1 Po në këtë kohë, Antioku po kthehej i çnderuar nga krahinat e Persisë.
2 Kishte pasë hyrë në qytetin Persepolis dhe sprovoi ta plaçkisë faltoren e ta pushtojë qytetin. Por, populli u ngrit kundër, i mori armët e kështu e vunë në ikje. I vënë në të ikur prej njerëzve të vendit, Antiokut iu desh të largohet i turpëruar.
3 Kur po gjendej në rrethe të Ekbatanës, e lajmëruan se çka i kishte ndodhur Nikanorit e Timoteut.
4 I ndezur flakë prej hidhërimit, kishte parasysh edhe turpin që e kishte pësuar prej atyre që e vunë në ikje, mendonte të shfrejë mbi judenj. Prandaj, urdhëroi që grahësi i karrocës ta vazhdonte rrugën pa ndërprerje. Por, tash e ndiqte ndëshkimi i Qiellit, sepse kështu kishte folur plot kreni: “Kur të arrijë atje, Jerusalemin do ta bëj varr të përbashkët të judenjve!”
5 Por, Ai që sheh gjithçka, Zoti Hyji i Izraelit, e goditi me një sëmundje të pashërueshme e të papashme. Posa e kreu atë fjalë, e kapi një dhembje e madhe rropullish e dhembje e padurueshme zorrësh,
6 gjë kjo që ishte me të vërtetë e drejtë, sepse ai u kishte shkaktuar të tjerëve dhembje të shumta e të padurueshme në rropulli.
7 Por, ai, megjithatë, s’hiqte dorë nga krenia e vet, madje, plot krenari, buçiste flakë nga felgrimi kundër judenjve dhe urdhëroi të shpejtohej vrapimi. Por, i ndodhi të rrëzohet nga karroca në vrapim të mahnitshëm e, nga rrëzimi i rëndë, t’i copëtohen gjymtyrët e trupit.
8 Ai që, në kreninë e vet mbinjerëzore, kujtonte se mund t’u urdhërojë valëve të detit, ai që kujtonte se mund t’i peshojë në peshore malet e larta, e pa veten të plandosur për tokë e, mandej i bartur në bartore, duke u dëftuar të gjithëve qartas fuqinë e Hyjit,
9 aq sa, nga sytë e të patenzonit rridhnin krimba e për së gjalli, në dhembje e në ofshame të mëdha, i derdhej mishi e, për shkak të kalbësimit, qelbësira e tij i çonte të vjedhat mbarë ushtrisë.
10 Ai që pak më parë kujtonte se i prek yjet e qiellit me dorë, tash askush s’mund ta mbartëte për shkak të erës së rëndë të qelbësirës.
11 Vetëm tash, i copëtuar, nisi ta ulë kreninë e madhe të veten dhe ta kuptojë gjendjen e vet nën frushkullin hyjnor, sepse i shtoheshin dhimbjet nga një ças në tjetrin.
12 E kur as ai vet nuk mund të duronte më erën e rëndë të veten, tha kështu: “Është e drejtë t’i nënshtro- hesh Hyjit e vdekatari të mos krenohet!”
13 Ky bakeq nisi t’i lutet Zotit, i cili tashmë nuk do të ketë mëshirë për të. Thoshte
14 se do ta shpallte Qytetin e shenjtë, të lirë, kundër të cilin ishte ngutur ta rrafshojë me truall dhe ta bëjë varr,
15 kurse judenjtë, të cilët nuk i çmonte të denjë as për t’u kondisur për së vdekuri, por se do t’ua qiste shpendëve për t’i ngrënë e se do t’ua hidhte egërsirave bashkë me fëmijë, do t’i barazonte me athinas të gjithë,
16 se Tempullin e shenjtë, të cilin më parë e kishte plaçkitur, do ta stoliste me dhurata shumë të bukura, dhe se do t’i kthente në numër edhe më të madh të gjitha enët dhe shpenzimet e flijimeve do t’i mbulonte me të ardhurat e veta,
17 madje
për më tepër se edhe ai do të bëhej çifut dhe se do t’i binte kryq e tërthor botës duke predikuar fuqinë e
Hyjit.
18 Por, pasi dhimbjet nuk i pushonin aspak - sepse kishte rënduar mbi të gjyqi i drejtë i Perëndisë - pasi s’kishte më farë shprese për vetvete, u shkroi judenjve letrën që po e sjellim këtu më poshtë në trajtë të përlutjes, me këtë përmbajtje:
19 ”Judenjve, qytetarëve të shkëlqyer, mbreti dhe prijësi Antiok: të fala të shumta, mirëqenie e mirëvajtje!
20 Nëse jeni mirë ju e fëmijët tuaj, nëse punët tuaja u shkojnë ashtu si ju dëshiron zemra, plot shpresë në Qiellin, duke u lutur me gjithë shpirt, i falënderohem Hyjit.
21 Unë, në të vërtetë, megjithëse isha i sëmurë, ju kujtoj me dashamirësi për nderin dhe mirësjelljen tuaj ndaj meje. Në kthimin tim nga krahinat e Persisë, pasi më kapi një sëmundje e paduru- eshme, mendoj se është e domosdoshme të kujdesem për të mirën e sigurinë e përbashkët të të gjithëve.
22 Megjithëse nuk e kam humbur shpresën në gjendjen time, por me shpresë të madhe se do t’i shpëtoj kësaj ligësine,
23 e duke pasur parasysh se edhe im atë, në kohë kur bënte ndonjë fushatë kundër krahinave të veriut, shënonte pasardhësin e vet,
24 që, po ndodhi ndonjë ngjarje e papritur ose lajme jo të mira, shtetasit të mos turbullohen, por ta dinë kujt ia ka besuar ai punët e shtetit.
25 Mandej, duke e ditur se sunduesit e afërm dhe fqinjët e mbretërisë ruajnë rastin e volitshëm e presin pale a po ndodh gjë, e caktova për mbret birin tim Antiokun, të cilin, shpeshherë kur bëja ndonjë fushatë në krahinat e veriut, shumicës prej jush jua kam besuar e porositur. Ndryshe i kam shkruar edhe atij këtë letër që po e bashkangjis.
26 Prandaj, po ju lutem e po kërkoj prej jush të mos i harroni bamirësitë që i keni marrë prej meje botërisht e privatisht e ta ruani dashamirësinë tuaj ndaj meje e ndaj birit tim.
27 Kam besim se edhe ai, duke i ndjekur udhëzimet e mia, do të sillet me ju me maturi e me njerëzi.”
28 Kështu, pra, ky vrastar e hyjshmues, duke pësuar dhimbje tejet të rënda, siç u kishte shkaktuar të tjerëve, i dha fund jetës së vet në male të shkreta, në vende të huaja me një fat të mjerë.
29 Filipi, miku i tij i afërm, solli kufomën e tij, i cili, mandej, prej frikës së birit të tij Antiokut, shkoi në Egjipt te Ptolemeu Filometor.