< 2Kro 17 2Kro 19 >
Lexim prej librit të dytë të Kronikave(2Kro 18)
18

1 Jozafati u bë shumë i pasur dhe i përmendur. Me Akabin lidhi krushqi.

2 Pas disa vitesh zbriti tek ai në Samari. Akabi preu për të e për përcjelljen e tij bagëti të imëta e të trasha me shumicë dhe ia mbushi mendjen të ngjitej bashkë me të në Ramot Galaad.

3 Akabi, mbreti i Izraelit, i tha Jozafatit, mbretit të Judës: “Eja me mua në Ramot Galaad”. Ai iu përgjigj: “Çka të ndodhë me ty, le të ndodhë edhe me mua; çka të ndodhë me popullin tënd, le të ndodhë edhe me timin: me ty do të vijmë në luftë”.

4 Pastaj Jozafati i tha mbretit të Izraelit: “Të lutem veç, këshillohu më parë me fjalën e Zotit”.

5 Mbreti i Izraelit i bashkoi atëherë katërqind profetë dhe i pyeti: “A të shkojmë në Ramot Galaad për të luftuar a të mos shkojmë”? Ata i përgjigjën: “Shko dhe Hyji do t’ia lëshojë mbretit në dorë”.

6 Por Jozafati tha: “Vallë, a nuk ka këtu edhe ndonjë tjetër profet të Zotit që ta kërkojmë edhe këshillën e tij”?

7 Mbreti i Izraelit iu përgjigj Jozafatit: “Po, është vetëm edhe një njeri, prej të cilit mund ta kërkojmë vullnetin e Zotit; por unë atë e urrej, sepse s’ma parakallëzon të mirën, por gjithmonë të keqen. Ai është Mikeja, biri i Jemlës”. Jozafati vijoi: “Mos fol kështu, o mbret”!

8 Atëherë mbreti i Izraelit thirri njërin prej oborrtarëve e i urdhëroi: “Thirre menjëherë Mikenë, birin e Jemlës”.

9 Ndërkaq mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbreti i Judës, rrinin të dy në fronet e veta të veshur me petka mbretërore. Po rrinin në lëmë përbri derës së Samarisë dhe të gjithë profetët profetizonin para tyre.

10 Sedecia, biri i Kanaanës, kishte punuar për vete brirë të hekurt e thoshte: “Kështu thotë Zoti: Me këta do t’i zhbordosh sirianët deri që t’i shfarosësh”!

11 Po edhe të gjithë profetët e tjerë profetizonin në këtë mënyrë e thoshin: “Shko në Ramot Galaad e do të fitosh. Zoti do t’i lëshojë në dorën e mbretit”.

12 Lajmëtari që kishte shkuar për ta thirrur Mikenë i tha: “Ja, fjalët e të gjithë profetëve njëzëri i lajmërojnë veç të mira mbretit, prandaj, po të lutem, që edhe fjala jote të jetë në përkim me të tyren e parakallëzoj sukses”.

13 Mikeja iu përgjigj: “Pasha Zotin e gjallë, do ta them vetëm atë që të ma ketë thënë Hyji”!

14 Kështu, pra, erdhi para mbretit, i cili e pyeti: “Miké, a na duhet të shkojmë në Ramot Galaad për të luftuar a të mos shkojmë”? Ai iu përgjigj: “Shkoni e do të keni sukses! Armiqtë do të bien në duart tuaja”.

15 Mbreti i tha: “Përsëri po të përbej të mos më thuash tjetër përveç të vërtetën në emër të Zotit”!

16 Atëherë ai i tha:

“E pashë mbarë Izraelin

të shpërndarë maleve

porsi delet pa bari!

Atëherë Zoti më tha:

‘Këta s’kanë zot shtëpie!

Secili le të kthehet në shtëpinë e vet në paqe’”.

17 Atëherë mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: “A nuk të thashë se ky nuk do të më parakallëzojë asgjë të mirë, por vetëm të keqen”?

18 Për këtë arsye Mikeja vazhdoi: “Dëgjojeni fjalën e Zotit: E pashë Zotin tek po rrinte mbi fronin e vet; mbarë ushtria qiellore qëndronte në të djathtën e në të majtën e tij.

19 Atëherë pyeti Zoti: Kush do ta mashtrojë Akabin, mbretin e Izraelit, që të shkojë e të sharrojë në Ramot Galaad? Meqenëse dikush thoshte kështu e dikush ashtu,

20 doli një shpirt dhe qëndroi para Zotit e tha: ‘Unë do ta mashtroj’! E Zoti e pyeti: ‘Në ç’mënyrë do ta mashtrosh’?

21 Ai iu përgjigj: ‘Do të dal e do të bëhem shpirt gënjeshtrues në gojën e të gjithë profetëve të tij’. Atëherë Zoti i tha: ‘Do ta mashtrosh e do të kesh sukses! Dil e bëj ashtu’!

22 Dije pra, se Zoti e ka vënë në gojën e të gjithë profetëve të tu shpirtin e gënjeshtrës, kurse në të vërtetë ta parakallëzon fatkeqësinë”.

23 Ndërkaq u afrua Sedecia, biri i Kanaanës, i ra shuplakë në faqe Mikesë e tha: “Cilës rrugë shpirti i Zotit doli prej meje për të folur ty”?

24 Mikeja tha: “Ti vetë do ta shohësh atë ditë, kur do të kalosh prej një vrimë në tjetrën për t’u fshehur”!

25 Atëherë mbreti i Izraelit dha urdhër: “Merreni Mikenë e çojeni tek Amoni, komandanti i qytetit e te Joasi, djali i mbretit,

26 e thoni: Mbreti urdhëron: Hidheni këtë njeri në burg e jepini vetëm nga pak bukë e ujë derisa unë të kthehem shëndosh e mirë”.

27 Mikeja i tha: “Nëse ti kthehesh shëndosh e mirë, atëherë Zoti nuk ka folur nëpër mua.” Dhe shtoi: “Mbajeni mend të gjithë, o popull”!

28 Kështu, pra, mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbreti i Judës, u nisën kundër Ramotit të Galaadit.

29 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: “Unë po i ndërroj petkat dhe do të hyj në luftë, kurse ti mbaji petkat mbretërore”. Mbreti i Izraelit i ndërroi petkat dhe hyri në luftë.

30 Mbreti i Sirisë u kishte urdhëruar prijësve të vet të karrocave të luftës e u kishte thënë: “Mos luftoni kundër të voglit as të madhit, por vetëm kundër mbretit të Izraelit”.

31 Kështu, pra, kur prijësit e karrocave e panë Jozafatin, menduan: “Ky është mbreti i Izraelit!”, dhe e rrethuan për t’iu sulur. Por Jozafati e thirri në ndihmë Zotin e Zoti i ndihmoi dhe Hyji i largoi ata prej tij.

32 Prijësit e karrocave kur panë se ai nuk ishte mbreti i Izraelit, e lanë.

33 Por ndodhi që një prej popullit gjuajti me shigjetë ashtu, pa ditur se kë e gjuan dhe e goditi mbretin e Izraelit mu në rrudhën ndërmjet brezit dhe pancirit. Atëherë mbreti i tha karrocierit të vet: “Silli kuajt e më nxirr nga lufta se jam plagosur”!

34 Luftimi atë ditë u bë përherë e më i ashpër dhe mbreti i Izraelit qëndroi në këmbë në karrocën e vet përballë sirianëve deri në mbrëmje. Në perëndim të diellit vdiq.



Fjala e Zotit