1 Prandaj vendosa në vetvete të mos vij prapë te ju me hidhërim.
2 Sepse, në qoftë se unë do t’ju trishtoj ju, kush do të më gëzojë mua, përveç ai që trishtohet prej meje?
3 Këndej edhe ju shkrova që, kur të vij, të mos ma prishin zemrën ata që duhet të më gëzojnë. E njëmend, jam i bindur për ju të gjithë, se gëzimi im është edhe gëzimi i të gjithë juve.
4 Prandaj ju shkrova në vështirësi të madhe e në ngushticë të zemrës e me shumë lot, jo për t’ju trishtuar, por që ta njihni dashurinë time tejet të madhe kundrejt jush.
Pali fal fyerjet
5 Nëse ndokush më ka trishtuar, nuk më ka trishtuar vetëm mua, por deri diku ‑ që të mos e teproj ‑ edhe ju të gjithë.
6 Mjaft është për atë njeri ndëshkimi që iu bë prej bashkësisë e prandaj,
7 më mirë faleni e ngushëllojeni, që trishtimi i tepërt të mos e bëjë atë të sharrojë.
8 Këndej ju bëj lutje, të dëftoni dashuri kundrejt tij,
9 e për këtë arsye edhe ju shkrova që ta shoh a jeni me të vërtetë njerëz të sprovuar, a jeni të dëgjueshëm në çdo gjë.
10 Kë të falni ju, e fal edhe unë; sepse edhe unë, nëse fala ndokënd, e fala për dashurinë tuaj ‑ para Krishtit
11 që të mos ngadhënjejë mbi ne djalli, sepse i dimë qëllimet e tij!
Shqetësimet dhe ngushëllimet e Palit
12 Kur arrita në Troadë për të predikuar Ungjillin e Krishtit, edhe pse Zoti ma hapi dy krahësh derën e apostullimit,
13 nuk munda të kem qetësi në shpirt, pasi nuk e gjeta Titin, vëllain tim; për këtë arsye u përshëndeta me ta e shkova në Maqedoni.
14 Por, faleminderit Hyjit, i cili na nderon përherë me fitore në saje të Krishtit dhe përmes nesh shpërndan në çdo vend erën e këndshme të dijes së vet.
15 E njëmend, ne jemi për Hyjin era e këndshme e Krishtit, për ata që shëlbohen e për ata që dënohen,
16 për njërën palë era e vdekjes që shpie në vdekje e për palën tjetër era e jetës që shpie në jetë. E kush është i aftë për një mision të tillë?
17 Në të vërtetë nuk jemi si shumë të tjerë që po bëjnë tregti me fjalën e Hyjit, por flasim me çiltëri si njerëz të dërguar prej Hyjit, para Hyjit në Krishtin.