< 2Mbr 17 2Mbr 19 >
Lexim prej librit të dytë të Mbretërve(2Mbr 18)
18

1 Në vitin e tretë të Ozesë, birit të Elës, mbretit të Izraelit, u bë mbret Ezekia, biri i Akazit, mbretit të Judës.

2 Ishte njëzetepesëvjeçar kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi në Jerusalem njëzetenëntë vjet. Nëna e tij quhej Abi. Ishte bija e Zakarisë.

3 Bëri ç’ishte mirë para syve të Zotit, gjithçka siç kishte vepruar Davidi, baba i tij.

4 Ky i rrënoi lartësirat, copëtoi gurngulët, preu banirin dhe thërmoi gjarprin e bronztë, që e kishte punuar Moisiu, sepse deri në atë ditë bijtë e Izraelit i digjnin kemin për nder të tij. Gjarpri quhej Nohestan.

5 Shpresën e kishte në Zotin, Hyjin e Izraelit. Kështu pas tij nuk qe asnjë mbret i Judës i ngjashëm me të, por madje as ndër ata që qenë para tij.

6 Iu mbështet krejtësisht Zotit e nuk u largua gjurmëve të tija dhe i kreu urdhërimet e Zotit që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut,

7 prandaj edhe Zoti ishte me të dhe gjithçka që ndërmerrte, i shkonte mbarë.

U çua kundër mbretit të asirëve dhe nuk ndenji nën skllavërinë e tij.

8 Ky i goditi filistenjtë deri në Gazë e në kufijtë e tij, prej kullës së rojtarëve deri në qytet të fortifikuar.

9 Në vitin e katërt të mbretit Ezeki, që ishte viti i shtatë i Ozesë, birit të Elës, mbretit të Izraelit, Salmanasari, mbreti i Asirisë, erdhi, e sulmoi Samarinë

10 dhe e pushtoi. Pas tri vjetësh, në vitin e gjashtë të Ezekisë, d. m. th. në vitin e nëntë të Ozesë, mbretit të Izraelit, u pushtua Samaria.

11 Mbreti i Asirisë i shpuri përdhunë izraelitët në Asur dhe i vendosi në Halë e në Habor, afër lumit Gozan dhe në qytetet e medëve,

12 për arsye se ata nuk kishin dëgjuar zërin e Zotit, Hyjit të vet, por kishin shkelur besëlidhjen e tij: asnjë prej urdhrave që kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit, s’e dëgjuan as nuk e kryen.

13 Në vitin e katërmbëdhjetë të mbretërimit të Ezekisë, Senakeribi, mbreti i Asirisë, i sulmoi të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës dhe i pushtoi.

14 Atëherë Ezekia, mbreti i Judës, dërgoi në Lakis kasnecë te mbreti i asirëve me këto fjalë: “Kam bërë gabim. Mos më pushto dhe unë do të marr mbi vete gjithçka që të më ngarkosh”. Kështu mbreti i asirëve i kërkoi Ezekisë, mbretit të Judës, treqind talenta argjendi e tridhjetë talenta ari.

15 Ezekia i dha të gjithë argjendin që u gjet në Shtëpinë e Zotit dhe në thesarë të mbretit.

16 Asokohe Ezekia hoqi prej dyerve të Tempullit të Zotit dhe prej shtatkave arin me të cilin ai vetë i kishte veshur dhe ia dha mbretit të asirëve.

17 Mbreti i asirëve dërgoi Tartanin, Rabsarisin dhe Rabsacesin prej Lakisit te Ezekia mbret në Jerusalem me një ushtri të fortë. Këta, si arritën, erdhën në Jerusalem dhe u ndalën tek ujësjellësi i peshkores së sipërme, që gjendet në udhën e fushës së Robëlarësit.

18 E thirrën mbretin. Në takim me ta doli Eliacimi, biri i Helcisë, kryekujdestari i pallatit, Sobna, sekretari, dhe Joaheu, biri i Asafit, këshilltari.

19 Rabsacesi u tha: “Tregoni Ezekisë: Kështu thotë mbreti i madhërishëm, mbreti i asirëve: Çfarë është ajo shpresë në të cilën mbështetesh?

20 Ndoshta mendon se është një fjalë goje këshilla dhe fuqia për të bërë luftë? Në kë e vë shpresën që ke guxim të çosh kokë kundër meje?

21 A mos shpreson në Egjiptin, një shkop kallami i thyer, mbi të cilin, nëse mbështetet njeriu, theret dhe i shporohet dora? I tillë është faraoni, mbreti i Egjiptit, për të gjithë ata që shpresojnë në të.

22 E në qoftë se do të më thoni: ‘E kemi shpresën në Zotin, Hyjin tonë’, a nuk është ai, të cilit Ezekia ia rrënoi lartësirat e lterët dhe u urdhëroi judenjve dhe jerusalema‑ sve: ‘Adhuroni në Jerusalem para këtij lteri!’

23 Tani pra, vër bast me zotërinë tim, mbretin e asirëve: do të t’i jap dy mijë kuaj dhe shih a do të mund t’i gjesh kalorësit për ta!

24 Si do të mund ta vësh në ikje pra edhe një të vetmin e më të voglin ndër qeveritarë të zotërisë tim? A mos shpreson në Egjiptin për kuaj e kalorës?

25 A mos kujton se kam ardhur pa vullnet të Zotit në këtë vend për ta rrafshuar? Vetë Zoti më ka thënë: ‘Sulmoje e shkretëroje këtë vend. ’“

26 Eliacimi, biri i Helcisë, Sobna e Joaheu i thanë Rabsacesit: “Të lutemi, fol me ne, shërbëtorët e tu, aramaisht, sepse ne e dimë këtë gjuhë dhe mos na fol herbaisht, sepse të ndien populli që ështe mbi mure”.

27 Rabsacesi u përgjigj: “Pse a më ka dërguar imzoti vetëm te zotëria yt dhe tek ti për t’i thënë këto fjalë dhe jo për këta njerëz që janë mbi mure, që janë të dënuar të hanë tretjet e veta e të pinë ujët e vet së bashku me ju”?

28 U ngrit në këmbë Rabsacesi dhe bërtiti me zë të lartë hebraisht e tha: “Dëgjojini fjalët e mbretit të madhërishëm, mbretit të Asirisë:

29 Kështu thotë mbreti: Të mos ju gënjejë Ezekia: s’do të jetë i zoti t’ju nxjerrë nga kthetrat e mia!

30 As të mos ju jap shpresë në Zotin duke ju thënë: ‘Me siguri do të na shpëtojë Zoti dhe ky qytet nuk do të bjerë në duar të mbretit të Asirisë’!

31 Mos e degjoni Ezekinë! Kështu ju thotë mbreti i Asirisë: ‘Bëni paqe me mua dhe m’u dorëzoni e secili do të hajë prej vreshtit të vet e fiqve të vet dhe do të pini ujë prej pusave tuaj,

32 derisa të vij e t’ju çoj në një vend që është i ngjashëm me vendin tuaj, në një vend plot fruta e verë, në një tokë buke e vreshtash, tokë ullishtash, vaji e mjalti. Do të jetoni e nuk do të vdisni. Mos e dëgjoni Ezekinë që ju gënjen duke thënë: ‘Zoti do të na shpëtojë’!

33 Pse a i shpëtuan hyjnitë e popujve, secili vendin e vet, prej dorës së mbretit të asirëve?

34 Ku janë zotat e Ematit e të Arfadit? Ku janë zotat e Sefarvaimit, Ana e Ava? A mos e shpëtuan Samarinë prej dorës sime?

35 Ku janë ata zota, ndër të gjithë zotat e vendeve, që mundën ta shpëtonin vendin e vet prej duarve të mia, që të mund ta shpëtojë Zoti Jerusalemin prej duarve të mia?”

36 Heshti populli e nuk u përgjigj me asnjë fjalë, sepse mbreti u kishte dhënë urdhër të mos i përgjigjeshin.

37 U kthyen, pra, Eliacimi, biri i Helcisë, kryekujdestari i pallatit, Sobna, sekretari, dhe Joaheu, këshilltari, tek Ezekia, i shqyen petkat e veta dhe i treguan fjalët e Rabsacesit.



Fjala e Zotit