< 2Kro 9 2Kro 11 >
Lexim prej librit të dytë të Kronikave(2Kro 10)
10

1 Roboami shkoi në Sikem, sepse atje ishte mbledhur mbarë Izraeli për ta bërë mbret.

2 Kur Jeroboami, biri i Nabatit, e kuptoi këtë ‑ ai ndodhej në Egjipit, ku kishte ikur atje prej frikës së Salomonit ‑ menjëherë u kthye.

3 E thirrën dhe ai shkoi bashkë me mbarë Izraelin. Populli i tubuar foli me Roboamin dhe i thanë:

4 “Yt atë na ka shtypur me një zgjedhë shumë të rëndë. Ti tani na e lehtëso barrën e shërbimit që na e ngarkoi yt atë dhe zgjedhën e rëndë që na e mbërtheu e ne do të të shërbejmë”.

5 Ai u përgjigj: “Ejani tek unë pas tri ditësh”.

Pasi u largua populli,

6 mbreti Roboam u këshillua me pleqtë, me të cilët këshillohej i ati i tij Salomoni kur ishte gjallë. I pyeti: “Ç’këshillë më jepni që t’i përgjigjem popullit”?

7 Ata i përgjigjën: “Nëse i pëlqen këtij populli dhe nëse i flet me fjalë të buta, do të të shërbejnë gjithmonë”.

8 Por ai e hodhi këshillën e pleqve dhe filloi të këshillohet me të rinjtë që ishin rritur me të dhe ishin përcjellja e tij.

9 Edhe atyre u tha: “Si e mendoni ju dhe çfarë përgjigje duhet t’i japim këtij populli që më tha: ‘Na e lehtëso zgjedhën që na e ngarkoi yt atë’”!

10 Të rinjtë që kishin qenë rritur me të i përgjigjën e i thanë: “Kështu thuaji popullit që të tha: ‘Yt atë na ngarkoi zgjedhë të rëndë, ti na e lehtëso’, përgjigju e thuaju: Gishti im i vogli do të jetë më i trashë se ija e tim eti.

11 Im atë ju ngarkoi zgjedhë të rëndë, por unë do t’jua shtoj barrën; im atë ju rrahi me frushkuj, kurse unë do t’ju rrah me frushkuj me plumba”.

12 Kështu, pra, Jeroboami dhe mbarë Izraeli dolën para Roboamit të tretën ditë siç u kishte urdhëruar mbreti kur u tha: “Ejani tek unë të tretën ditë”.

13 Mbreti u përgjigj me fjalë të rënda duke mos e përfillur këshillën e pleqve.

14 U foli sipas dëshirës së të rinjve:

“Im atë ju ngarkoi zgjedhë të rëndë

e unë atë do ta bëjë edhe më të rëndë.

Im atë ju rrahi me frushkuj,

kurse unë do t’ju rrah me frushkuj me krera gallomësh”.

15 Mbreti nuk i pranoi lutjet e popullit, sepse kështu ishte vullneti i Hyjit me qëllim që të plotësohej fjala e tij, të cilën ia tha me gojë të Ahisë nga Siloja Jeroboamit, birit të Nabatit.

16 Atëherë mbarë Izraeli, duke parë se mbreti s’donte t’i dëgjonte, i thanë mbretit:

“S’ kemi pjesë në Davidin

as farë trashëgimi në birin e Isait!

Kthehu, Izrael, në çadrat e tua!

Tani ti, David, kujdesu për shtëpinë tënde”!

Dhe Izraeli shkoi në çadrat e veta.

17 Roboami mbretëroi vetëm mbi ata bij të Izraelit që jetonin në qytetet e Judës.

18 Atëherë mbreti Roboam e dërgoi Aduramin, mbikëqyrësin e angarisë, por bijtë e Izraelit e vranë me gurë dhe vdiq, kurse mbreti Roboam me të shpejtë kërceu në karrocë dhe iku në Jerusalem.

19 Kështu Izraeli u nda nga Shtëpia e Davidit deri në ditën e sotme.



Fjala e Zotit