, të rinjtë e tyre do t’i presësh me shpatë, foshjave të tyre do t’ua përdredhësh arrçin, e gratë shtatzëna me thika do t’i shporosh”!
13 Hazaeli i tha: “Po kush jam unë, shërbëtori yt, një qen, që t’i bëj të gjitha këto”? Elizeu iu përgjigj: “Zoti më dëftoi se ti do të bëhesh mbret i Sirisë”.
14 Ky u nda nga Elizeu e shkoi te zotëria i vet. Ai e pyeti: “Ç’të tha Elizeu”? Ai iu përgjigj: “Më tha: Do të shërohesh”.
15 Por të nesërmen mori një mbulesë, e lagu në ujë, ia qiti mbi kokë dhe mbreti vdiq. Në vend të tij u bë mbret Hazaeli.
16 Në të pestin vit të mbretërimit të Joramit, birit të Akabit, mbretit të Izraelit ‑ mbret i Judës ishte ende Jozafati ‑ Jorami, biri i Jozafatit, mbretit të Judës, u bë mbret.
17 Kishte tridhjetë e dy vjet kur nisi të mbretërojë dhe mbretëroi në Jerusalem tetë vjet.
18 Eci udhëve të mbretërve të Izraelit, po ashtu siç kishte ecur shtëpia e Akabit; sepse bija e Akabit ishte gruaja e tij.
19 Megjithatë, Zoti nuk deshi ta shkatërronte Judën për shkak të Davidit, shërbëtorit të vet, siç i ishte zotuar se do t’i jepte një dritëz atij dhe bijve të tij përgjithmonë.
20 Në ditët e tij Edomi u çua në kryengritje për të mos qenë nën pushtetin e Judës dhe zgjodhi mbretin e vet.
21 Jorami shkoi në Seirë dhe me të mbarë karrocat e luftës. Natën u çua dhe i vrau edomasit që kishin rrethuar atë dhe prijësit e karrocave të luftës. Populli iku në çadrat e veta.
22 Prapëseprapë Edomi u shkëput nga pushteti i Judës deri në ditën e sotme. Po në këtë kohë u shkëput edhe Lobna.
23 Veprat e tjera të Joramit si dhe gjithçka bëri, vallë a nuk janë të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës?
24 Jorami pushoi me etërit e vet dhe qe varrosur me ta në Qytetin e Davidit. Në vend të tij u bë mbret Okozia, i biri.
25 Në vitin e dymbëdhjetë të sundimit të Joramit, birit të Akabit, mbretit të Izraelit, u bë mbret Okozia, biri i Joramit, mbretit të Judës.
26 Okozia kishte njëzet e dy vjet kur filloi të mbretërojë. Mbretëroi vetëm një vit në Jerusalem. Emri i nënës së tij ishte Atalí. Ishte bija e Amriut, mbretit të Izraelit.
27 Eci udhëve të shtëpisë së Akabit dhe bëri ç’është e keqe para syve të Zotit, gjithë si shtëpia e Akabit. Pai, ishtë gjak me të.
28 Ky shkoi me Joramin, birin e Akabit, për të luftuar kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë, në Ramot Galaad. Sirianët e plagosën Joramin.
29 Ky u kthye në Jezrahel për t’u shëruar nga plagët që i bënë sirianët në Ramë kur po luftonte kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë. Atëherë Okozia, biri i Joramit, mbret i Judës, zbriti në Jezrahel për ta parë Joramin, birin e Akabit, sepse ishte i sëmurë.