1 Ndërkaq Makabeu me njerëzit e vet, të udhëhequr prej Zotit, e ripushtuan Tempullin edhe Qytetin.
2 I rrënuan lterët që i kishin ndërtuar të huajt në sheshe si dhe faltoret e kultit.
3 Pasi e pastruan Tempullin, ndërtuan një lter tjetër, mandej, pasi nxorën shkëndija nga gurgaca, kushtuan fli pas dy vjetëve, dogjën kemin, ndezën dritat dhe paraqitën bukët e kushtimit.
4 Si bënë kështu, ranë me fytyrë për dhe e iu lutën Zotit që të mos bien më kurrë në të këqija të tilla, por, në qoftë se do të mëkatojnë edhe ndonjë herë tjetër, ai t’i ndëshkojë me butësi e të mos i lëshojë në dorë të kombeve hyjshmëtare e barbare.
5 Po atë ditë, në cilën Tempulli kishte pasë qenë përdhunuar nga të huajt, ndodhi që po atë ditë Tempulli edhe të pastrohej, d.m.th. më njëzet e pesë të muajit Kasleu.
6 E kremtuan me gëzim të madh për tetë ditë, ashtu si edhe të kremten e Tendave, duke u kujtuar si e kishin festuar ditën e Tendave pak më parë, në male e shpella porsi kafshët.
7 Këndej, duke mbajtur në dorë shkopinj të stolisur me urth, me gema të njomë e me palme, i lartësonin himne Atij që e kishte sjellë për së mbari pastrimin e Tempullit të vet.
8 Atëherë, vendosën me
një urdhëresë botore e vendim të përgjithshëm për mbarë popullin e judenjve se çdo vit do t’i kremtojnë
këto ditë.
9 Të tilla, pra, ishin rrethanat lidhur me vdekjen e Antiokut që quhet Epifan.
10 Tash do të tregojmë gjërat që ndodhën nën Antiokun Eupator, që ishte biri i këtij të patenzoni, duke i paraqitur shkurtimisht të këqijat që i shkaktuan luftërat.
11 Ky, pra, si e mori në dorë mbretërinë, e caktoi në krye të punëve të mbretërisë një farë Lizje, qeveritarin e parë të Celesirisë e të Fenicisë.
12 Sepse Ptolemeu që quhet edhe Makron, duke parapëlqyer të jetë i drejtë ndaj judenjve, për shkak të të padrejtave që u ishin bërë, mundohej t’i ushtrojë marrëdhëniet me ta paqesisht,
13 prandaj, i paditur prej disa miqve te Eupatori e, pasi shpesh dëgjonte se e quanin tradhtar, pse
e kishte lëshuar Qipron që ia kishte besuar Filometori e ia kishte mbajtur krahun Antiokut Epifan, e pasi
s’mundte më ta ushtrojë me nder detyrën, ia shkurtoi jetën vetes me helm.
14 Gorgia, kur u bë qeveritar i krahinës, bashkonte ushtri me pagesë e shpesh niste luftëra kundër judenjve.
15 Bashkë me të edhe idumenjtë, që i kishin në dorë disa qyteza të përshtatshme, ua çonin ngushtë judenjve e, duke i strehuar të ikurit nga Jerusalemi, bënin çmos që ta mbanin të ndezur luftën.
16 Ndërkaq, njerëzit e Makabeut, pasi bënë një përlutje e iu lutën Hyjit, që t’u ndihmojë, i sulmuan qytezat e idumenjve,
17 e, pasi i sulmuan me forca të mëdha, i pushtuan pozicionet, i shtytën ata që luftonin mbi mure, dikend dëbuan e ata që i zunë i vranë: vranë jo më pak se njëzet mijë njerëz.
18 Prej tyre, jo më pak se nëntë mijë, u strehuan në dy kulla të fortifikuara mirë me të gjitha pajisjet për qëndresë,
19 Makabeu, si i la për rrethimin e tyre Simonin, Jozefin dhe Zakeun me ata që ishin me të - e ishin mjaft shumë - kurse ai vetë shkoi në ato vende ku ishte nevoja më e madhe.
20 Por, këta që ishin me Simonin, të shtyrë nga lakmia e parasë, morën prej disave që ishin në kulla shtatëdhjetë mijë drahma dhe i lëshuan disa të ikin.
21 Kur i lajmëruan Makabeut se çfarë kishte ndodhur, ai i bashkoi krerët e popullit dhe i paditi fajtorët se për para i kishin shitur vëllezërit e vet pasi i kishin lënë të ikin armiqtë.
22 Këndej edhe i dha të vriten si tradhtarë e i pushtoi të dy kullat.
23 Pasi gjithçka i shkoi për së mbari në saje të armëve, vrau në dy kullat më shumë se njëzet mijë njerëz.
24 Timoteu, të cilin judenjtë e kishin thyer më parë, bashkoi një ushtri shumë të madhe me të huaj, si bashkoi edhe kuaj jo pak nga Azia, u duk papritmas në Jude, me qëllim që ta pushtojë me armë.
25 Kur ai po afrohej, ata që ishin me Makabeun, i pluhërosën kokat me pluhur dheu, i ngjeshën ijët me grathore e iu drejtuan në uratë Hyjit.
26 Ranë përmbys para lterit e iu lutën Hyjit të jetë i mëshirshëm me ta: të jetë armik me armiqtë e tyre e kundër- shtarëve t’u kundërshtojë siç e shpall Ligji.
27 Si e kryen uratën, i rrokën armët, u larguan mjaft prej qytetit e, kur iu afruan armikut, u ndalën.
28 Posa zbardhi drita, të dy palët ia filluan sulmit, këta duke mbajtur për peng të suksesit e të fitores bashkë me fuqi ndihmën e Zotit, kurse ata si prijës të luftimit mbanin për vete guximin e vet.
29 Por, shi kur ishte zjarri i luftimit, kundër- shtarëve iu dëftuan, të ardhur prej Qiellit, pesë burra të pashëm në kuaj me frerë të artë, që u prinin judenjve.
30 Dy prej tyre Makabeun e shtinë ndërmjet, e mbronin me armët e veta dhe e bënin të paplagosshëm, kurse në kundërshtarë hidhnin shigjeta e rrufe, që, të verbuar e të marrë mendsh, u shpërndanë pa kurrfarë rregulli.
31 Aso here u vranë njëzet mijë e pesëqind këmbësorë e gjashtëqind kalorës.
32 Timoteu iku në një vend të fortifikuar mirë që quhet Gazarë, ku sundonte Kereja.
33 Makabeu e njerëzit e tij plot guxim e mbajtën të rrethuar katër ditë.
34 Ata që ishin brenda të sigurt në fortifikimin e vendit, shanin në mënyrë të tmerrshme e villnin fjalë sa s’ka më të fëlliqura.
35 Por, kur zbardhi e pesta ditë, njëzet djelmosha nga ata që ishin me Makabeun, të ndezur me felgrim nga ato të shara, u sulën në mure me trimëri e sypatrembur dhe i vranë të gjithë që i gjetën gjallë.
36 Po ashtu edhe të tjerët u sulën kundër të rrethuarve në anën tjetër. U dhanë zjarr kullave, e, duke u ndezur zjarr brenda hyjshmëtarët i shkrumbuan për së gjalli. Të tjerët i thyen dyert, lëshuan të hyjnë brenda ushtarë të tjerë dhe e pushtuan qytetin.
37 Timoteun, që ishte fshehur në një birucë, e vranë atë, vëllanë e tij Kerenë dhe Apolofanin.
38 Si bënë kështu, me himne e këngë falënderimi i jepnin lavdi Zotit, i cili e kishte përkrahur mrekullisht Izraelin e ua kishte dhënë fitoren.