1 Atëherë Davidi u çua e shkoi. U ngrit edhe Jonatani e hyri në qytet.
2 Davidi shkoi te prifti Akimelek në Nob. Akimeleku, i shqetësuar, i doli para Davidit dhe i tha: “Pse erdhe ti vetëm dhe s’është askush me ty”?
3 Davidi iu përgjigj Akimelekut prift: “Mbreti më ka dhënë një punë për ta kryer e më ka thënë: ‘Askush të mos e dijë për çfarë të kam dërguar dhe ç’urdhra të kam dhënë’. Djelmoshave u kam thënë të më presin në një vend të caktuar.
4 Tashti, nëse të kanë qëlluar pesë bukë, m’i jep; ose ç’të ka qëlluar tjetër”.
5 Prifti iu përgjigj Davidit: “S’ më ka qëlluar bukë e rëndomtë, por vetëm bukë e kushtuar. A do të jenë të pastër djelmoshat, veçanërisht prej grave”?
6 Davidi iu përgjigj priftit e i tha: “Pa farë dyshimi! Për sa u përket grave, jemi përmbajtur dje e pardje. Kur u nisa për udhë vetja e djelmoshave ishte në gjendje të pastër. Edhe pse ky është një udhëtim i rëndomtë, aq më tepër sot djelmoshat janë në gjendje të pastër për nga trupi”.
7 Atëherë prifti i dha bukët e kushtuara. Vërtet, nuk i ndodhi tjetër bukë aty, përveç bukëve të paraqitjes që i kishte hequr prej pranisë së Zotit për të vënë bukë të nxehta.
8 Qëlloi aty atë ditë një prej shërbëtorëve të Saulit. Ishte ndalur para Zotit. Quhej Doeg Idumeu. Ishte kryetari i barinjve të Saulit.
9 Davidi i tha Akimelekut: “A mos të gjendet këtu për doresh ndonjë heshtë ose shpatë? Sepse, puna e mbretit duhej kryer me ngut e nuk mora me vete shpatën time as armët e mia”.
10 Prifti iu përgjigj: “Këtu kam shpatën e Goliatit, të atij filisteu që e preve ti në luginën e Terebintit. Është e mbështjellë në një pëlhurë pas shpinorit. Nëse do ta marrësh atë, merre, tjetër përveç saj këtu nuk ka”. Davidi i tha: “S’ka tjetër si ajo, ma jep”!
11 U ngrit, pra, Davidi e iku atë ditë larg prej Saulit. Shkoi tek Akisi, mbreti i Getit.
12 Oborrtarët e tij i thanë Akisit: “A nuk është ky Davidi, mbreti i tokës? A nuk i këndonin këtij në valle e i thoshin:
‘Sauli vrau me mijëra,
kurse Davidi me dhjetëra mijëra’”?
13 Davidi i nguli mirë në mend këto fjalë dhe ia kishte fort frikën Akisit, mbretit të Getit.
14 Atëherë Davidi u shtir si i marrë para tyre. Sillej si i dalë mendsh ndër sy të tyre: i binte derës sikur po i bie tupanit, linte t’i rridhte jarga nëpër mjekërr.
15 Atëherë Akisi u tha oborrtarëve të vet: “A po shihni se është njeri i marrë. Pse e prutë këtu tek unë?
16 A s’kemi mjaft të marrë që ma sollët këtu këtë që të më mërzisë me marrinë e vet? Një si ky duhet të hyjë në shtëpinë time”?