< 2Kro 29 2Kro 31 >
Lexim prej librit të dytë të Kronikave(2Kro 30)
30

1 Ezekia dërgoi njerëz nëpër mbarë Izraelin e Judën, madje shkroi edhe letra në Efraim e një Manasé që të vijnë në Jerusalem në Shtëpinë e Zotit për t’i kremtuar Pashkët në nder të Zotit, Hyjit të Izraelit.

2 Pasi u këshilluan mbreti, prijësit dhe mbarë kuvendi i dheut në Jerusalem, vendosën që Pashkët t’i kremtojnë në muajin e dytë,

3 sepse nuk mundën t’i kremtojnë në kohën e caktuar, pasi nuk kishin qenë kushtuar aq priftërinj që të mund të mjaftonin, e as populli ende nuk kishte qenë mbledhur në Jerusalem.

4 Parashtrimi i pëlqeu mbretit dhe mbarë bashkësisë

5 dhe vendosën të dërgohen lajmëtarë në mbarë Izraelin që nga Bersabeja deri në Dan, që të bashkohen në Jerusalem e t’i kremtojnë Pashkët në nder të Zotit, Hyjit të Izraelit, sepse shumica e madhe nuk kishte kremtuar sipas rregulloreve të parapara.

6 Kasnecët u nisën me letra nga dora e mbretit dhe e prijësve të tij në mbarë Izraelin e në Judën, po ashtu si kishte urdhëruar mbreti, shpallnin: “Bijtë e Izraelit! Kthehuni nga Zoti, Hyji i Abrahamit, i Izakut e i Izraelit që edhe Ai të sillet kah Teprica që u shpëtoi duarve të mbretërve të Asirisë.

7 Mos u bëni si etërit tuaj e vëllezërit që u larguan nga Zoti, nga Hyji i etërve të vet, dhe i lanë të sharrojnë si po shihni ju vetë.

8 Tani mos u bëni më kokëfortë si etërit tuaj! Shtrijani dorën Zotit dhe ejani në Shenjtëroren e tij që e shenjtëroi për amshim. Shërbejini Zotit, Hyjit tuaj, që të largohet prej jush zemërimi i hidhërimit të tij!

9 Vërtet, nëse ju do të ktheheni kah Zoti, edhe vëllezërit dhe bijtë tuaj do të gjejnë mëshirë te zotërinjtë e tyre që i zunë robër, dhe do të kthehen në këtë vend: sepse i mëshirshëm dhe bujar është Zoti, Hyji juaj, dhe nuk do ta mënjanojë faqen e vet prej jush, nëse do të ktheheni tek ai”.

10 Kasnecët kaluan nga një qytet në tjetrin nëpër tokën e Efraimit e të Manaseut deri në Zabulon, por njerëzit i përqeshnin dhe i vinin në lojë.

11 Megjithatë, disa nga fisi i Aserit, i Manaseut dhe i Zabulonit u përulën e erdhën në Jerusalem.

12 Kurse në Judë u dëftua dora e Zotit dhe i bëri të gjithë një mendimi për ta zbatuar urdhrin e mbretit e të prijësve sipas fjalës së Zotit.

13 Kështu u bashkua në Jerusalem një mori e madhe populli për të kremtuar të Pabrumet në muajin e dytë; u bë një tubim shumë i madh!

14 Atëherë u ngritën dhe i rrënuan lterët që ishin në Jerusalem; i shpartalluan edhe të gjithë lterët e kemimit dhe i hodhën në përroin Kedron.

15 I flijuan Pashkët në ditën e katërmbëdhjetë të muajit të dytë; priftërinjtë e levitët të hutuar, u pastruan dhe arritën t’i çonin flitë e shkrumbimit në Shtëpinë e Zotit.

16 I zunë vendet e veta sipas rregullores dhe ligjit të Moisiut, njeriut të Hyjit. Priftërinjtë e spërkatnin gjakun që e merrnin prej duarve të levitëve.

17 Meqenëse shumë prej popullit nuk ishin pastruar, atëherë levitët i flijonin theroret e të gjithë atyre që nuk ishin të pastruar për t’ia kushtuar Zotit.

18 Një pjesë shumë e madhe e popullit prej Efraimit, Manaseut, Isaharit e Zabulonit nuk ishin të pastruar dhe kështu i bënë Pashkët jo si është rregulli. Atëherë për ta u lut Ezekia: “Zoti i mirë pastë dhimbje

19 për të gjithë ata që e drejtuan zemrën e vet për ta kërkuar Zotin, Hyjin e etërve të vet, edhe pse pa pastërtinë e duhur për Shenjtërore”.

20 Zoti ia dëgjoi lutjen dhe pati dhimbje për popullin.

21 Kështu bijtë e Izraelit, që ndodhën në Jerusalem, e kremtuan festën e të Pabrumeve për shtatë ditë me gëzim të madh, e lavdëruan Zotin e çdo ditë levitët e priftërinjtë i jepnin lavdi Zotit me vegla muzikore.

22 Ezekia u dha zemër levitëve që kishin dëftuar një kuptim të gjerë për gjërat e Zotit; gjatë shtatë ditëve morën pjesë në kushtimin e flive të pajtimit duke e lavdëruar Zotin, Hyjin e etërve të tyre.

23 Mbarë kuvendi i dheut vendosi të kremtojë edhe shtatë ditë të tjera, çka edhe e bënë me gëzim të jashtëzakonshëm.

24 E njëmend Ezekia, mbreti i Judës, i kishte dhuruar bashkësisë një mijë mëzetër e shtatë mijë bagëti të imëta, ndërsa prijësit i kishin dhënë popullit një mijë mëzetër e dhjetë mijë dele; atëherë u shenjtëruan shumë priftërinj.

25 Kështu u gëzilirua mbarë tubimi i judenjve, qoftë priftërinjtë e levitët qoftë edhe të gjithë ata që erdhën prej Izraelit si dhe ardhacakët që erdhën prej Izraelit ose banonin në Judë.

26 U bë një gëzim i madh në Jerusalem si nuk kishte qenë që prejditëve të Salomonit, të birit të Davidit, mbretit të Izraelit, aty në qytet.

27 Atëherë u ngritën priftërinj e levitë për ta bekuar popullin. Zëri i tyre qe dëgjuar, arriti lutja e tyre në Banesën e Tij të shenjtë, në qiell.



Fjala e Zotit