1 Kur Salomoni kreu së ndërtuari Shtëpinë e Zotit, shtëpinë e mbretit e, pasi kreu së ndërtuari gjithçka kishte synuar të ndërtonte,
2 iu dëftua Zoti për së dyti, siç i ishte dëftuar në Gabaon.
3 E Zoti tha:
“Ta kam vështruar lutjen e kërkesën tënde që më ke drejtuar. E kam shuguruar Shtëpinë që ke ndërtuar për banesë të përhershme të Emrit tim. Sytë e mi dhe zemra ime do të jenë aty përgjithmonë.
4 Po edhe ti, nëse do të ecësh para meje, siç eci yt atë, Davidi, në thjeshtësi të zemrës e në drejtësi dhe, nëse do t’ i zbatosh të gjitha ato që ti kam urdhëruar dhe, nëse do t’i mbash ligjet e mia dhe urdhërimet e mia,
5 unë do ta mbaj fronin e mbretërisë sate përgjith‑ monë mbi Izrael, sikurse i kam premtuar atit twnd, Davidit, kur i kam thënë: ‘Kurrë nuk do të mungojë në fronin e Izraelit një ndër pasardhësit e tu’.
6 Por, në qoftë se më lini ju dhe bijtë tuaj duke mos me ndjekur dhe duke mos i mbajtur urdhërimet e mia e ligjet e mia, që jua kam urdhëruar, por do të shkoni e do t’i nderoni hyjnitë e tjera dhe do t’i adhuroni ato,
7 do të bëj të zhduket Izraeli prej sipërfaqes së tokës, që jua kam dhënë; po edhe Tempullin që e shugurova për nder të Emrit tim, do ta flak prej pranisë sime dhe Izraeli do të bëhet një emnesë dhe përrallë për mbarë popujt.
8 Kjo shtëpi do të bëhet gërmadhë! Kushdo që të kalojë nëpër të, do të çuditet e do të pëshpëritë dhe do të thotë: ‘Përse ia bëri Zoti kështu këtij vendi e kësaj Shtëpie’?
9 E do të përgjigjen: ‘Sepse e lanë Zotin, Hyjin e vet, që i pati nxjerrë etërit e tyre prej tokës së Egjiptit, dhe shkuan pas hyjnive të huaja e i adhuruan dhe i nderuan ato. Kjo është arsyeja që Zoti solli mbi ta gjithë këtë të keqe’”.
10 Si kaluan njëzet vjet pasi Salomoni i kreu së ndërtuari dy shtëpitë, Shtëpinë e Zotit e pallatin mbretëror,
11 ‑ e meqenëse Hirami, mbreti i Tirit, i kishte dhënë Salominit lëndën e cedrit e të bredhit dhe ar aq sa kishte pasur nevojë, ‑ atëherë edhe Salomoni i dha Hiramit njëzet qytete në Galile.
12 Hirami atëherë doli prej Tirit për t’i parë qytetet që i kishte dhënë Salomoni, por ato nuk i pëlqyen.
13 Atëherë tha: “Po a këto janë qytetet që m’i dhe, or vëlla”? Dhe i quajti ato qytete “Toka Kabul” deri në ditën e sotme.
14 Hirami i dërgoi mbretit njëqind e njëzet talenta ari.
15 Ja, çfarë ishte lidhur me angarinë që mbreti Salomon e vuri për të ndërtuar Shtëpinë e Zotit, pallatin e vet, Milon, muret e Jerusalemit, Asorin, Magedon dhe Gazerin.
16 Faraoni, mbreti i Egjiptit, nisi luftën, pushtoi Gazerin, e dogji me zjarr dhe i vrau kananenjtë që jetonin në të. Qytetin ia dha për pajë vajzës së vet, gruas së Salomonit.
17 Kështu, pra, Salomoni ndërtoi Gazerin dhe Betoronin e Poshtëm,
18 Baalatin, Tamarin e shkretëtirës, në vend,
19 si dhe të gjitha qytetet ‑ depo, qytetet për karroca lufte, për kalori që i përkisnin atij dhe gjithçka tjetër i pëlqente për të ndërtuar në Jerusalem, në Liban e në të gjitha tokat që i kishte nën pushtet.
20 Mbarë popullin që kishte mbetur prej amorrenjve, prej hetenjve, prej ferezenjve, prej hevenjve, prej jebusenjve, që nuk ishin prej bijve të Izraelit,
21 bijtë e tyre, që mbetën pas tyre në vend, d. m. th. ata që bijtë e Izraelit nuk arritën t’i shfarosnin, Salomoni i detyroi të punonin pa shpërblim si skllevër deri në ditën e sotme.
22 Kurse bijtë e Izraelit Salomoni nuk i ktheu në skllevër, por i kishte ushtarë, oborrtarë, prijës, armëmbajtës, prijës të karrocave të tija e të kalorësisë së tij.
23 Prijësit që ishin në krye të të gjitha punëve të Salomonit, ishin pesëqind e pesëdhjetë. Këta i urdhëronin popullit që ishte i detyruar të punonte.
24 Posa hyri bija e faraonit prej Qytetit të Davidit në pallatin e saj që i ndërtoi Salomoni, menjëherë Salomoni ndërtoi Melon.
25 Tri herë në vit Salomoni kushtonte fli shkrumbimi dhe fli pajtimi në lter që kishte ndërtuar për nder të Zotit dhe digjte kem për nder të Zotit. Kështu e kreu Tempullin.
26 Mbreti Salomon ndërtoi edhe flotën në Asiongaber, që është afër Ailatit, në bregun e Detit të Kuq, në tokën e Idumesë.
27 Hirami i dërgoi shërbëtorët e vet në anije, njerëz të mësuar me detin bashkë me shërbëtorët e Salomonit.
28 Këta, kur erdhën në Ofir, i morën prej andej katërqind e njëzet talenta ar dhe ia sollën Salomonit mbret.