< 1Sam 7 1Sam 9 >
Lexim prej librit të parë të Samuelit(1Sam 8)
8

1 Si u plak Samueli, i vuri bijtë e vet për gjyqtarë të Izraelit.

2 Djali i tij i madh quhej Joel e i dyti quhej Abia. Detyrën e gjyqtarit e ushtronin në Bersabé.

3 Porse bijtë e tij nuk shkonin udhëve të tija. Të prirur pas fitesës, merrnin dhurata dhe shtrembëronin të drejtën.

4 Atëherë u bashkuan të gjithë pleqtë e Izraelit e shkuan te Samueli në Ramë.

5 I thanë: “Ja, ti u plake e fëmijët e tu nuk ecin udhëve të tua. Tani pra, na cakto një mbret, siç e kanë të gjitha kombet e tjera, që të na gjykojë”.

6 Aspak nuk i pëlqeu Samuelit që i thanë: “Na cakto një mbret që të na gjykojë”. Por Samueli iu lut Zotit.

7 E Zoti i tha Samuelit: “Dëgjoje zërin e popullit për gjithçka që të thonë. Ata nuk të përbuzën ty, por më përbuzën mua që të mos sundoj mbi ta.

8 Po bëjnë me ty ashtu si kanë vepruar me mua që prej ditës që i nxora nga Egjipti deri në ditën e sotme ‑ më lanë mua e u shërbyen zotave të huaj.

9 Por tani dëgjoje zërin e tyre. Megjithatë assesi mos e lër pa ua sjellë ndër mend: mësojua të drejtën e mbretit që do të sundojë mbi ta”.

10 Popullit që i kishte kërkuar mbretin, Samueli ia tregoi të gjitha fjalët e Zotit.

11 U tha: “Ja e drejta e mbretit që do t’ju sundojë: bijtë tuaj do t’i marrë e do t’i vërë në karrocat e tija. Do t’i bëjë kalorës e do të vrapojnë para karrocave të tija.

12 Do të caktojë ja e ja. Do të lëvrojnë tokat e tija, do të korrin të mbjellat e tija. Do t’i bëjë mjeshtër për armë e për karroca të tija.

13 Po edhe vajzat tuaja do t’i marrë për t’i përgatitur erëra të mira, për t’i zier e për t’i pjekur atij bukë.

14 Do t’i marrë tokat tuaja më të mirat, vreshtat dhe ullishtat e do t’ua japë oborrtarëve të vet.

15 Ai do t’ju marrë edhe të dhjetat e të mbjellave tuaja, të prodhimit të vreshtave tuaja e do t’ua japë oborrtarëve dhe zyrtarëve të vet.

16 Do t’i marrë edhe shërbëtorët e shërbëtoret tuaja, qetë tuaj më të mirët dhe gomarët tuaj do t’i marrë për të punuar punën e tij.

17 Do të marrë të dhjetën e grigjave tuaja dhe ju do të bëheni skllevërit e tij.

18 Atë ditë do të kërkoni ndihmë për shkak të mbretit që vetë do ta keni zgjedhur, por më kot se atëherë Zoti nuk do t’ju vështrojë”.

19 Por populli nuk deshi t’ia dëgjonte fjalën Samuelit e i tha: “Assesi! Ne duam mbret!

20 Duam edhe ne të jemi si popujt e tjerë! Do të na gjykojë mbreti ynë, para nesh do të dalë në luftë e do t’i luftojë luftërat tona”!

21 Kur Samueli i dëgjoi të gjitha fjalët e popullit, të gjitha ia tregoi Zotit.

22 E Zoti i tha Samuelit: “Dëgjoje zërin e popullit dhe jepu mbretin”.

Atëherë Samueli u tha izraelitëve: “Le të shkojë secili në qytetin e vet”.



Fjala e Zotit