1 Flakni, pra, larg jush, çdo lloj të keqeje, çdo tradhti dhe hipokrizi, smirë dhe shpifje!
2 Porsi foshnjat posa të lindura dëshironi qumështin shpirtëror të pastër, që me anë të tij të rriteni në shëlbim
3 në qoftë se vërtet »e keni sprovuar se Zoti është i mirë«.
4 Afrohuni Atij - Gurit të gjallë, njëmend të përbuzur prej njerëzve, por të zgjedhur dhe të çmueshëm para Hyjit,
5 që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni Shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin.
6 Këndej thuhet në Shkrimin e shenjtë: »Ja, po vë në Sion një gur këndi, të zgjedhur, të çmueshëm: kush beson në Të, jo, nuk do të mbetet i turpëruar!«
7 Për ju, pra, që besoni - nder; kurse për ata që nuk besojnë - guri që përbuzën ndërtuesit, dhe Ai u bë gur i këndit«.
8 E: »Gur në të cilin zihet në thua, buzë shkëmbi nga thyhet qafa«. Ata zënë në thua sepse nuk e dëgjojnë predikimin e Ungjillit, për çka edhe janë të caktuar.
9 Porse ju jeni: »Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull të cilin Hyji e fitoi për vete, për t’i shpallur veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.
10 Ju që dikur nuk ishit Popull e tani jeni Popull i Hyjit, ju që dikur ishit të përjashtuar nga mëshira, e që tani e keni fituar mëshirën.
Jeta e shërbëtorëve të Hyjit
11 Fort të dashur, ju lutem që, si të huaj dhe si shtegtarë t’u ruheni lakmimeve të mishit dhe të gjakut, të cilat bëjnë luftë kundër shpirtit.
12 Sjellja juaj mes paganëve të jetë shembullore që, pikërisht për ato gjëra në të cilat ju shpifen si të ishit keqbërës, kur t’i shohin veprat tuaja të mira, t’i japin lavdi Hyjit në Ditën e Ardhjes së tij.
13 Nënshtrohuni çdo pushteti njerëzor për arsye të Zotit: qoftë mbretit - porsi sundimtarit më të epërm -
14 qoftë edhe qeveritarëve, si të dërguarve të tij për të ndëshkuar keqbërësit e për të lavdëruar ata që bëjnë mirë.
15 Sepse ky është vullneti i Hyjit: duke bërë mirë t’ia mbyllni gojën padijes së njerëzve të pamendë.
16 Porsi njerëz të lirë - por jo si ata që lirinë e kanë si mbulesë të veprave të këqija, por si shërbëtorë të Hyjit -
17 nderojeni çdokënd, duajeni vëllazërinë, duajeni Hyjin, nderojeni mbretin!
Shembulli i Krishtit pësues
18 Shërbëtorë, nënshtrohuni me plot frikë zotërinjve tuaj, jo vetëm të mirëve e të butëve, por edhe të mbrapshtëve.
19 Sepse vërtet është hir, kur ndokush për shkak të ndërgjegjes - për dashuri të Hyjit pëson vështirësi duke vuajtur padrejtësisht.
20 Por, çfarë lumturie veç, në qoftë se të ndëshkuar pse mëkatuat, jeni të durueshëm? Porse, është krejtësisht ndryshe, nëse, duke bërë mirë pësoni dhe me duresë i mbartni të vështirat: kjo është hir para Hyjit.
21 Përnjëmend për këtë edhe qetë thirrur; sepse edhe Krishti pësoi për ju duke ju lënë shembullin që edhe ju t’i ndiqni gjurmët e tij:
22 Ai që mëkat nuk bëri dhe në buzët e tij nuk u gjet gënjim,
23 Ai që i fyer, nuk hakmerrej me fyerje dhe, i salvuar, nuk kërcënohej, por ia linte çështjen e vet Atij që gjykon me drejtësi.
24 Ai në trupin e vet i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona, që, të vdekur për mëkate, të jetojmë për drejtësi: me plagat e të cilit jeni shëruar.
25 Ishit po, si delet e humbura, por tani u kthyet te Bariu e Rojësi i shpritrave tuaj.