1 Nga ana tjetër edhe ju vetë e dini mirë, o vëllezër, se ardhja jonë ndër ju nuk qe e kotë,
2 por, përkundrazi edhe pse, siç e dini, qemë të salvuar e të poshtëruar në Filipe, prapë morëm guxim, me ndihmën e Hyjit tonë, ta predikojmë Ungjillin e Hyjit ndër ju sadoqë me luftë të madhe.
3 Vërtet, predikimi ynë nuk vjen nga gabimi, as nuk ka qëllime të papastra, as nuk mbështetet në dinakëri,
4 por, sikurse Hyji vendosi të na e besojë Ungjillin, ashtu ne edhe e predikojmë; jo, sikurse të donim t’u pëlqejmë njerëzve, por Hyjit që i shqyrton zemrat tona.
5 Sepse, siç e dini mirë, askurrë nuk përdorëm fjalë përkëdhelëse dhe ‑ Hyjin e kemi dëshmitar ‑ as dëshirë të fshehtë të lakmimit të pasurisë.
6 Nuk kërkuam as lavdi prej njerëzve ‑ as prej jush as prej tjetërkujt ‑ edhe pse mundëm ta vëmë në pah autoritetin tonë si apostuj të Krishtit.
7 Përkundrazi qemë ndër ju të butë, porsi nëna që ushqen e kujdeset për fëmijët e vet.
8 Këndej, prej dashurisë që kemi për ju, ishim të gatshëm t’ju shpallim jo vetëm Ungjillin e Hyjit, por t’ju jepnim edhe jetën tonë, kaq ju kemi pasur për zemër.
9 Dhe vërtet, vëllezër, patjetër do t’ju bien ndër mend mundimi dhe vuajtjet tona: kemi punuar natë e ditë që të mos i bëheshim ndokujt barrë dhe ju predikuam Ungjillin e Hyjit.
10 Dëshmitarë ju kemi ju dhe Hyjin se me ç’mënyrë të shenjtë, të drejtë dhe të patëmetë jemi sjellë kundrejt jush, besimtarëve.
11 Dhe, siç e dini, secilin prej jush ‑ si babai fëmijët,
12 e kemi nxitur, i kemi dhënë zemër dhe e kemi përbetuar të jetojë në mënyrë të denjë për Hyjin që ju thërret në Mbretërinë e vet dhe në lumturi.
13 Prandaj edhe ne, prej anës sonë, pa pushim i falemi nderit Hyjit për ju që, kur e morët fjalën e Hyjit, të dëgjuar prej nesh e morët, jo porsi fjalë njerëzish, por pikërisht ashtu si në të vërtetë është ‑ porsi fjalën e Hyjit ‑ që vazhdimisht vepron në ju që besoni.
14 Në të vërtetë, o vëllezër, ju u përngjatë Kishave të Hyjit që janë në Jude në Krishtin Jezus, sepse edhe ju keni vuajtur prej bashkëvendasve tuaj atë që edhe ata e pësuan prej çifutëve.
15 Këta e vranë edhe Zotin Jezus dhe profetët. Na salvuan edhe ne. Ata nuk i pëlqejnë Hyjit. Janë armiq me të gjithë njerëzit l6 duke u munduar të na e ndalojnë ë predikojmë paganëve që ta fitojnë shëlbimin. Kështu çifutët në çdo kohë e mbushin masën e mëkateve të veta. Por tekembramja, ra mbi ta hidhërimi i Hyjit.
Dëshira e Palit të vizitojë përsëri Kishën
17 E ne, vëllezër, pasi u ndamë prej jush për pak kohë ‑ larg me sy e jo me zemër ‑ gjithnjë e më fort, prej dëshirës së madhe na mori malli të vijmë t’ju shohim.
18 Prandaj edhe deshëm të vijmë te ju ‑vetë, unë Pali, disa herë, por na pengoi satani.
19 Sepse, kush tjetër do të jetë shpresa jonë, gëzimi ynë, mburrja për kurorën tonë para Zotit tonë Jezus në Ditën e Ardhjes së tij ‑ po qe se nuk do të jeni edhe ju?
20 Jo, po, ju jeni nderi dhe gëzimi ynë!