< 2Kro 15 2Kro 17 >
Lexim prej librit të dytë të Kronikave(2Kro 16)
16

1 Porse në vitin e tridhjetegjashtë të mbretërimit të Asës, Baasa, mbreti i Izraelit, e sulmoi Judenë. E rrethoi me mure Ramën që askush të mos mundë të hynte e të dilte në mbretërinë e Asës.

2 Atëherë Asa nxori prej thesarit të Shtëpisë së Zotit e të pallatit mbretëror argjend e ar dhe ia dërgoi Benadadit, mbretit të Sirisë, që banonte në Damask, me këtë porosi:

3 “Besabesë ndërmjet meje e teje siç ishte ndërmjet tim atit dhe babait tënd! Për këtë arsye po të dërgoj argjend e ar që ta këputësh besëlidhjen që e ke me Baasën, mbretin e Izraelit, për ta shtrënguar të më hiqet qafe”.

4 Benadadi e dëgjoi mbretin Asë dhe i dërgoi prijësit e ushtrive të veta në qytetet e Izraelit. Këta e goditën Ahionin, Danin, Abelmaimin dhe të gjitha qytetet drithnike të Neftaliut.

5 Kur e mori vesh këtë Baasa, pushoi së ndërtuari Ramën dhe i ndërpreu punimet e veta.

6 Atëherë mbreti Asa e bashkoi mbarë Judën, mori gurë e lëndë, me të cilët Baasa e kishte ndërtuar Ramën dhe me to e ndërtoi Gabanë dhe Masfën.

7 Në ato ditë tek mbreti i Judës Asa, shkoi Hananiu profet dhe i tha: “Pasi e mbështete besimin tënd në mbretin e Sirisë e jo në Zotin, Hyjin tënd, këndej edhe ushtria e Sirisë doli prej dorës sate.

8 Vallë, etiopët e libianët a nuk ishin ushtri e madhe me karroca lufte, me kalorësi e me shumë jashtëzakonisht të madhe, të cilët, pse e kishe vënë besimin në Zotin, a nuk i lëshoi në dorën tënde?

9 Sytë e Zotit vërejnë mbarë tokën dhe u japin fuqi atyre që me zemër të çiltër besojnë në Të. Prandaj në këtë rast ke vepruar si i marrë dhe prej tani do të ngrihen luftëra kundër teje”.

10 Atëherë Asa u hidhërua kundër profetit dhe urdhëroi të vihen në pranga, sepse u hidhërua në të për së forti për shkak të këtyre fjalëve. Aso kohe Asa mori masa të ashpra kundër një pjese të popullit.

11 Historia e Asës, prej fillimit e deri në mbarim, është e shkruar në Librin e Mbretërve të Judës e të Izraelit.

12 Asa në vitin e tridhjetenëntë të mbretërimit të vet u sëmur nga një lëngatë tejet e rëndë e këmbëve. As i sëmurë nuk e këroi Zotin, por më tepër e mbështeti besimin e vet në mjeshtrinë e mjekëve.

13 Asa fjeti me etërit e vet e, në vitin e dyzetenjëtë të mbretërimit të vet, vdiq.

14 E varrosën në varrin e tij që e kishte hapur për vete në Qytetin e Davidit. E vendosën mbi shtrat plot me erëra të mira dhe me vajëra të ndryshëm të përgatitur me mjeshtrinë e erëbërësit. Në salikimin e tij bënë një djegie të tillë të mrekullueshmeve.



Fjala e Zotit