< 2Kro 20 2Kro 22 >
Lexim prej librit të dytë të Kronikave(2Kro 21)
21

1 Jozafati pushoi me etërit e vet dhe qe varrosur me ta në Qytetin e Davidit. Në vend të tij u bë mbret Jorami, biri i tij.


2 Jorami ka pasur gjashtë vëllezër, bij të Jozafatit: Azarinë, Jahielin, Zakarinë, Azarinë, Mikaelin e Safatinë. Të gjithë këta ishin bijtë e Jozafatit, mbretit të Izraelit.

3 I ati i tyre u dha shumë dhurata në argjend dhe ar, gjëra të çmueshme dhe qytete të fortifikuara në Judë, kurse mbretërinë ia dha Joramit, sepse ky ishte i parëlinduri.

4 Jorami, si e mori në dorë mbretërinë e të atit dhe, pasi e përforcoi pushtetin, me shpatë i preu të gjithë vëllezërit e vet dhe disa prej prijësve të Izraelit.

5 Jorami ishte tridhjetë e dy vjeçar kur u bë mbret. Në Jerusalem mbretëroi tetë vjet.

6 Ndoqi udhën e mbretërve të Izraelit, siç kishte vepruar shtëpia e Akabit, sepse bija e Akabit ishte gruaja e tij. Ai bëri gjëra që janë të këqija para syve të Zotit.

7 Megjithatë Zoti nuk deshi ta zhdukte familjen e Davidit, për shkak të besës që e kishte lidhur me të dhe pse i kishte premtuar se do t’ia linte atij dhe bijve të tij një dritë të ndezur përgjithmonë.

8 Gjatë mbretërimit të tij Edomi u çua në kryengritje për të mos ndenjur nën sundimin e Judës dhe e vuri mbretin e vet.

9 Jorami, së bashku me prijësit e vet dhe me karrocat e luftës që ishin me të, e kaloi kufirin, u çua natën e i ra Edomit që e kishte rrethuar atë dhe të gjithë prijësit e karrocave të luftës, dhe i mundi.

10 Megjithatë Edomi u çua në kryengritje për të mos qenë nën sundimin e Judës dhe e fitoi pavarësinë që e ka edhe në ditën e sotme. Po në këtë kohë u shkëput nga dora e tij edhe Lobna, sepse Jorami e kishte lënë Zotin, Hyjin e etërve të vet.

11 Për më tepër ai ndërtoi edhe lartësira në malet e Judës, i bëri të lavirësojnë banorët e Jerusalemit e ta lërë Juda rrugën e Zotit.

12 Aso kohe i arriti një letër prej profetit Eli, në të cilën i shkruante: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Davidit, babait tënd: Pasi nuk ece udhëve të Jozafatit, babait tënd, as udhëve të Asës, mbretit të Judës,

13 por more rrugën e mbretërve të Izraelit dhe bëre të lavirësojë Juda e jerusalemasit duke e ndjekur lavirësinë e shtëpisë së Akabit e, pasi, për më tepër i vrave edhe vëllezërit e tu, bijtë e atit tënd, më të mirë se veten:

14 ja, Zoti do ta godasë me fatkeqësi të madhe popullin tënd, bijtë e gratë e tua dhe gjithë pasurinë tënde.

15 E ti do të sëmuresh me një sëmundje tepër të keqe barku, kështu që, dalëngadalë, për çdo ditë zorrët e tua do të dalin përjashta”.

16 Atëherë Zoti e zgjoi kundër Joramit shpirtin e armiqësisë të filistinëve e të arabëve që jetojnë afër etiopiasve.

17 Ata i ranë Judesë, e sulmuan dhe e rrëmbyen gjithë pasurinë që kishte pallati mbretëror, pastaj edhe bijtë e gratë e tija dhe s’i mbeti djalë tjetër, përveç Joakazit, që ishte djali më i vogël.

18 Pas kësaj Zoti e goditi me një sëmundje të pashërueshme barku.

19 Ditë pas dite, koha po shkonte e, në krye të dy vjetëve, kështu e shkriu sëmundja e gjatë deri sa i dolën zorrët dhe vdiq në dhembje të papërshkrueshme. Vdiq prej kësaj sëmundjeje të tmerrshme. Populli nuk i bëri djegie erërash të mira, siç u kishte bërë të parëve të tij.

20 Ishte tridhjetë e dy vjeçar kur u bë mbret dhe në Jerusalem mbretëroi për tetë vjet. Vdiq pa iu dhembsur askujt. E varrosën në Qytetin e Davidit, por jo në varrezat e mbretërve.



Fjala e Zotit