1 Zoti i tha Samuelit: “Deri kur do ta qash Saulin pasi unë e flaka tej që të mos mbretërojë mbi Izrael? Mbushe bririn tënd me vaj e eja të të çoj tek Isai betlehemas: sepse gjeta për vete mbretin ndër bijtë e tij”.
2 Samueli i tha: “Po si të shkoj? Do të dëgjojë Sauli e do të më vrasë”. E Zoti i tha: “Merre me vete një viçe e thuaj: ‘Erdha të flijoj për nder të Zotit’.
3 Thirre në fli Isain dhe atëherë unë do të të tregoj se çfarë të duhet të bësh. Pastaj lyeje atë që të të them unë”.
4 Samueli bëri siç i kishte urdhëruar Zoti dhe erdhi në Betlehem. Pleqtë e qytetit i kapi frika, i dolën para dhe i thanë: “A është e paqme hyrja jote”?
5 Ai u përgjigj: “E paqme. Erdha për t’i bërë kushtim Zotit. Shenjtërohuni dhe ejani me mua që të flijoj”. Pastaj shenjtëroi Isain dhe bijtë e tij dhe i grishi ata në fli.
6 Kur hynë, Samueli e pa Eliabin e tha: “S’ka dyshim se para Zotit është i shuguruari i tij”.
7 Por Zoti i tha Samuelit:”Mos e shiko fytyrën e tij dhe lartësinë e shtatit të tij, sepse e kam përjashtuar. Unë nuk gjykoj sipas pamjes së njerëzve: njeriu sheh çka duket përjashta, kurse Zoti vëren zemrën”.
8 Atëherë Isai thirri Abinadabin dhe e solli para Samuelit, i cili tha: “As këtë nuk e ka zgjedhur Zoti”.
9 Isai e solli Samën, për të cilin tha: “As këtë nuk e ka zgjedhur Zoti”.
10 Kështu Isai i solli shtatë djemtë e vet para Samuelit dhe Samueli i tha Isait: “Prej këtyre Zoti nuk ka zgjedhur asnjërin”.
11 Samueli i tha përsëri Isait: “A janë vetëm këta bijtë e tu”? Ai iu përgjigj: “Kam edhe një, më të voglin, është duke kullotur delet”. Samueli i tha Isait: “Ço e sille këtu! Nuk do ta shtrojmë bukën derisa të vijë ai këtu”.
12 Dërgoi pra, dhe e solli. Ishte kuqlosh, i bukur e i hijshëm nga pamja. Zoti i tha: “Çohu e lyeje, sepse ky është”.
13 Atëherë Samueli e mori bririn dhe e shuguroi mes vëllezërve të tij. Shpirti i Zotit e pushtoi Davidin prej asaj dite e më tutje. Samueli u ngrit e shkoi në Ramë.
14 Shpirti i Zotit ishte larguar prej Saulit dhe e trazonte një shpirt i keq i dërguar prej Zotit.
15 Atëherë shërbëtorët e tij i thanë Saulit: “Ti po sheh se po të mundon një shpirt i keq i dërguar prej Zotit.
16 Le të japë urdhër zotëria ynë, dhe shërbëtorët e tu, që janë pranë teje, do të kërkojnë një njeri që di t’i bjerë harpës, me qëllim që, kur të të pushtojë shpirti i keq i dërguar prej Hyjit, ai t’i bjerë harpës e ti do të bëhesh më mirë”.
17 Sauli u tha shërbëtorëve të vet: “Më gjeni një njeri që di t’i bjerë bukur harpës e ma sillni tek unë”.
18 Njëri prej shërbëtorëve iu përgjigj e tha: “Unë e kam parë njërin djalë të Isait betlehemas: ai di t’i bjerë harpës. Është burrë i fortë dhe trimaloç, gojëmbarë dhe burrë i pashëm. Dhe Zoti është me të”.
19 Kështu pra, Sauli dërgoi lajmëtarë tek Isai e i tha: “Dërgoje tek unë tët bir, Davidin, që merret me grigjën”.
20 Isai mori gomarin, ca bukë, një rrëshiq me verë dhe një edh dhe ia dërgoi Saulit me anë të Davidit, djalit të vet.
21 Davidi shkoi te Sauli dhe qëndroi para tij. Saulit i pëlqeu dhe e bëri armëmbajtës të vet.
22 Sauli dërgoi njerëzit tek Isai e i tha: “Le të qëndrojë Daviti tek unë, sepse po më pëlqen”.
23 Kështu, sa herë që e sulmonte shpirti i Hyjit Saulin, Davidi e merrte harpën e i binte dhe Sauli binte në qetësi, e ndiente veten më mirë: shpirti i keq largohej prej tij.