< 2Mbr 1 2Mbr 3 >
Lexim prej librit të dytë të Mbretërve(2Mbr 2)
2

1 Ja çfarë ndodhi kur Zoti e ngriti Elinë në qiell në vorbull. Elia e Elizeu e lëshuan Galgalën.

2 Elia i tha Elizeut: “Rri ti këtu, sepse mua Zoti po më dërgon deri në Betel”. Por Elizeu iu përgjigj: “Pasha Zotin e gjallë e pasha jetën tënde, unë nuk do të të lë vetëm. ”. Kur zbritën në Betel,

3 bijtë e profetëve, që ishin në Betel, i dolën para Elizeut e i thanë: “A e di se sot Zoti do ta marrë zotërinë tënd përmbi kokën tënde”? Ai u përgjigj: “Edhe vetë e di, po heshtni!”

4 Elia i tha: “Elize, qëndro këtu, sepse Zoti po më dërgon në Jerik ”. Ai iu përgjigj: “Pasha jetën e Zotit e pasha jetën tënde, unë nuk do të të lë vetëm”. Kur arritën në Jerik,

5 iu afruan Elizeut bijtë e profetëve që ishin në Jerik, e i thanë: “A e di se sot Zoti do ta marrë zotërinë tënd përmbi kokën tënde”? Ai iu përgjigj: “Edhe vetë e di, po heshtni”!

6 Elia i tha Elizeut: “Rri këtu se mua Zoti po më dërgon deri në Jordan”. Ky iu përgjigj: “Pasha jetën e Zotit e pasha jetën tënde, unë nuk do të të lë vetëm”. Kështu shkuan së bashku.

7 Pesëdhjetë vetë nga bijtë e profetëve shkuan pas tyre.

Këta zunë vend përballë tyre, pakëz më larg, kurse ata të dy shkuan te Jordani.

8 Elia e hoqi leshnikun, e mbështolli dhe me të i ra ujit. Uji u nda në dy pjesë dhe ata kaluan terikut.

9 Kur kaluan matanë, Elia i tha Elizeut: “Kërko çfarë do që të bëj për ty para se të më marrin prej teje”. Elizeu iu përgjigj: “Të lutem të vijnë mbi mua dy pjesë të shpirtit tënd”.

10 Ai u përgjigj: “Ti po kërkon një gjë të vështirë. Megjithatë, nëse do të më shohësh kur do të më marrin prej teje, do ta fitosh atë që kërkove, e në qoftë se nuk do të më shohësh, nuk do ta fitosh”.

11 Ndërsa ata po vazhdonin rrugën duke biseduar, dhe ja, një karrocë e zjarrtë dhe kuaj të zjarrtë i ndanë dhe Elia me anë të vorbullës u ngjit në qiell.

12 Elizeu e shikonte e bërtiste: “Im atë, o im atë! Karroca e Izraelit e kalorësi i tij”! Dhe më nuk e pa; i kapi petkat e veta dhe i shqeu në dy pjesë.

13 E mori leshnikun e Elisë, që i kishte rënë, u kthye dhe zuri vend në bregun e Jordanit.

14 Me leshnikun e Elisë, që i kishte rënë, i ra ujit e tha: “Ku është tani Hyji i Elisë”? I ra ujit, uji u nda këndej e andej dhe Elizeu kaloi.

15 Kur e panë bijtë e profetëve që ishin përballë në Jerik, thanë: “Shpirti i Elisë pushoi mbi Elizeun”. Ata i dolën përpara në takim, ranë me fytyrë përdhe para tij

16 dhe i thanë: “Ja këtu me shërbëtorët e tu edhe pesëdhjetë burra që janë të gatshëm të shkojnë e ta kërkojnë zotërinë tënd ndoshta Shpirti i Zotit e ka marrë dhe e ka hedhur në ndonjë mal ose në ndonjë luginë”. Elizeu u tha: “Mos i nisni”!

17 Por ata iu vunë aq shumë, saqë pranoi dhe u tha: “Dërgoni”! Ata i nisën pesëdhjetë burrat. Pasi e kërkuan për tri ditë e nuk e gjetën,

18 u kthyen tek ai. Ai banonte në Jerik e u tha: “Po a nuk ju pata thënë: mos shkoni”!

19 Banorët e qytetit i thanë Elizeut: “Ja, është bukur të banohet në qytet, siç po e sheh vetë, zotëri; porse mjerisht ujët është shumë të këq dhe toka e papëlleshme”.

20 E ai u tha: “Më sillni një enë të re dhe qitni në të kripë”! Kur ia sollën ata,

21 shkoi te burimi i ujit, e qiti kripën në të e tha: “Kështu thotë Zoti: Ja, e shërova ujët! Në të s’do të ketë më vdekje as shterpësi”!

22 Dhe u shërua uji deri më sot sipas fjalës që e tha Elizeu profet.

23 Prej andej Elizeu u ngjit në Betel. Ndërsa po ecte rrugës, i dolën para disa fëmijë të vegjël prej qytetit dhe e shpotitnin duke thënë: “Hajde, tullac! Hajde, tullac”!

24 Ky i shikoi e, kur i pa, i mallkoi në emër të Zotit. Dhe ja, dolën dy arinj nga pylli dhe i shqyen dyzet e dy fëmijë.

25 Prej andej shkoi në malin e Karmelit dhe prej andej u kthye në Samari.



Fjala e Zotit