< 1Mak 16 2Mak 2 >
Lexim prej librit të dytë të Makabenjve(2Mak 1)
1

1 Vëllezërve judeas që janë në Egjipt u bëjnë të fala vëllezërit judeas që janë në Jerusalem e në mbarë dheun e Judesë dhe u urojnë paqe e mirëqenie.

2 Perëndia ju mbushtë me të mirat e veta dhe e kujtoftë Besëlidhjen e vet me Abrahamin, Izakun e Jakobin, shërbëtorët e vet besnikë!

3 Ju dhëntë juve të gjithëve vullnet për ta adhuruar Atë e për ta kryer vullnetin e tij me zemërgjerësi e me shpirt të gatshëm!

4 Ai e haptë zemrën tuaj për Ligjin e vet e për urdhërimet e veta dhe e vendostë paqen!

5 Ai jua dëgjoftë uratat, u pajtoftë me ju dhe mos heqtë dorë prej jush në kohë të keqe.

6 Edhe ne këtu po në këtë moment lutemi për ju.

7 Kur mbretëronte Demetri, në vitin njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë, ne judenjtë ju kemi shkruar: “Në vështirësi e mjerime që erdhën mbi ne në këto vjet që kur Jasoni e pjesëma- rrësit e tij e tradhtuan tokën e shenjtë dhe mbretërinë,

8 duke e djegur derën dhe duke e derdhur gjakun e pafajshëm, ne iu lutëm Zotit dhe Ai na dëgjoi. Atëherë e morëm përsëri kushtimin e flive, paraqitëm endën e miellit, ndezëm dritëzat dhe i venduam bukët e kushtimit.”

9 Tash po ju shkruajmë që t’i festoni ditët e të kremtes së Tendave që bien në muajin Kasleu.

10 Viti njëqind e tetëdhjetë e tetë. Letra e dytë @@@ Ata që janë në Jerusalem e në Jude, senati edhe Juda, Aristobulit, mësuesit të Ptolemeut mbret, që rrjedh nga rodi i priftërinjve të shuguruar me lyerje, hebrenjve që janë në Egjipt, të fala e shëndet!

11 Të shpëtuar madhërisht nga rreziqet e mëdha prej dorës së Hyjit i falemi nderit Atij ne që luftuam kundër mbretit,

12 sepse Ai vetë i zmbrapsi ata që luftuan kundër qytetit të shenjtë.

13 Duke pasë shkuar në Persi prijësi i tyre e me të edhe ushtria që mbahej e pathyeshme, qenë vrarë në tempullin e hyjneshës Nanea, në saje të dredhisë që e përdorën priftërinjtë e Nanesë.

14 Antioku shkoi në atë vend kinse donte të lidhte me të martesë si edhe miqtë e tij që ishin me të, por për të marrë në të vërtetë porsi miraz të saj para të shumta.

15 Pasi priftërinjtë e saj i qitën paratë, ai me disa miq të vet hyri në faltore, priftërinjtë e mbyllën faltoren. Pasi hyri Antioku,

16 hapën një derë të fshehtë në tavan, e gjuajtën me gurë dhe e vranë prijësin, trupin e tij e prenë copa - copa, ua prenë kokat dhe i flakën përjashta.

17 Për gjithçka qoftë bekuar Perëndia ynë që i dorëzoi në vdekje ata që vepruan shenjtë- dhunisht!

18 Pasi ne mendojmë ta festojmë më njëzet e pesë të muajit Kasleu pastrimin e Tempullit, e menduam të nevojshme t’ju japim një shtjellim, që edhe ju gjithashtu ta kremtoni si të kremten e Tendave e të zjarrit, që qe dhuruar, kur Nehemia, pasi e kishte ndërtuar Tempullin dhe lterin, kushtoi fli.

19 E njëmend, kur etërit tanë qenë tretur në Persi, priftërinjtë që aso here e nderonin me besnikëri Hyjin, si e morën zjarrin fshehtas nga lteri, e fshehën në një pus që fundin e kishte të shterur. Aty e venduan në vend të sigurt, kështu që vendi mbeti i panjohur për gjithkënd.

20 Por, pasi kishin kaluar shumë vjet e, kur i pëlqeu Hyjit, ta dërgojë Neheminë, mbreti i Persisë, i dërgoi nipat e atyre priftërinjve që e kishin fshehur, ta gjejnë zjarrin.

21 Kur na lajmëruan se nuk e kishin gjetur zjarrin, por një ujë të trashë, ai u urdhëroi ta nxjerrin e ta sjellin. Pasi qenë venduar flitë, Nehemia u urdhëroi priftërinjve ta stërpikin me ujë e turrën e drunjve e gjithçka ishte mbi të.

22 Pasi u bë kështu, shndriti menjëherë dielli që më parë e kishte zënë reja, u ndez një zjarr aq i madh sa që të gjithë mbetën të habitur.

23 Ndërsa flia po shkrihej priftërinjtë ia nisën uratës. Luteshin priftërinjtë e të gjithë të tjerët. Jonata e fillonte e të tjerët ia merrnin porsi Nehemia.

24 Urata kishte këtë renditje: “O Zot, Zoti Hyj, Krijuesi i gjithësisë, i tmerrshëm e i fuqishëm, i drejtë e i dhimbshëm, ti i vetmi je mbret e i mirë!

25 I vetmi dorëdhënë, i vetmi i drejtë, i gjithpushtetshëm e i amshueshëm! Ti e çlirove Izraelin nga çdo e keqe, ti i zgjodhe e i shenjtërove etërit tanë,

26 pranoje flinë për mbarë popullin tënd Izraelin, ruaje trashëgimin tënd e shentëroje!

27 Bashkoj të treturit tanë, ktheju lirinë atyre që u shërbejnë paganëve! Shikoj të përbuzurit e të mposhturit, kështu që paganët të shohin se ti je Hyji ynë!

28 Ndëshkoj ata që na shtypin e që na fyejnë krenarisht!

29 Bëj të lëshojë rrënjë populli yt në vendin tënd të shenjtë, sikurse tha Moisiu.”

30 Kurse priftërinjtë këndonin himne.

31 Kur flia u dogj, Nehemia urdhëroi të hidhet uji që teproi mbi gurët e mëdhenj.

32 Kur u bë ashtu, u ndez një flakë, por qe përpirë nga shkëlqimi që shndriti nga lteri.

33 Kur ngjarja u mor vesh, i lajmëruan edhe mbretit të Persisë se në atë vend ku priftërinjtë e tretur në mërgim e kishin fshehur zjarrin, doli uji me të cilin Nehemia dhe ata që ishin me të i pastruan ato që kërkoheshin për fli.

34 Mbreti, pasi bëri hetime me kujdes dhe e vërtetoi ngjarjen, ndërtoi aty një faltore.

35 Atyre që ua kishte lënë në dorëzim mbreti u bënte pjesë në dhurata të shumta që nxirrte.

36 Këtë vend Nehemia e njerëzit e tij e quajtën Neftar që përkthehet “Pastrim”, porse shumica e quan Neftai.



Fjala e Zotit