1 Po të porosis, pra, më së pari le të bëhen
kërkesa, lutje, lutja, falënderim për të gjithë njerëzit,
2 për mbretër dhe për të gjithë ata që janë në pushtet, që ta kalojmë jetën të qetë e të kthjellët në përkushti të plotë dhe në mënyrë të denjë.
3 Kjo gjë është e mirë dhe e pëlqyeshme para Hyjit, Shëlbuesit tonë,
4 vullneti i të cilit është që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe ta arrijnë njohjen e së vërtetës.
5 Sepse,
Hyji është një i vetëm,
një i vetëm është edhe Ndërmjetësi mes Hyjit
e njerëzve:
Njeriu ‑ Jezu Krishti,
6 i cili e flijoi vetveten si shpërblim për të gjithë njerëzit.
Këtë dëshmi Ai e dha në kohën e caktuar.
7 Kësaj dëshmie unë iu bëra predikatar dhe apostull ‑ ju them të vërtetën, nuk gënjej ‑ mësues i fesë dhe i së vërtetës për paganët.
8 Dua, pra, që meshkujt në çdo vend të luten duke i lartësuar duart e pastra pa hidhërim dhe pa grindje.
9 Gjithashtu dua që (edhe) gratë, të veshura si ka hije, të stolisen me turpshmëri dhe me urti, jo me gërsheta, me ar, me perla dhe me petka luksi,
10 por, me vepra të mira, si u ka hije grave që i kushtohen përshpirtërisë.
11 Në kohën e mësimit gruaja le të dëgjojë në heshtje dhe me nënshtrim të plotë.
12 Nuk lejoj që gruaja të mësojë në Kishë, as të sundojë burrin, por ‑ të rrijë në qetësi.
13 Sepse i pari u krijua Adami, atëherë Eva.
14 Dhe nuk qe gënjyer Adami, por, gruaja e gënjyer, e theu urdhrin.
15 Dhe do të shëlbohet duke lindur fëmijë në qoftë se qëndron me urti në fe, në dashuri dhe në shenjtëri.