1 Nikanori e mori vesh se njerëzit që ishin me Judën ndodheshin në krahinën e Samarisë, vendosi t’i sulmojë pa farë rreziku ditën e pushimit.
2 Judenjtë që përdhunë u duhej të shkonin me të, i thanë: “S’ka hije t’i vrasësh në një mënyrë kaq të egër e barbare, por jepi nder më të ndershmes ditë që e ka shenjtëruar Ai që sheh gjithçka.”
3 Ai fatziu pyeti a do të ketë në qiell ndonjë të fuqishëm që ka urdhëruar të mbahet e shtuna.
4 E kur ata i përgjigjën: “Është Zoti i gjallë, Zotëruesi i qiellit, i cili urdhëroi të shenjtërohet dita e shtatë!”
5 Por, ai tha: “Edhe unë jam gjithashtu zotërues mbi tokë që urdhëroi të merren armët e të kryhen punët e
mbretit!”
Megjithatë nuk ia doli ta kryejë synimin e vet të mbrapshtë.
6 Ndërkaq Nikanori, me zverrk lart prej krenisë së pashoqe, kishte vendosur në mendje të vet të ndërtojë një trofe botor me prenë që do t’ua merrte njerëzve të Judës.
7 Makabeu, përkundrazi, kishte besim të pandërprerë e shpresë të sigurt se do ta ndihmonte Zoti
8 dhe u jepte zemër të vetëve të mos i tremben ardhjes së paganëve, por t’i mbanin në mend ndihmat që u ishin bërë nga Qielli e tash të shpresojnë se do të ngadhënjejnë me ndihmën e të Gjithpushtetshmit.
9 Duke u dhënë kështu zemër me fjalët e Ligjit e të Profetëve, duke ua sjellë në mendje luftërat që i kishin luftuar, ua mbushi zemrën me guxim.
10 Pasi kështu të gjithëve ua ndezi flakë ndjenjat, ua zbuloi dhe ua vërtetoi pabesinë e paganëve dhe thyerjen e përbetimeve.
11 Pasi i armatosi të gjithë, jo aq me shqyta e me heshta sa me fjalë të mira e fjalim guximdhënës, u dëftoi një ëndërr të denjë për t’u besuar, pothuajse vegim, që të gjithë i gëzoi.
12 Vegimi i tij ishte ky: Onia, që kishte pasë qenë kryeprift, burrë i ndershëm e i mirë, në takim i sjellshëm, në doke i matur, gojëmbarë në bisedë, që i kishte ushtruar që në fëmijëri të gjitha virtytet, me duar të lartësuara, lutej për të gjithë popullin e judenjve.
13 Pastaj i ishte dukur edhe një njeri tjetër, në shenjë për thinja e për nder, të një madhërie të mrekullueshme e denjësie të madhërueshme.
14 Atëherë Onia kishte thënë: “Ky është dashamirësi i vëllezërve, që lutet shumë për popullin e për Qytetin e shenjtë: është Jeremia, profeti i Hyjit.”
15 Atëherë Jeremia e shtriu dorën e djathtë e ia dha Judës një shpatë të artë e, ndërsa po ia jepte, i kishte thënë:
16 “Merre shpatën e shenjtë dhuratë prej Hyjit, me të do t’i zhbish
kundërshtarët!”
17 Të nxitur nga fjalët shumë të flakta të Judës, të afta t’i shtyjnë në trimëri e t’i burrërojnë edhe zemrat e të rinjve, judenjtë vendosën të mos qëndrojnë në fushim, por të sulen me guxim e ta vendosin fatin me përleshje të hapët me të gjitha fuqitë, sepse Qyteti, gjërat e shenjta e Tempulli ishte në rrezik.
18 Për ta frika për gra, fëmijë, vëllezër e të afërm ishte më e vogël, sepse shqetësimi i parë e kryesor ishte për Tempullin e shuguruar.
19 Shqetësimi nuk ishte më i vogël as i atyre që kishin qenë lënë në qytet për shkak të përleshjes në fushë të hapët.
20 E, ndërsa të gjithë po prisnin vendimin e përleshjes së afërme, armiqtë tashmë kishin filluar sulmin, ushtria ishte vënë në rreshtat e luftimit, elefantët ishin renditur në vendet përkatëse, kalorësia në vend të vet,
21 Makabeu po e shikonte ushtrinë e madhe që afrohej, veglat e ndryshme të armatimit të tyre, pamjen tmerruese të elefantëve, duke i shtrirë duart e veta drejt Qiellit që bën mrekulli, iu lut Zotit, i bindur plotësisht se Ai nuk e ndan fitoren sipas armëve, por ua jep atyre që Ai i gjykon të denjë.
22 Duke u lutur, tha kështu: “Ti, o Zotërues, që e dërgove engjëllin tënd në kohën e Ezekisë, mbretit të Judesë, dhe ai i zhbiu njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë ushtarë të Senakeribit,
23 dërgoje edhe kësaj herë, o Zotëruesi i qiellit, engjëllin tënd të mirë para nesh që të mbjellë frikë e tmerr!
24 Le t’i tmerrojë fuqia e madhë- rueshme
e krahut tënd ata që, me hyjshmi në gojë, po e sulmojnë popullin tënd të shenjtë!” Dhe kështu i dha fund
uratës.
25 Ndërsa ata që ishin me Nikanorin afroheshin me zë të borive e me këngë lufte,
26 ata që ishin me Judën u përleshën me armiq duke u lutur e thënë uratë.
27 Duke luftuar me duar e duke iu lutur Zotit me zemër, i shtruan për tokë jo më pak se tridhjetë e pesë mijë njerëz, mrekullisht të kënaqur me praninë e Hyjit.
28 Si mori fund lufta e, ndërsa të gëzuar po ktheheshin, e njohën Nikanorin të vrarë, të ngjeshur në armët e veta.
29 Lëshuan britma hareje me gëzim të papërmbajtur, e falënderonin Zotin e gjithpushtetshëm në gjuhën atërore.
30 Atëherë ai që për çdo gjë kishte qenë i pari, korp e shpirt, të luftojë për bashkëqytetarë, ai që e kishte ruajtur dashurinë e rinisë për kombin e vet, urdhëroi t’i pritet koka dhe dora me gjithë shpatull Nikanorit e të çoheshin në Jerusalem.
31 Kur arriti atje, i bashkoi bashkë- vëllezërit e priftërinjtë e, duke qëndruar përpara lterit, i thirri edhe ata që ishin në Qytezë:
32 Ua dëftoi kokën e Nikanorit të patenzonë dhe dorën e bakeqit, të cilën duke e shtrirë kundruall Tempullit të shenjtë të Hyjit të gjithpushtetshëm, ishte lavdëruar me aq madhështi.
33 Mandej, pasi e preu gjuhën e Nikanorit hyjshmues, dha urdhër t’u qitej shpendëve grimë nga një grimë dhe të varej përballë Tempullit shpërblimi i marrëzirës së tij.
34 Atëherë të gjithë ngritën drejt qiellit bekime Zotit të lavdishëm me këto fjalë: “Qoftë bekuar Ai që e ruajti Banesën e vet të papërdhosur!”
35 Mandej Juda e vari kokën e Nikanorit në Qytezë, ku ta shihnin të gjithë si shenjë të qartë të ndihmës së Zotit.
36 Atëherë të gjithë një zëri vendosën që të mos lihet assesi të kalojë ajo ditë pa kremtim, por të
festohet të trembë- dhjetën ditë të muajit të dymbëdhjetë - që quhet në gjuhën aramaike Adar, në sy të ditës
së Mardokeut.
37 Kështu, pra, shkuan punët me Nikanorin e, pasi nga ajo kohë qytetin e mbajtën në dorë hebrenjtë, edhe unë këtu po i jap fund tregimit.
38 Nëse e kam përpiluar mirë e si duhet, atë edhe e kam pasur dëshirë; por në qoftë se e kam përpiluar dobët e mesatarisht, është krejt ç’kam mundur të bëj.
39 Por, sikurse të pihet vetëm verë ose vetëm ujë, është e dëmshme, ndërsa vera e përzier me ujë është e pëlqyeshme e jep kënaqësi, kështu edhe mjeshtria e rënditjes së mirë të tregimit, i kënaq veshët e atyre që u ndodh ta lexojnë librin. Këtu, pra, po i jap fund.