1 Jorami, biri i Akabit, u bë mbret mbi Izraelin në Samari në vitin e tetëmbëdhjetë të Jozafatit, mbretit të Judës dhe mbretëroi dymbëdhjetë vjet.
2 Bëri të keqen në sytë e Zotit, por jo si i ati dhe e ëma, sepse e hoqi gurin e Baalit që kishte punuar i ati.
3 Porse prapë vazhdoi të qëndrojë e nuk u largua prej mëkatit të Jeroboamit, birit të Nabatit, i cili e bëri Izraelin të mëkatojë.
4 Meza, mbreti i moabitëve, ishte blegtor dhe, si tatim, i jepte mbretit të Izraelit njëqind mijë qengja dhe leshin e njëqind mijë deshve.
5 Por, kur vdiq mbreti Akab, mbreti i moabitëve u ngrit kundër mbretit të Izraelit.
6 Mu në atë kohë mbreti Joram doli prej Samarisë dhe kaloi nëpër mbarë Izraelin.
7 Atëherë u nis dhe çoi njerëz tek Jozafati, mbreti i Judës, me këto fjalë: “Mbreti i Moabit më doli dore. A do të vish me mua në luftë kundër Moabit”? Ai u përgjigj: “Do të vij. Kush është imi, është yti, populli im, është populli yt, kuajt e mi, kuaj të tu.”
8 E vazhdoi: “Cilës rrugë do të ngjitemi”? Ai iu përgjigj: “Nëpër shkretëtirën e Idumesë”.
9 Kështu, pra, u nisën mbreti i Izraelit, mbreti i Judës e mbreti i Edomit. Shtatë ditë u endën duke udhëtuar e nuk gjetën ujë as për ushtri as për bagëti që shkonin pas tyre.
10 Atëherë mbreti i Izraelit tha: “Eheu! Zoti na bashkoi ne tre mbretërit për të na lëshuar në duar të moabitëve”!
11 Jozafati pyeti: “A ka këtu ndonjë profet të Zotit që përmes tij ta pyesim Zotin”? Një prej shërbëtorëve të mbretit të Izraelit u përgjigj: “Këtu është Elizeu, biri i Safatit, që i qiste Elisë profet ujë duarve”.
12 Jozafati tha: “Në të është fjala e Zotit”. Shkuan tek ai mbreti i Izraelit, mbreti i Judës e mbreti i Edomit.
13 Por Elizeu i tha mbretit të Izraelit: “Çka kemi të përbashkët unë e ti? Shko te profetët e tët eti dhe te profetët e sat ëme”! Mbreti i Izraelit i tha: “Jo! Vërtet i bashkoi Zoti këta tre mbretër për t’i lëshuar në dorë të Moabit”?
14 Atëherë Elizeu i tha: “Pasha jetën e Zotit të ushtrive, të cilit i shërbej, po të mos ishte nderimi që kam për Jozafatin, mbretin e Judës, ty s’do të të kisha pritur as s’do të të kisha shikuar me sy.
15 Tashti ma sillni një muzikë‑ tar”. Posa ia filloi muziktari të luajë në veglën muzikore, dora e Zotit zbriti mbi Elizeun.
16 I tha: “Kështu thotë Zoti: Hapni sa më shumë gropa në këtë luginë.
17 Sepse kështu thotë Zoti: S’do të shihni as erë as shi e kjo luginë do të mbushet me ujë. Do të pini ju dhe bagëtitë e kafshët tuaja.
18 Por kjo s’është asgjë në sytë e Zotit: për më tepër Zoti do ta dorëzojë Moabin në duart tuaja.
19 Do t’i shpartalloni të gjitha kalatë, do t’i pushtoni të gjitha qytetet e rëndë‑ sishme, do t’i prisni të gjitha pemët frutore, do t’i mbyllni të gjitha burimet dhe çdo arë të mirë do ta mbushni me gurë”.
20 Kështu, pra, në kohën që paraqitet flia, ia behën ujërat prej anës së Edomit. Mbarë tokën e mbuloi uji.
21 Të gjithë moabitët, posa dëgjuan se kishin ardhur mbretërit për të luftuar kundër tyre, u bashkuan të gjithë ata që mund të ngjeshnin armët ‑ të rinj e pleq ‑ dhe iu ngjeshën kufijve.
22 Ditën e parë, kur u ngritën ‑ posa kishte lindur dielli mbi ujërat, moabitët panë së kundrualli ujërat e kuqe si të ishin gjak
23 e thanë: “Me siguri që qenka gjak! Paskan luftuar mbretërit kundër njëri‑tjetrit e qenkan vrarë me shpatë! Ku e latë, o moabitë! Vraponi në plaçkë”!
24 Por kur arritën në fushimin e Izraelit, mbarë Izraeli u sul kundër moabitëve që u kthyen shpinën e ikën. Izraelitët nuk iu ndanë, por i ndoqën moabitët e i vranë.
25 Ua rrënuan qytetet dhe arat e mira ua prishën duke hedhur secili gurë e duke i mbushur, ua mbyllën burimet e ujërave e ua prenë të gjitha pemët frutore. Kishin mbetur vetëm muret e Cirharesetit. Edhe atë e rrethuan bahetarët dhe e sulmuan.
26 E kur mbreti i Moabit pa se s’do të mund t’u qëndronte, mori me vete shtatëqind shpatëtarë për t’iu sulur mbretit të Edomit, por nuk ia dolën.
27 Atëherë e mori djalin e vet të parëli‑ ndurin, që do të ishte trashëgimtari i tij, dhe mbi murin e qytetit e kushtoi fli shkrumbimi. Kjo gjë u shkaktoi aq neveri izraelitëve, saqë menjëherë u larguan prej andej e u kthyen në tokën e vet.