1 Ishte një njeri prej Ramataimit, një Sufaj, prej Malësisë së Efraimit. Quhej Elkanë. Ishte i biri i Jerohamit, të birit të Eliuhut, të birit të Trohuit, të birit të Sufit, nga Efrata.
2 Ky kishte dy gra. Njëra quhej Anë, e tjetra Fenenë. Fenena kishte fëmijë, kurse Ana nuk kishte.
3 Ky njeri shkonte për çdo vit prej qytetit të vet në Silo për të adhuruar e për t’i kushtuar fli Zotit të gjithëpushtetshëm. Atje ishin priftërinj të Zotit dy bijtë e Heliut, Ofniu dhe Fineesi.
4 Erdhi, pra, dita dhe Elkana kushtoi flinë. E kishte zakon t’u jepte pjesë gruas së vet Fenenës dhe bijve e bijave e të saja,
5 kurse Anës i jepte vetëm një pjesë, por të zgjedhur, sepse Anën e donte, megjithëse Zoti e kishte bërë beronjë.
6 Në anën tjetër, edhe ja e saj nuk pushonte së ngacmuari e ia zinte shpirtin ngjak dhe ia kishte prurë punën shumë ngushtë duke e trazuar sepse Zoti e kishte lënë beronjë.
7 Kështu bënte për çdo vit kur vinte koha që të shkonin në tempullin e Zotit: Fenena e lëndonte me fjalë.
Kështu Ana nisi të qajë e s’deshi të hante.
8 Atëherë Elkana, burri i saj, i tha: “Anë, pse po qan e nuk ha? Përse po vuan në zemrën tënde? Pse, a nuk jam unë më i mirë për ty se t’i kishe dhjetë djem”.
9 Ana, pasi hëngrën e pinë në Silo, u ngrit. Prifti Heli po rrinte në ndenjësen e vet në derë të Tempullit të Zotit.
10 Ana, ashtu me shpirt plotë dhembje, iu lut Zotit duke derdhur shumë lot
11 dhe iu kushtua Zotit me këto fjalë: “O Zot i gjithësisë, nëse priresh prej shërbëtores sate e shikon vuajtjen time dhe nëse të bie ndër mend për mua, mos e harro shërbëtoren tënde e fali shërbëtores sate një djalë. Unë atë do t’ia kushtoj Zotit për të gjitha ditët e jetës së tij dhe brisk rroje nuk do të kalojë përmbi kokën e tij”.
12 Ndërsa ajo po e zgjaste lutjen e vet para Zotit, Heliu e shikonte gojën e saj.
13 Porse Ana fliste në zemrën e vet, luante vetëm buzët e zëri nuk i dëgjohej fare. Kështu Heliu mendoi se ishte e dehur
14 dhe i tha: “Deri kur do të mbetesh e dehur? Bluaje pak verën me të cilën je ngopur”!
15 Ana iu përgjigj: “Jo, imzot, s’është ashtu fare! Unë jam një grua tejet e mjerë! Verë as kurrfarë pijeje që mund të dehë, nuk kam pirë, por zbraza zemrën time para Zotit.
16 Mos e mba shërbëtoren tënde për grua të keqe, sepse u luta kaq gjatë për shkak të mjerimit të madh e trishtimit që kam”.
17 Atëherë Heliu i tha: “Shko në paqe dhe Hyji i Izraelit ta plotësoftë kërkesën që i bëre”.
18 E ajo tha: “Oh, sikur shërbëtorja jote të gjente hir para syve të tu”! Gruaja shkoi në punë të vet, hëngri dhe fytyra e saj nuk qe më si më parë.
19 Të nesërmen në mëngjes u ngritën e, pasi bënë adhurimin para Zotit, u kthyen e erdhën në shtëpinë e vet në Ramë. Elkana e njohu Anën, gruan e vet, e Zotit i ra ndër mend për të.
20 Kështu brenda vitit Ana mbeti shtatzënë e lindi një djalë dhe ia ngjiti emrin Samuel, sepse ia kishte lypur me lutje Zotit.
21 Elkana me mbarë familjen e vet shkoi për t’i kushtuar Zotit flinë vjetore dhe për ta kryer kushtin e vet.
22 Ana nuk shkoi. Ajo i tha burrit të vet: “Unë nuk do të vij derisa të vijë koha ta ndaj djalin prej gjiri. Atëherë do ta paraqes te Zoti dhe do ta lë aty përgjithmonë”.
23 Elkana, burri i saj, i tha: “Bëj si të ta marrë mendja se është mirë. Mos eja derisa ta ndash djalin prej gjiri. Unë i lutem Zotit që ta çojë në vend fjalën e vet”.
Gruaja qëndroi, pra, në shtëpi derisa e ndau djalin prej gjiri.
24 Pasi e ndau nga gjiri, mori me vete djalin, një mëzat tre vjetësh, dy koshiqe miell e një rrëshiq me verë dhe e çoi djalin në Silo në Shtëpinë e Zotit. Fëmija ishte ende shumë i njomë.
25 E flijuan mëzatin dhe djalin e paraqitën te Heliu.
26 Atëherë Ana i tha: “Më dëgjo, imzot. Pasha jetën tënde, unë jam ajo gruaja që pati qëndruar këtu pranë teje duke iu lutur Zotit.
27 U luta për këtë fëmijë dhe Zoti ma plotësoi lutjen time për çka iu luta.