< 1Pjt 4 2Pjt 1 >
Lexim prej letrës së parë të Shën Pjetrit apostull(1Pjt 5)
5

1 Eprorëve, pra, që janë tek ju u jap vërejtje unë, epror edhe vetë bashkë me ta, dëshmitar i mundimeve të Krishtit dhe pjesëtar i Lavdisë që do të zbulohet:

2 ruajeni grigjën e Hyjit që ju është lënë në kujdes, mbikëqyreni jo përdhuni, por vullnetarisht, si do Hyji; jo për hir të fitesës së ndytë, por me shpirt gatishmërie,

3 jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por si shembull i grigjës. 4 E kur të shfaqet Kryebariu, do të merrni kurorën e lavdisë, që kurrë nuk vyshket.

5 Gjithashtu edhe ju të rinj, dëgjojini eprorët. Dhe të gjithë së bashku, në marrëdhënie me njëri-tjetrin, vishuni me përvujtëri, sepse: »Hyji u kundërshton madhështorëve, kurse të përvuajturve u jep hirin«.

6 Përkundrazi, pra, nën të pushtetshmen dorën e Hyjit, që në kohën e duhur t’iu lartësojë.

7 Lërini në dorën e tij të gjitha kujdeset tuaja, sepse Ai kujdeset për ju!

8 Jini të përkormë dhe rrini zgjuar! Armiku juaj, djalli, porsi luan ulëritës, endet këndej dhe andej duke kërkuar (kë) të përpijë.

9 Të fortë në fe kundërshtoni duke e ditur se po të njëjtat vuajtje i pësojnë vëllezërit tuaj në fe të shpërndarë nëpër botë.

10 Hyji, burimi i çdo hiri, i cili ju grishi në lumturinë e vet të amshur në Jezu Krishtin. Ai, pasi të vuani për pak kohë, do t’iu përsosë, do t’iu përforcojë, do t’iu japë fuqi dhe do t’iu bëjë të patrandshëm.

11 Ai sundoftë në shekuj të shekujve. Amen!

12 Po ju shkruaj shkurtimisht me ndihmën e Silvanit, të cilin e çmoj vëlla besnik, që t’iu përkujtoj dhe t’iu dëshmoj se ky është hiri i vërtetë i Hyjit. Qëndroni në të!

13 Ju bën të fala Kisha e të zgjedhurve që është në Babiloni, si edhe im bir, Marku.

14 Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje vëllazërore!

Paqja me të gjithë ju që jeni në Krishtin!



Fjala e Zotit