< 1Sam 13 1Sam 15 >
Lexim prej librit të parë të Samuelit(1Sam 14)
14

1 Një ditë Jonatani, biri i Saulit, po i thotë armëmbajtësit të vet: “Eja e të shkojmë te roja e filistenjve që e kemi këtu përballë”. Të atit nuk ia tregoi këtë gjë.

2 Sauli qëndronte në pjesën e skajme të Gabasë nën shegën që ishte në Magron. Me të ishin rreth gjashtëqind vetë prej popullit.

3 Akia, biri i Akitobit, i të vëllait të Ikabodit, të birit të Fineesit, që kishte lindur prej Heliut, priftit të Zotit, prej Silos, mbante efodin. Por as populli nuk e dinte se Jonatani kishte shkuar.

4 Përpjetës nëpër të cilën Jonatani mendonte të afrohej për ta sulmuar postën e filistenjve ishte nga një dhëmb qete në njërën anë dhe në tjetrën anë: njëri quhej Boses e tjetri Sene,

5 njëri shkëmb ishte në anën e veriut, në anën e Makmasit e tjetri në jug, përballë Gabasë.

6 Jonatani i tha djaloshit, armëmbajtësit të vet: “Eja të kalojmë te roja e këtyre rrethpaprerëve, sepse ndoshta Zoti do të bëjë ndonjë gjë për ne, sepse Zoti nuk e ka të vështirë të na shpëtojë si në qofshin shumë, si në qofshin pak”.

7 Armëmbajtësi i tij iu përgjigj: “Bëj gjithsi të të pëlqejë ty. Nisu ngado të dëshirosh, unë do të jem me ty gjithkund ku të duash”.

8 Jonatani i tha: “Ja, ne po kalojmë te këta njerëz. Nëse kur të na vënë re,

9 do të na thonë:’Prisni atje derisa të vijmë tek ju’, atëherë do të ndalemi aty ku do të ndodhemi e nuk do të ngjitemi tek ata;

10 e nëse do të thonë: ‘Ngjituni tek ne’, do të ngjitemi, sepse Zoti na i ka lëshuar në duar tona. Kjo do të jetë shenja jonë”.

11 Të dy dolën që të shihen nga roja e filistenjve. Filistenjtë thanë: “Ja, hebrenjtë po dalin prej shpellave ku ishin fshehur”.

12 Njerëzit e postës folën me Jonatanin e me armëmbajtësin e tij e thanë: “Ngjituni tek ne e do t’ju tregojmë diçka”. Jonatani i tha armëmbajtësit të vet: “Të ngjitemi! Eja pas meje, sepse Zoti i lëshoi në duar të Izraelit”!

13 U ngjit, pra, Jonatani duke u kacavarur me duar e me këmbë dhe armëmbajtësi i tij pas tij. Filistinët binin para Jonatanit e armëmbajtësi i tij i vriste pas duke ndjekur atë.

14 Dhe u bë kërdia e parë, në të cilën Jonatani e armëmbajtësi i tij vranë rreth njëzet vetë në një vend ‑ një gjysmë pendë qesh arë.

15 Atëherë u hap tmerri në fushim, në fushë. Një frikë e madhe kaploi edhe mbarë popullin nëpër postat e tyre dhe çetat që kishin dalë për të plaçkitur. Po edhe toka u trand dhe ishte një tmerr hyjnor që e kaploi vendin.

16 Po edhe vrojtuesit e Saulit që ishin në Gabanë e Beniaminit, vunë re se në fushim ushtria po lëvizte andej ‑ këndej e po ikte.

17 Atëherë Sauli i tha popullit që ishte me të: “Shikoni e hetoni kush është larguar prej nesh.” Kur shikuan, gjetën se nuk ishte aty Jonatani dhe armëmbajtësi i tij.

18 Atëherë Sauli i tha Akisë:”Merre shpinorin!” Sepse ai e mbante shpinorin ato ditë në praninë e bijve të Izraelit.

19 Ndërsa Sauli po bisedonte me priftin, po bëhej një pështjellim i madh në llogoret e filistenjve; shkonte dalëngadalë duke u rritur edhe zhurma bëhej më e qartë. Sauli i tha priftit: “Tërhiqe dorën”!

20 Atëherë Sauli dhe mbarë populli që ishte me të, u ngritën dhe shpejtuan në vendin e luftës. Kur, ç’të shikosh! Të gjithë kishin ngritur shpatën kundër njëri‑tjetrit! Ishte një pështjellim tejet i madh!

21 Madje edhe hebrenjtë, të cilët që më parë ishin në shërbim të filistenjve e kishin shkuar me ta në ushtri, edhe ata e lëshuan ushtrinë e u bashkuan me izraelitët që ishin me Saulin e me Jonatanin.

22 Gjithashtu edhe të gjithë izraelitët që ishin fshehur në malet e Efraimit, kur dëgjuan se kishin ikur filistenjtë, edhe ata u bashkuan me të vetët në luftë.

23 Zoti atë ditë e shpëtoi Izraelin. Lufta u shtri deri përtej Betavenit.

24 Izraelitët ishin të lodhur e të këputur atë ditë dhe Sauli kishte lëshuar këtë mallkim mbi mbarë popullin: “Qoftë mallkuar ai njeri që të hajë bukë deri në mbrëmje, derisa të hakmerrem kundër armiqve të mi”. Mbarë populli nuk hëngri bukë.

25 Mbarë populli arriti në një grykë mali pyjor, ku gjithkund nëpër tokë kishte fashoj mjalti.

26 Hyri, pra, populli në atë pyll dhe panë se si rridhte mjalti: por askush nuk e çoi dorën te goja, sepse populli e druante mallkimin.

27 Porse Jonatani nuk e kishte dëgjuar t’anë kur e kishte përberë popullin, shtriu majën e shkopit që kishte në dorë dhe e ngjeu në fashuall të mjaltit, atëherë e afroi dorën te goja dhe sytë e tij u bënë të qartë.

28 Atëherë dikush prej popullit i tha: “Me përbetim yt atë e shtrëngoi popullin e tha: ‘Qoftë mallkuar kush do të hajë sot! E pra, populli u mek”.

29 Jonatani tha: “Im atë po i sjell fatkeqësi vendit! A po shihni si më ndriçuan sytë pse kërkova një pikë kësi mjalti.

30 Ç’do të kishte ndodhur po të kishte ngrënë populli nga preja që i mori armikut sot?! A nuk do të ishte bërë një kërdi edhe më e madhe mbi filistinët”?

31 Atë ditë i vranë e bënë një emnesë mbi filistenj prej Makmasit e deri në Ajalon, porse populli u lodh e u këput.

32 Atëherë iu lëshua presë e të morën dele, lopë e viça e t’i prenë ashtu për tokë dhe populli e hëngri mishin me gjak.

33 E lajmëruan Saulin e i thanë: “Ku e le, se populli po ha me gjak! Po mëkaton kundër Zotit”!

Ai tha: “E lëshuat rrugën! Ma rrokullisni atë gur të madh këtu”!

34 E shtoi: “Hyni në popull e thoniu le të bjerë secili kaun ose dashin e vet dhe le ta presë këtu mbi gur e hani dhe mos mëkatoni kundër Zotit duke ngrënë mish me gjak”. Atëherë të gjithë prej popullit sollën çka u ishte gjendur për doresh atë mbrëmje dhe i prenë aty.

35 Sauli ndërtoi një lter për nder të Zotit. Ishte hera e parë që filloi të ndërtojë lter për nder të Zotit.

36 Atëherë Sauli tha: “Të sulemi kundër filistenjve sonte e të çetojmë deri në mëngjes dhe të mos lëmë asnjë mashkull gjallë”! Populli iu përgjigj: “Bëj gjithsi të duket se është mirë”! Prifti tha: “Të afrohemi këtu tek Hyji”.

37 Sauli kërkoi këshillë prej Hyjit: “A ta ndjek Filisteun? A do t’i lëshosh në duar të izraelitëve”? Por atë ditë Hyji nuk iu përgjigj.

38 Sauli urdhëroi: “Le të vijnë këtu të gjithë prijësit e popullit! Le të shqyrtohet dhe le të shihet për faj të kujt ndodhi sot ky mëkat.

39 Pasha Zotin e gjallë, Shpëtimtarin e Izraelit, në qoftë se e ka bërë edhe Jonatani, im bir, patjetër do të vdesë”! Askush prej popullit nuk deshi t’i përgjigjej Saulit.

40 Atëherë Sauli i tha mbarë Izraelit: “Dilni ju në njërën anë dhe unë e Jonatani, im bir, në anën tjetër.” Populli iu përgjigj Saulit: “Bëj si të duket se është mirë”!

41 Sauli iu lut Zotit, Hyjit të Izraelit: “Pse nuk iu përgjigje sot shërbëtorit tënd? Nëse faji është në mua ose në Jonatanin, djalin tim, o Zot, Hyji i Izraelit, jep Urim; por, nëse ky faj është në popullin tënd, Izraelin, jep Tummim”. Doli që faji ishte në Jonatanin e në Saulin, kurse populli doli i lirë.

42 Sauli tha: “Qiteni shortin ndërmjet meje e Jonatanit, djalit tim”. Shorti ra mbi Jonatanin.

43 Atëherë Sauli i tha Jonatanit: “Më trego ç’ke bërë”. Jonatani i tregoi e tha: “Me majën e shkopit që kisha në dorë kam kërkuar ca pika mjaltë. Tani jam gati të vdes”!

44 E Sauli vazhdoi: “Mua Zoti ma qoftë këtë të keqe e shtoftë edhe më të mëdha, nëse s’do të vritesh, o Jonatan”!

45 Populli i tha Saulit: “Pra, u dashka të vdesë Jonatani që i solli Izraelit këtë fitore të madhe!? Do të ishte turp e faqe e zezë! Pasha Zotin, fije floku prej kresë së tij s’do të bjerë në tokë, sepse sot Hyji ka vepruar me të”!

Kështu populli e shpëtoi Jonatanin prej vdekjes.

46 Sauli u tërhoq dhe nuk i ndoqi filistenjtë. Filistenjtë u kthyen në vendin e vet.

47 Sauli, si e përforcoi mbretërinë mbi Izraelin, vazhdoi të luftonte kundër të gjithë armiqve të tij që ishin përreth. Kundër Moabit, bijve të Amonit, të Edomit, kundër mbretit të Sobës e kundër filistinëve, dhe kundër kujtdo që mësynte, ngadhënjente.

48 Luftoi si burrat dhe e goditi Amalekun e shpëtoi Izraelin prej duarve të atyre që e cubnonin.

49 Sauli kishte djem: Jonatanin, Jesujin e Melkisuën. Dy vajzat e tij quheshin: e madhja Merobë e vogla Mikolë.

50 Gruaja e Saulit quhej Akinoamë. Ishte e bija e Akimaasit. Emri i prijësit të ushtrisë së tij Abner. Ishte i biri i Nerit, ungjit të Saulit.

51 Sepse Cisi, babai i Saulit dhe Neri, babai i Abnerit, qenë bijtë e Abielit.

52 Gjatë krejt jetës së Saulit u bë luftë e ashpër kundër filistenjve. Sauli këdo shihte të ishte burrë i fortë e luftëtar i zoti, e merrte në ndjekësorinë e vet.



Fjala e Zotit