1 Në vitin e dymbëdhjetë të mbretit Akaz, në Samari u bë mbret mbi Izraelin Ozeja, biri i Elës. Mbretëroi për nëntë vjet.
2 Bëri ç’është e keqe para syve të Zotit, por jo si mbretërit e Izraelit që kishin qenë para tij.
3 Kundër tij u çua Salmanasari, mbreti i asirëve, dhe Ozeja iu nënshtrua e i paguante telozna.
4 Kur e hetoi mbreti i Asirisë se Ozeja kishte për qëllim të çohej kundër tij, sepse kishte dërguar kasnecë të mbreti i Egjiptit, Sua, dhe nuk i kishte paguar teloznat siç e kishte zakon t’i paguajë çdo vit, e kapi Ozenë, e lidhi në pranga dhe e qiti në burg.
5 Mbreti i Asirisë e pushtoi mbarë vendin dhe u ngjit dhe e rrethoi Samarinë. E mbajti në rrethim për tre vjet.
6 Në vitin e nëntë të mbretërimit të Ozesë, mbreti i Asirisë e pushtoi Samarinë, i shpuri izraelitët në Asur dhe i vendosi në Halë, në brigjet e Haborit, lumë i Gozanit dhe në qytetet e medëve.
7 E ndodhi kështu, sepse bijtë e Izraelit mëkatuan kundër Zotit, Hyjit të vet, i cili i kishte nxjerrë prej tokës së Egjiptit, prej kthetrave të faraonit, mbretit të Egjiptit, e ata nderuan hyjnitë e huaja.
8 Jetuan sipas zakoneve të kombeve që i zhduku Zoti në ardhjen e bijve të Izraelit, e sipas ligjeve që i vunë në fuqi mbretërit e Izraelit.
9 Bijtë e Izraelit e fyen me vepra jo të drejta Zotin, Hyjin e vet. Ndërtuan mogila në të gjitha qytetet e veta që nga kullat e vëzhgimit deri në qytete të fortifikuara.
10 Punuan gurngulë dhe banirë në majë të çdo kodre e nën çdo lëndë të gjelbër
11 dhe digjnin kem në të gjitha lartësirat sikurse edhe kombet që Zoti i kishte shpërngulur para tyre. Bënë vepra tmerrësisht të këqija duke e hidhëruar Zotin
12 dhe adhuruan idhuj të fëlliqët, që u kishte urdhëruar Zoti të mos e bënin atë gjë.
13 E Zoti i kishte përkujtuar zyrtarisht izraelitët e judenjtë me anë të gjithë profetëve e të gjithë veguesve duke u thënë: “Kthehuni prej udhëve tuaja të këqija e mbani urdhërimet e rregulloret e mia sipas ligjit që ua urdhërova etërve tuaj dhe sipas të gjithave që jua kam zbuluar me anë të profetëve, shërbëtorëve të mi. ”.
14 Por ata nuk dëgjuan. E ngurruan zverkun e vet në gjasim të zverkut të etërve të tyre, që nuk deshën të besonin në Zotin, Hyjin e vet.
15 E përbuzën Ligjin dhe Besëlidhjen e tij, që e lidhi me etërit e tij, kërkesat që ai ua kishte bërë: shkuan pas gjërave të kota dhe u bënë asgjë.
I ndoqën kombet që ishin përreth tyre, kurse Zoti u kishte urdhëruar të mos bëjnë siç bënin ato.
16 I lanë të gjitha urdhërimet e Zotit, Hyjit të vet, dhe punuan idhuj të metaltë: dy viça e banirin, adhuruan mbarë ushtrinë qiellore, i shërbyen Baalit,
17 i kushtuan bijtë e bijat e veta duke i kaluar nëpër zjarr; pyetnin shortarët e ushtronin magjinë e kështu u dhanë të bënin çka është e keqe ndër sy të Zotit me qëllim që ta ngacmonin.
18 Atëherë Zoti u hidhërua në Izraelin për së tepërmi dhe e flaku larg syve të vet. Mbeti vetëm fisi i Judës.
19 Por mjerisht as ata të fisit të Judës nuk i ruanin urdhërimet e Zotit, Hyjit të vet, por ecnin në gabimet që kishte bërë Izraeli.
20 Zoti e flaku mbarë farën e Izraelit, i përvujtnoi ata dhe i lëshoi në duar të grabitqarëve derisa i flaku krejtësisht prej fytyrës së vet.
21 Që prejkohës që Izraeli u nda prej shtëpisë së Davidit dhe vuri për mbret të vetin Jeroboamin, birin e Nabatit, ‑ sepse Jeroboami e ndau Izraelin prej Zotit dhe e bëri të bëjë mëkatin e madh, ‑ edhe Zoti e braktisi Izraelin.
22 Bijtë e Izraelit ecën në të gjitha mëkatet që i kishte bërë Jeroboami. Nuk u larguan prej tyre
23 derisa e dëboi Zoti Izraelin prej fytyrës së vet, siç u kishte thënë me gojën e të gjithë profetëve, shërbëtorëve të vet. Kështu qe humbur me dhunë Izraeli prej tokës së vet në Asur deri në ditën e sotme.
24 Mbreti i Asirisë atëherë solli popuj prej Babilonit, prej Kutës, prej Avahit, prej Ematit e prej Sefarvaimit dhe i vendosi në vend të bijve të Izraelit në qytetet e Samarisë. Këta e bënë pronë Samarinë e banuan në qytetet e saja.
25 Tashti, që në fillim të nguljes së tyre në të, nuk e kishin frikë Zotin. Zoti dërgoi kundër tyre luanë që mbytën disa prej tyre.
26 Qe lajmëruar mbreti i asirëve: “Njerëzit që çove dhe i vendose të banojnë në qytetet e Samarisë, nuk e dinë mënyrën si duhet të nderohet Hyji i vendit. Prandaj u çoi luan dhe, ja, po i mbysin, sepse nuk e dinë mënyrën si duhet nderuar Hyji i vendit”.
27 Atëherë mbreti i Asirisë urdhëroi: “Çojeni atje një prej priftërinjve që sollet s’andejmi si skllevër, le të shkojë e le të banojë ndër ta e t’ua mësojë mënyrën e nderimit të Hyjit të vendit”.
28 Kështu, kur erdhi njëri prej atyre priftërinjve që kishin qenë marrë skllevër prej Samarisë, banoi në Betel dhe i mësonte se si duhej ta nderonin Zotin.
29 Megjithatë, secili popull punoi hyjin e vet. I vendosën në tempujt e lartësirave që i kishin ndërtuar samarianët, secili popull në qytetin e vet ku banonte.
30 Kështu ata prej Babilonit punuan Sokotbenotin, kutenët Nergelin, ata prej Ematit Asimën,
31 kurse hevenjtë punuan Nebahazin dhe Tartakun, kurse ata që ishin prej Sefarvaimit i digjnin fëmijët e vet në zjarr për nder të Adramelekut e të Anamelekut, hyjnive të Sefarvaimit.
32 E migjithatë nderonin edhe Zotin. Bënë prej mesit të vet priftërinj të lartësirave dhe i vendosnin në tempuj të lartësirave;
33 dhe, ndërkohë që nderonin Zotin, u shërbenin edhe hyjnive të veta sipas zakoneve të popujve prej të cilëve kishin ardhur në Samari.
34 Deri më sot e përfillin zakonin e vjetër: nuk e druajnë Zotin, nuk e rregullojnë jetesën e vet brenda hullive të Ligjit as urdhërimeve as rregulloreve që ua urdhëroi Zoti bijve të Jakobit, të cilin e pat quajtur Izrael.
35 Zoti ka lidhur me ta një besëlidhje dhe u kishte urdhëruar duke thënë: “Mos i druani zotat e huaj, mos i nderoni, mos i adhuroni dhe mos u flijoni atyre,
36 por nderojeni vetëm Zotin që ju nxori nga toka e Egjiptit me fuqi të madhe e krah të shtrirë. Vetëm atë druani, atë adhuroni dhe atij i flijoni!
37 Urdhërimet e ritet, Ligjin e urdhrin, që e ka shkruar për ju, kujdesohuni ta zbatoni në të gjitha ditët e jetës suaj. Mos druani të tjerë zota!
38 Besëlidhjen që e rraha me ju, mos e harroni dhe mos i druani zotat e huaj,
39 por druani vetëm Zotin, Hyjin tuaj, dhe ai do t’ju shpëtojë nga dora e të gjithë armiqve tuaj.”
40 Por ata nuk dëgjuan e vazhduan të veprojnë sipas zakonit të tyre të vjetër.
41 Kështu, pra, këta popuj e druanin Zotin, por megjithatë u shërbenin edhe idhujve të vet. Krejtësisht siç vepruan etërit e tyre, bijtë e bijtë e bijve të tyre vazhdojnë të veprojnë edhe sot si ata.