< 2Mbr 6 2Mbr 8 >
Lexim prej librit të dytë të Mbretërve(2Mbr 7)
7

1 Por Elizeu iu përgjigj: “Dëgjojeni fjalën e Zotit: Kështu thotë Zoti: Nesër po në këtë kohë në derë të Samarisë një masë endë mielli do të jetë një sikël, kurse dy masë elbi do të kushtojnë një sikël”.

2 Prijësi, mbi krahun e të cilit mbështetej mbreti, u përgjigj e i tha njeriut të Hyjit: “Po si jo! Zoti Tani hap dritare në qiell! A mund të ndodhë një gjë e tillë”? Elizeu iu përgjigj: “Me sy të tu do të shohësh, por ti nuk do të hash”!

3 Para derës së qytetit ishin katër njerëz të gërbulur. Ata i thanë njëri‑tjetrit: “Pse qëndrojmë këtu derisa të vdesim?

4 Nëse do të hyjmë në qytet, do të vdesim urie, nëse qëndrojmë këtu, prapë na duhet të vdesim. Të çohemi e të shkojmë në fushimin e sirianëve! Nëse do të na falin, do të jetojmë, po nëse na vrasin, të vdekur se të vdekur”!

5 U çuan, pra, në mbrëmje për t’u futur në fushimin e sirianëve. Arritën buzë fushimit të sirianëve, kur atje ‑ askush!

6 Zoti kishte bërë të dëgjohej në fushimin e sirianëve një krismë karrocash, kuajsh dhe zhurmë të një ushtrie të madhe.

Sirianët i thanë njëri‑tjetrit: “Mbreti i Izraelit paska marrë me pagë mbretin e hetenjve e të egjiptianëve për të luftuar kundër nesh”.

7 Kështu, pra, u çuan e ikën natën pa hënë, lanë çadra, kuaj, gomarë edhe fushimin ashtu siç ishte, e ikën për të shpëtuar disi vetëm jetën.

8 Kështu, kur erdhën ata të gërbulur buzë fushimit, hynë në njërën tendë dhe hëngrën e pinë. Morën pastaj argjend, ar e petka e shkuan e i fshehën. U kthyen sërish në një tjetër tendë dhe morën edhe prej andej po ashtu ç’u gjetën dhe i fshehën.

9 I thanë njëri‑tjetrit: “S’jemi duke punuar drejt. Kjo ditë është ditë sihariqi e ne po heshtim. Nëse nuk lajmërojmë deri në mëngjes, do të jemi fajtorë. Ejani të shkojmë e të lajmërojmë në pallatin e mbretit”.

10 Kur arritën, thirrën derëtarët e qytetit dhe u thanë: “Kemi shkuar në fushimin e Sirisë dhe nuk kemi gjetur njeri të gjallë, por vetëm kuaj e gomarë të lidhur dhe tendat e lëshuara”.

11 Derëtarët atëherë thirrën brenda qytetit dhe lajmi shkoi në pallatin mbretëror.

12 Mbreti u ngrit natën e u tha shërbëtorëve të vet: “Po ju vë në dijeni se ç’synojnë kundër nesh sirianët. E dinë se vuajmë nga uria, prandaj e kanë lëshuar fushimin e na kanë vënë pritat në fushë. Ata kanë pleqëruar: ‘Kur të dalin nga qyteti, do t’i kapim gjallë dhe kështu do të hyjmë në qytet’”.

13 Njëri prej oficerëve të tij iu përgjigj: “Po i marrim pesë kuajt që kanë mbetur në qytet. Po i gjetka ata çka do ta gjejë mbarë Izraelin që po shihet se po merr fund. Po i çojmë, pra, e po shohim”.

14 Atëherë i morën dy karroca me kuaj e mbreti i dërgoi pas ushtrisë siriane e u tha: “Shkoni e shikoni”!

15 Ata shkuan pas tyre deri në Jordan. Kur ç’të shohësh, mbarë rruga ishte plot petka e enë që sirianët i kishin hedhur rrugës duke ikur. Lajmëtarët u kthyen dhe i treguan mbretit.

16 Mbarë populli doli dhe e plaçkiti fushimin sirian. Dhe një masë endë mielli u bë dy sikla e dy masë elbi një sikël sipas fjalës së Zotit.

17 Mbreti ia kishte besuar rojën e derës së qytetit atij oficeri, në krahun e të cilit mbështetej. Porse populli e shtypi duke e shkelur në derë dhe vdiq sipas fjalës së njeriut të Hyjit, që ia tha kur mbreti zbriti tek Elizeu.

18 E njëmend ndodhi sipas fjalës së njeriut të Hyjit që ia tha mbretit, kur i tha: “Dy masë elbi një sikël e një masë endë mielli do të kushtojë neser në këtë kohë në derë të Samarisë vetëm një sikël”;

19 atëherë prijësi iu përgjigj njeriut të Hyjit e i tha: “Po edhe nëse Zoti hap dritare në qiell, a thua mund të ndodhë çfarë po thua ti?!” e Elizeu i pati thënë: “Mirë, pra! Ti do ta shikosh këtë gjë me sytë e tu, por nuk do të hash”!

20 Ndodhi, pra, krejtësisht ashtu siç i qe parakallëzaur, populli e shkeli në derë dhe ai vdiq.



Fjala e Zotit