< 1Sel 4 2Sel 1 >
Lexim prej letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve(1Sel 5)
5

1 Dhe për sa i përket kohës dhe momentit, vëllezër, as nuk është nevoja t’ju shkruaj,

2 sepse vetë e dini mirë se Dita e Zotit vjen pikërisht si vjen vjedhësi natën.

3 Ndërsa njerëzit do të thonë: “Ç’paqe dhe ç’siguri!”, pikërisht atëherë, porsi dhimbjet e lindjes së gruas shtatzënë, do të vijë papritmas mbi ta rrënimi dhe nuk do të mund të shpëtojnë.

4 Porse ju, o vëllezër, nuk jeni në terr që Dita e Zotit t’ju vijë me befasi porsi vjedhësi:

5 sepse ju të gjithë jeni bijtë e dritës e të ditës! Pra, nuk jemi të natës e të territ!

6 Atëherë të mos flemë si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të përkormë!

7 Sepse ata që flenë, flenë natën dhe ata që dehen, dehen natën,

8 ndërsa ne që jemi të ditës, të jemi të përkormë, të veshim për pancir fenë dhe dashurinë, kurse për përkrenare që na shpëton të vëmë shpresën!

9 Sepse Hyji nuk na ka caktuar për të qenë të ndëshkuar me drejtësinë hakmarrëse të tijën, por që ta fitojmë shpërblimin nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin,

10 i cili vdiq për ne që ‑ ende të gjallë ose të vdekur ‑ të jetojmë bashkë me Të.

11 Prandaj, ngushëlloni njëri‑tjetrin, ndërtoni njëri‑tjetrin, ashtu siç jeni duke bërë.

Qortimet dhe përshëndetjet e fundit

12 Ju bëjmë lutje, vëllezër, dëgjoni ata që veprojnë ndër ju, që kujdesen për ju në Zotin dhe që ju qortojnë;

13 çmojeni dhe nderojeni me dashuri për arsye të veprimtarisë që kryejnë ndër ju!

Jetoni në paqe me shoqi‑shoqin!

14 Ju nxisim, vëllezër, t’i qortoni ata që nuk jetojnë në rregull, jepuni zemër frikacakëve, ndihmojini të ligshtët, jini bujarë me të gjithë!

15 Kini mendjen që askush të mos ia kthejë askujt të keqen me të keqe, por gjithmonë bëni të përparojë e mira ndër ju dhe kundrejt gjithkujt!

16 Gëzohuni gjithmonë!

17 Lutuni pa pushim!

18 Për gjithçka falënderoni! Sepse, në lidhje me ju, ky është vullneti i Hyjit në Jezu Krishtin!

19 Mos e pengoni Shpirtin Shenjt që të veprojë në ju!

20 Profecitë mos i përbuzni!

21 Çdo gjë shqyrtojini me kujdes: mbani të mirën!

22 Çdo lloji të keqeje rrijini larg!

23 Dhe Hyji, burimi i paqes, ai ju shenjtëroftë krejtësisht, dhe e tërë qenia juaj ‑ shpirti, jeta dhe trupi ‑ u ruajtë e patëmetë dhe e përsosur për Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit!

24 Besnik është Ai që ju thërret: Ai do të bëjë ashtu!

25 Lutuni edhe për ne, o vëllezër!

26 Përshëndetni të gjithë vëllezërit me puthje të shenjtë!

27 Ju përbetoj me Zotin: kjo letër le t’ju lexohet të gjithë vëllezërve.

28 Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me ju!



Fjala e Zotit