1 Po edhe mbretëresha e Sabës, kur dëgjoi për zërin e madh të Salomonit, erdhi për ta sprovuar atë me anë të gjëegjëzave. Erdhi në Jerusalem me një përcjellje të madhe e me gamile të ngarkuara me erëra të mira, me ar të shumtë e me gurë të paçmueshëm. Kur arriti te Salomoni, foli me të për gjithçka kishte në zemër të vet.
2 Salomoni i shtjelloi gjithçka që ajo ia kishte parashtruar dhe s’i mbeti asgjë që ai nuk ia sqaroi.
3 E kjo, pasi pa, d. m. th. urtësinë e Salomonit, shtëpinë që kishte ndërtuar,
4 ushqimet në tryezën e tij, banesat e oborrtarëve dhe shërbimin e mëkëmbësve të tij, veshjet e tyre, kuptarët dhe petkat e tyre, flitë që i kushtonte në Shtëpinë e Zotit, prej habisë, mbeti fare pa frymë!
5 Atëherë i tha mbretit: “Paska qenë e vërtetë fjala që kam dëgjuar në dheun tim për pasurinë dhe urtësinë tënde:
6 unë nuk u besoja fjalëve që thuheshin deri që erdha vetë e pashë me sytë e mi e po shoh se më paska qenë treguar a po a jo gjysma e urtësisë sate: ia tejkalove zërit të madh që kam dëgjuar!
7 Lum trimat e tu e lum shërbëtorët e tu që të rrinë pranë tërë kohën dhe e dëgjojnë urtësinë tënde!
8 Qoftë bekuar Zoti, Hyji yt, që i pëlqeu të të caktojë ty mbi fronin e vet për mbret në emër të Zotit, Hyjit tënd! Pse Hyji yt e do Izraelin e pse do ta ruajë për amshim, për këtë arsye edhe të vuri ty mbret mbi të për ta ushtruar të drejtën dhe drejtësinë”.
9 Atëherë ajo i dha mbretit njëqind e njëzet talenta ar, erëra të mira pa masë shumë dhe gurë të paçmueshëm. Kurrë më nuk pat aq erëra të mira si ato që mbretëresha e Sabës ia dhuroi mbretit Salomon!
10 Po ashtu edhe shërbëtorët e Hiramit dhe shërbëtorët e Salomonit i sollën ar prej Ofirit dhe dru sandali e gurë të çmueshëm.
11 Prej lëndës së sandalit mbreti i punoi shkallët në Shtëpinë e Zotit dhe në pallatin mbretëror si edhe cetra e harpa për këngëtarë. Kurrë nuk ishte parë lëndë e tillë në dheun e Judës!
12 Po ashtu edhe mbreti Salomon i dhuroi mbretëreshës së Sabës gjithçka dëshiroi dhe kërkoi, madje shumë më shumë se sa i kishte sjellë atij. Atëherë ajo u kthye me shërbëtorët e vet në vendin e vet.
13 Pesha e arit që i sillej Salomonit për çdo vit ishte gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talenta ari,
14 pa marrë parasysh sasinë që i vinte nga tregtarët dhe shitësit si tatim dhe sasinë e të gjithë mbretërve të Arabisë e të prijësve të vendit, të cilët i sillnin Salomonit ar e argjend.
15 Mbreti Salomon punoi dyqind mburoja ari: për secilën u përdor pesha e gjashtëqind siklave të artë.
16 Punoi gjithashtu edhe treqind mburojëza të arta: për secilën mburojëz shpenzoi nga treqind sikla të artë. Këto mbreti i vendosi në pallatin që quhet Pylli i Libanit.
17 Gjithashtu mbreti e punoi një fron të fildishtë të madh dhe e veshi me ar të kulluar.
18 I punoi edhe gjashtë shkallë, nëpër të cilat hipej në fron, mëkëmbëzën e artë dhe në të dy anët nga një bërrylëz si dhe dy luanë në këmbë afër bërrylzave.
19 Gjithashtu edhe dymbëdhjetë luanë të tjerë të vegjël në këmbë përmbi shkallë në të dy anët: një fron i tillë nuk qe në asnjë mbretëri!
20 Të gjitha enët e tryezës së mbretit ishin të arta si dhe enët e pallatit të Pyllit të Libanit ishin prej arit të kulluar. Në kohën e Salomonit argjendi nuk çmohej si i vlershëm.
21 E njëmend anijet e mbretit shkonin me shërbëtorët e Hiramit në Tarsis dhe njëherë në tri vjet anijet ktheheshin prej Tarsisit të ngarkuar me ar, me argjend, me fildish, me majmunë e me pallonj.
22 Mbreti Salomon i tejkaloi të gjithë mbretërit e botës me pasuri e me urtësi.
23 Të gjithë mbretërit e botës dëshironin ta shihnin Salomonin për t’ia dëgjuar urtinë që ia kishte dhuruar Hyji zemrës së tij.
24 Vit për vit i dhuronin enë të argjendta e të arta, petka, armë e erëra të mira, kuaj e mushka.
25 Salomoni kishte katër mijë stalla kuajsh, kurse kuaj e kalorës dymbëdhjetë mijë. Ato i vendosi në qytete karrocash lufte si dhe në Jerusalem, ku qëndronte mbreti.
26 Ai sundonte mbi të gjithë mbretërit prej lumit Eufrat deri në tokën e filistinëve e deri në kufinj të Egjiptit.
27 Në Jerusalem solli një sasi të madhe argjendi thua se gurë, një sasi lënde cedri si manat që rriten në Sefelë.
28 Tek ai sillnin kuaj prej Egjiptit e prej çdo krahine.
29 Veprat e tjera të Salomonit, të parat e të mëpasmet, janë të shkruara në historinë e profetit Natan si dhe në Librin e profecisë së Ahisë nga Siloja si edhe në vëgimin e Ados, vegimtarit të Roboamit, birit të Nabatit.
30 Salomoni mbretëroi në Jerusalem mbi mbarë Izraelin dyzet vjet
31 e pastaj pushoi me etërit e vet. E varrosën në Qytetin e Davidit, babait të vet. Në vend të tij u bë mbret Roboami, i biri.