1 Pali, apostulli i Krishtit Jezus për vullnet të Hyjit dhe vëllai Timote:
Kishës së Hyjit që është në Korint dhe të gjithë shenjtërve që janë në mbarë Akajën.
2 Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht.
Falënderimi i Palit për kryqat
3 Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i mëshirshëm dhe Hyji që jep çdo ngushëllim.
4
Ai na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona, që edhe ne të mund t’i ngushëllojmë të gjithë ata që gjenden në vështirësi, me atë ngushëllim, me të cilin Hyji na ngushëllon ne.
5 Dhe, vërtet, siç ndikohen pa masë në ne mundimet e Krishtit, po ashtu, nëpër Krishtin, edhe marrim ngushëllim pa masë të madh.
6 Nëse ne jemi të ngushtuar nga vështirësitë, kjo ndodh për ngushëllimin e për shëlbimin tuaj. Nëse jemi të ngushëlluar ‑ është për ngushëllimin tuaj ‑ i cili ju bën të zotët t’i duroni edhe ju ato vuajtje, që edhe ne i pësojmë.
7 Kështu shpresa jonë lidhur me ju është e palëkundshme: sepse e dimë se, pasi jeni pjesëtarë në vuajtje, do të jeni edhe në ngushëllim.
8 Pra, nuk dëshirojmë, o vëllezër, të mos e dini vështirësinë që na ndodhi në Azi. Kemi qenë në vështirësi përtej masës ‑ përmbi fuqitë tona ‑ aq sa e humbëm edhe shpresën se do të mbetnim gjallë.
9 Por në vetvete e pranuam vendimin e vdekjes, që shpresa jonë të mos themelohej më në ne, por vetëm në Hyjin, që ngjall të vdekurit.
10 Ai na shpëtoi prej asaj vdekjeje dhe do të na shpëtojë; në Të e kemi vënë shpresën, Ai edhe më tutje do të na shpëtojë.
11 Po edhe ju do të na ndihmoni me lutje për ne që kështu shumë njerëz ta falënderojnë Hyjin për dhuratën që na u dha me ndërmjetësimin e shumë vetëve.
Përse Pali e shtyu vizitën
12 Dhe ja, kjo është mburrja jonë: dëshmia e ndërgjegjes sonë se sjellja jonë në botë ‑ sidomos kundrejt jush ‑ ka qenë me shenjtëri dhe me çiltëri që vjen prej Hyjit e jo me dijeni njerëzore, por me hir të Hyjit.
13 Vërtet, ne nuk shkruajmë asgjë tjetër, përveç këtyre që po lexoni e po kuptoni. Shpresoj se do të na merrni vesh deri në fund,
14 sikurse edhe na patët marrë vesh deri diku: Ditën e Zotit Jezus ne do të jemi mburrja juaj sikurse edhe ju mburrja jonë.
15 Me këtë mbushmendje bëra plan të vij më së pari te ju e, që ta keni hirin e dyfishtë,
16 prej jush të kaloja në Maqedoni e përsëri, nga Maqedonia, të kthehesha te ju, që ju të më përcillni për në Jude.
17 Kur mora këtë vendim, a thua ndoshta qeshë mendjelehtë? Ose, çka synoj e synoj sipas mendimit njerëzor që të jetë në mua: “Po, po” njëheri edhe: “Jo, jo”?
18 Hyjin e kam dëshmitar: fjala jonë dhënë juve nuk është: Po, e jo!
19 Sepse, Biri i Hyjit, Jezu Krishti, të cilin ne jua shpallëm ‑ unë, Silvani e Timoteu ‑ nuk ka qenë “Po e jo”, por në Të ishte “Po!”
20 Dhe, për të vërtetë, të gjitha premtimet e Hyjit kanë gjetur në të “po”‑në e vet, e prandaj nëpër Të edhe mund të themi: “Amen”, në nderë të Hyjit.
21 Dhe Ai që na forcon në Krishtin, ne edhe ju dhe na shuguron me vaj të shenjtë është Hyji.
22 Ai gjithashtu na vulosi dhe na e dha në zemrat tona pengun ‑ Shpirtin Shenjt.
23 Unë e thërras Hyjin për dëshmitar: pasha shpirtin nuk erdha në Korint për arsye se desha t’ju kursej.
24 Ne nuk e përbuzim fenë tuaj, por jemi bashkëpunëtorë në gëzimin tuaj, sepse, për sa i përket fesë, ju qëndroni mirë.