1 Pali, apostulli i Krishtit Jezus me
urdhër të Hyjit, Shëlbuesit tonë dhe të Krishtit Jezus, shpresës sonë:
2 Timoteut, birit të vërtetë në fe:
hir, mëshirë dhe paqe prej Hyjit Atë, dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë.
Qortim lidhur me mësimet e rreme
3 Sikurse të porosita kur u nisa për Maqedoni: zër vend në Efez për t’i urdhëruar disave disa të mos mësojnë mësime të tjera
4 dhe të mos merren me përralla dhe me gjenealogji të pakufishme që ndihmojnë më fort për diskutime të kota se sa për planin e Hyjit që realizohet në fe.
5 Qëllimi i këtij urdhri është dashuria që del nga zemra e pastër, nga ndërgjegjja e mirë dhe nga feja e çiltër.
6 Në këtë gjë disa e lanë rrugën dhe u sollën drejt mësimeve të fjalëve të kota.
7 Këta duan të jenë mësues të Ligjit e nuk kuptojnë as çka flasin as çka pohojnë.
8 Vërtet, ne e dimë se Ligji është i mirë kur ndokush e përdor si duhet,
9 i bindur për këtë se Ligji nuk është dhënë për njeriun e drejtë, por për të këqijtë, për të padëgjueshmit, për të mbrapshtët, për mëkatarët, për të pafetë, për blasfemuesit, për atëvrasësit, për mëmëvrasësit, për njerivrasësit,
10 për fëlligështarët, për homoseksualët, për tregtarët me njerëz, për gënjeshtarët, për beshtrembërit dhe për çdo vepër tjetër që është kundër mësimit të shëndoshë ‑
11 sipas Ungjillit të Lavdisë së Hyjit të lumtur, që më është besuar.
Falënderim për mëshirën e Krishtit
12 E falënderoj Atë që më dha fuqi ‑ Krishtin Jezus, Zotin tonë ‑ pse më çmoi të besueshëm duke më thirrur në shërbesë
13 mua, që më parë isha blasfemues, salvues, arrogant. Por gjeta mëshirë pse veproja prej padijes, larg nga besimi i vërtetë.
14 Dhe hiri i Zotit tonë qe pa masë i begatshëm bashkë me fe dhe me dashuri që është në Krishtin Jezus.
15 Kjo fjalë është e vërtetë dhe meriton të besohet prej të gjithëve: Krishti Jezus erdhi në botë për të shëlbuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari.
16 Ai pati mëshirë për mua me qëllim që në mua, më të parin, Jezu Krishti ta dëftojë tërë zemërgjerësinë e vet për t’u dhënë shembull të gjithë atyre që do të besojnë në Të për të fituar jetën e pasosur.
17 Dhe Mbretit të shekujve,
të Pavdekshmit,
të Papashmit,
Një të Vetmit Hyj
i qoftë nder e lavdi
në shekuj të shekujve.
Amen!
18 Po ta jap këtë detyrë, biri im Timote, në përkim me profecitë që dikur u thanë mbi ty: Ti, i mbështetur në to, lufto luftën e mirë!
19 Ruaje fenë dhe ndërgjegjen e mirë, që disa e flakën dhe përjetuan anijethyrjen në fe.
20 Ndër ta janë Himeneu dhe Aleksandri që i lashë në duart e Satanit me qëllim që të mësojnë të mos blasfemojnë.