1 Ata që janë nën zgjedhën e skllavërisë le t’i çmojnë zotërinjtë e vet të denjë për çdo nderim që të mos shahet Emri i Hyjit dhe Mësimi.
2 Ata që i kanë zotërinjtë besimtarë, mos t’i çmojnë më pak për shkak se janë vëllezër, por le t’u shërbejnë edhe më tepër pikërisht për arsye se ata që shërbehen prej tyre janë besimtarë dhe vëllezër të dashur.
Mësimet e rreme dhe pasuria e rreme
Këto gjëra mësoji dhe porositi!
3 Në qoftë se ndokush mëson ndryshe dhe nuk i ndjek fjalët e shëndosha të Zotit tonë Jezu Krishtit dhe mësimin që është në përkim me përshpirtërinë,
4 ai është i verbuar nga krenaria, asgjë nuk kupton, por vuan nga sëmundja e grindjes dhe e rragatjes rreth fjalësh. Nga kjo rrjedh smira, grindja, fjalët fyese, dyshimet e këqija,
5 ngatërresat e njerëzve të prishur në mend dhe që nuk janë në të vërtetën, që mendojnë se përshpirtëria është burim fitese.
6 Vërtet, përshpirtëria është dobi e madhe për atë që kënaqet me aq sa ka!
7 Sepse në këtë botë nuk sollëm asgjë me vete dhe prej saj asgjë nuk do të marrim me vete.
8 Këndej, në qoftë se kemi çka të hamë e të veshim, të jemi të kënaqur me kaq.
9 Ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në kurth dhe në shumë prirje të paarsyeshme dhe të dëmshme, të cilat i plandosin njerëzit në rrënim dhe në bjerrje.
10 Rrënja e të gjitha të këqijave, veç, është lakmimi i të hollave; për arsye të tij disa e lanë fenë dhe e munduan vetveten me shumë vuajtje.
Lufta e mirë për fe
11 Kurse ti, o njeriu i Hyjit, iku këtyre gjërave! Jepu me gjithë shpirt pas drejtësisë, përshpirtërisë, fesë, dashurisë, qëndresës, butësisë!
12 Lufto luftën e mirë të fesë, fitoje jetën e pasosur, në të cilën u thirre dhe për të cilën dhe një dëshmi të bukur para shumë dëshmitarëve!
13 [Të] Urdhëroj para Hyjit, që u jep jetë të gjitha gjërave, dhe para Krishtit Jezus që e dha atë dëshmi të bukur para Ponc Pilatit,
14 mbaje Urdhrin pa njolla dhe pa të meta deri në ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit,
15 që do të na e tregojë në kohën e caktuar Ai,
I Lumi dhe i Vetmi Sundimtar,
Mbreti i mbretërve dhe Zotëria i zotërinjve,
16 Ai që i vetmi e ka pavdekësinë,
që banon në dritën e paafrueshme,
të cilin asnjë njeri nuk e pa
dhe asnjë njeri s’mund ta shohë.
Atij i qoftë nderi dhe pushteti i amshueshëm!
Amen!
17 Atyre që në këtë shekullin e tashëm janë të pasur, urdhëroju të mos jenë krenarë dhe të mos e vënë shpresën e vet në pasurinë e pasigurt, por në Hyjin që na jep gjithçka me begati për ta gëzuar,
18 le të bëjnë mirë, le të pasurohen me vepra të mira, le të jenë dorëdhënë për të mirën e përbashkët,
19 duke grumbulluar kështu për vete kryegjë të mirë për të ardhmen që ta fitojnë jetën e vërtetë.
Porosia e fundit dhe përshëndetja
20 Ruaji, o Timote, të vërtetat e fesë që t’u besuan! Largohu prej përrallave boshe dhe prej kundërshtimeve të një dijeje të rreme,
21 që disa e rrëfyen dhe e borën fenë.
Hiri qoftë me ju!