< 1Sam 11 1Sam 13 >
Lexim prej librit të parë të Samuelit(1Sam 12)
12

1 Atëherë Samueli i tha mbarë Izraelit: “Ja, jua dëgjova fjalët tuaja dhe gjithë ç’kërkuat prej meje, jua vura mbretin.

2 Që tani para jush do të shkojë mbreti. Unë tashmë jam plakur e thinjur dhe djemtë e mi tani janë me ju. Unë ju kam prirë që nga rinia ime e deri tani.

3 Ja, këtu jam para jush: dëshmoni para Zotit e para të shuguruarit të tij: a i kam marrë kujt ndonjë ka ose gomar, a i kam mbetur kujt në qafë, a kam shtypur ndokënd, a kam marrë prej ndokujt ndonjë dhuratë për t’i mbyllur sytë e mi lidhur me çështjen e tij: jam i gatshëm të përgjigjem”.

4 Ata u përgjigjën: “As s’na ke mbetur në qafë, as s’ke shtypur ndokënd, as s’ke marrë prej kujt dhurata”.

5 E shtoi: “Dëshmitar është Zoti kundër jush e dëshmitar është i shuguruari i tij se nuk keni gjetur gjë në dorën time ditën e sotme”? Ata u përgjigjën: “Ashtu është”!

6 Samueli shtoi e i tha popullit: “Dëshmitar është Zoti, që i përdori Moisiun e Aronin e i nxori etërit tanë prej Egjiptit.

7 Tani qëndroni e dëgjoni t’jua përkujtoj para Zotit të gjitha mëshirat e Zotit që i kreu për ju e për etërit tuaj:

8 si hyri Jakobi në Egjipt e egjiptianët i shtypën. Etërit tuaj i lëshuan kushtrimin e Zotit e Zoti dërgoi Moisiun e Aronin dhe i nxori etërit tuaj nga Egjipti dhe i vendosi në këtë vend.

9 Ata e harruan Zotin, Hyjin e vet, dhe ai i lëshoi në dorë të Sisarës, prijësit të ushtrisë së Asorit. Pastaj në duar të filistenjve e në dorë të mbretit të Moabit, të cilët luftuan kundër tyre.

10 Pastaj i bënë kushtrimin Zotit e thanë: ‘Mëkatuam që e lamë Zotin dhe u shërbyem baalëve dhe astarotëve e Tani na shpëto prej duarve të armiqve tanë e do të të shërbejmë vetëm ty”.

11 E Zoti dërgoi Jerobbaalin dhe Barakun, Jefteun e Samuelin dhe ju shpëtoi prej duarve të armiqve tuaj përreth dhe jetuat në qetësi.

12 Por, kur patë se Naasi, mbreti i bijve të Amonit, po vjen kundër jush, ju më thatë:’Jo, mbreti duhet të sundojë mbi ne!’, e pra, Zoti, Hyji juaj, sundonte mbi ju.

13 Tani, pra, këtu tek është mbreti juaj, që e zgjodhët dhe e kërkuat: ja, pra, Zoti jua dha mbretin.

14 Nëse do ta druani Zotin e nëse do t’i shërbeni, nëse do ta dëgjoni zërin e tij dhe nëse nuk do ta përbuzni fjalën e Zotit, atëherë po do ta ndiqni ju dhe mbreti që mbi ju mbretëron, Zotin, Hyjin tuaj.

15 Por, nëse nuk do ta dëgjoni zërin e Zotit, por do ta përbuzni fjalën e Zotit, dora e Zotit do të jetë mbi ju e mbi mbretin tuaj për t’jua humbur farën.

16 Por edhe tani zini vend e vëreni mirë një shenjë të madhe që do ta bëjë Zoti para syve tuaj.

17 Pse, a nuk është sot korrja e grurit? Unë do ta thërras Zotin e ai do të çojë bubullimë e shira, dhe do të shihni se bëtë një të keqe të madhe para syve të Zotit kur kërkuat për vete mbret.

18 Atëherë Samueli iu lut Zotit e Zoti çoi bubullimë e shi po atë ditë.

19 Popullin e kapi frikë tejet e madhe e Zotit dhe e Samuelit dhe mbarë populli i tha Samuelit: “Lutiu për shërbëtorët e tu Zotit, Hyjit tënd, që të mos vdesim. Të gjitha mëkateve tona ua shtuam edhe këtë të keqe që kërkuam për ne mbretin”.

20 Por Samueli i tha popullit: “Mos kini frikë”! Vërtet, që ju i bëtë të gjitha këto të këqija, por megjithatë, tashmë mos u largoni prej Zotit e shërbejini Zotit me gjithë zemrën tuaj

21 dhe mos shkoni pas idhujve të kotë, të cilët nuk do t’ju ndihmojnë as nuk do të mund t’ju shpëtojnë, sepse janë të kotë.

22 Me siguri Zoti nuk do ta lëshojë dore popullin e vet për nder të emrit të vet të madhërueshëm, sepse ai vetë u denjua t’ju bëjë popull të vetin.

23 E qoftë larg meje të mëkatoj kundër Zotit që të pushoj të lutem për ju e të mos jua mësoj rrugën e mirë e të drejtë.

24 Prandaj, druani Zotin dhe shërbejini atij me besnikëri e me gjithë shpirt, sepse i patë veprat e madhërishme që i kreu në mesin tuaj!

25 Por, përkundrazi, nëse do të qëndroni duke bërë keq, ju, dhe me ju së bashku mbreti juaj, do të sharroni”.



Fjala e Zotit