< 2Kro 18 2Kro 20 >
Lexim prej librit të dytë të Kronikave(2Kro 19)
19

1 Jozafati, mbreti i Judës, u kthye në shtëpi të vet në Jerusalem shëndosh e mirë.

2 Jehui vegimtar, biri i Hananiut, porsa e pa, i doli para e i tha: “Ti po i ndihmon të patenzonit, lidh miqësi me ata që e urrejnë Zotin që ta meritosh hidhërimin e Zotit!

3 Megjithatë u gjetën në ty disa vepra të mira, sepse ti i zhduke prej vendit banirët dhe e përgatite zemrën tënde për ta kërkuar Hyjin”.

4 Jozafati, pas një qëndrimi në Jerusalem, doli përsëri në mes të popullit prej Bersabesë deri në malet e Efraimit dhe e ktheu popullin kah Zoti, Hyji i etërve të vet.

5 I caktoi gjykatësit e vendit në të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës, në çdo qytet.

6 Të gjithë gjykatësve u urdhëroi: “Kujdes çfarë bëni! Sepse ju nuk e ushtroni gjyqin në emër të njerëzve, por në emër të Zotit që është me ju në ushtrimin e drejtësisë.

7 Kini frikën e Zotit e bëni gjithçka me urtësi! Te Zoti, Hyji ynë, s’ka dredhi! Ai nuk pranon përkrahje as dhurata”!

8 Po edhe në Jerusalem Jozafati i caktoi disa levitë, disa priftërinj dhe disa prej krerëve të vëllazërive të Izraelit, që ta ushtrojnë drejtësinë e Zotit në rast mosmarrëveshjesh në mes banorëve të Jerusalemit.

9 Edhe atyre u urdhëroi: “Ja si duhet të veproni: me frikën e Zotit, me besnikëri e me zemër të çiltër.

10 Çdo mosmarrëveshje ndërmjet vëllezërve tuaj që jetojnë në qytetet e veta e vjen para jush ‑ qoftë ajo çështje vrasjeje, ligji, urdhri, dokeje, përkujtoni të mos mëkatojnë kundër Zotit e që hidhërimi i tij të mos bjerë mbi ju e mbi vëllezërit tuaj. Veproni kështu e nuk do të mëkatoni!

11 Dhe ja, Amaria, prifti prijës, do të jetë në krye të të gjithë juve në ato çështje që kanë të bëjnë me Hyjin, kurse Zabadia, biri i Ismahelit që është prijësi i shtëpisë së Judës, do të kryesojë për të gjitha çështjet që i përkasin mbretit. Levitët do t’i keni pranë jush si shkrues. Zemër dhe nisjani punës! Zoti jua priftë mbarë”!



Fjala e Zotit