< 1Mbr 21 2Mbr 1 >
Lexim prej librit të parë të Mbretërve(1Mbr 22)
22

1 Kaluan tre vjet pa luftë ndërmjet Sirisë e Izraelit.

2 Të tretin vit zbriti Jozafati, mbreti i Judës, te mbreti i Izraelit.

3 Mbreti i Izraelit u tha shërbëtorëve të vet: “A nuk e dini se Ramoti i Galaadit është yni? E ne nuk bëmë asgjë për ta marrë prej dorës së mbretit të Sirisë”.

4 Atëherë i tha Jozafatit: “A do të vish me mua për të luftuar në Ramotin e Galaadit”? Jozafati iu përgjigj mbretit të Izraelit:

5

“Ç’do të ndodhë me mua, do të ndodhë me ty: populli im e populli yt janë një, kuajt e mi janë kuajt e tu”!

@@@

Jozafati i tha mbretit të Izraelit: “Kërkoje mu sot fjalën e Zotit”!

6 Prandaj edhe i bashkoi mbreti i Izraelit profetët, rreth katërqind, e u tha: “A mund të shkoj të bëj luftë në Ramotin e Galaadit, apo të mos shkoj”? Ata iu përgjigjën: “Shko! Zoti e lëshon në dorën e mbretit”!

7 Por Jozafati pyeti: “A mos ka këtu edhe ndonjë profet tjetër të Zotit që ta pyesim”?

8 Mbreti i Izraelit iu përgjigj Jozafatit: “Është vetëm edhe një njeri, me anën e të cilit do të mund ta pyesnim Zotin, por unë atë nuk e duroj, sepse ai nuk më parakallëzon të mirën, por të keqen: është Mikeja, biri i Jemlës”. E Jozafati i tha: “Mos fol ashtu, o mbret”!

9 Kështu, pra, mbreti i Izraelit thirri një nëpunës e i tha: “Shpejto e bjere këtu Mikenë, birin e Jemlës”.

10 Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbreti i Judës, rrinin secili në fronin e vet, të veshur me veshje mbretërore, në shesh afër hyrjes së qytetit të Samarisë dhe të gjithë profetët profetizonin para tyre.

11 Sedecia, biri i Kanaanës, punoi për vete brirë hekuri e tha: “Kështu thotë Zoti: Me këta brirë do ta shporosh Sirinë derisa ta qesësh fare”.

12 Po në këtë mënyrë profetizonin edhe të gjithë profetët e tjerë e thoshin: “Ngjitu në Ramotin e Galaadit e t’u priftë e mbara! Zoti do ta lëshojë në dorë të mbretit”.

13 Lajmëtari që shkoi ta ftojë Mikenë, i tha: “Ja, fjalët e profetëve: të gjithë njëzëri i parakallëzojnë mbretit mirë. Tashti edhe fjala jote le të jetë e mirë dhe parakallëzo sukses”!

14 Por Mikeja iu përgjigj: “Pasha Zotin e gjallë, do të flas vetëm gjithçka të më thotë Zoti”!

15 Erdhi, pra, te mbreti e mbreti i tha: “Mikè, a të shkojmë, a të mos shkojmë në Ramotin e Galaadit për të luftuar”? Ai iu përgjigj: “Shko e t’u priftë e mbara! Zoti do ta lëshojë në dorë të mbretit”!

16 Porse mbreti i tha: “Prapë e prapë po të përbej të mos më folësh tjetër përveç së vërtetës në emër të Zotit”.

17 Atëherë ai i tha:

“Po e shoh mbarë Izraelin

të shpërndarë nëpër male

porsi delet që s’kanë bari.

E Zoti thotë: ‘Këta njerëz nuk kanë prijës; secili le të kthehet në paqe në shtëpinë e vet”!

18 Prandaj edhe mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: “A nuk të thashë se ky nuk ma parakallëzon të mirën, por gjithmonë të keqen”?

19 Mikeja shtoi: “Për këtë arsye dëgjo fjalën e Zotit: E kam parë Zotin ndenjur mbi fronin e vet dhe mbarë ushtria qiellore qëndronte në këmbë në të djathtë e në të majtë të tij.

20 E Zoti foli: ‘Kush do ta ngashnjejë Akabin që të shkojë e të mbesë i vrarë në Ramotin e Galaadit’? Dikush fliste në një mënyrë e dikush në një tjetër.

21 Atëherë hyri një shpirt, qëndroi para Zotit e tha: ‘Unë do ta gënjej!’ E Zoti e pyeti: ‘Në ç’mënyrë’?

22 Ai tha: ‘Do të shkoj e do të bëhem shpirt gënjeshtari në gojën e të gjithë profetëve të tij.’ E Zoti i tha: ‘Do ta gënjesh e do t’ia dalësh! Shko e bëj ashtu’!

23 Kështu, pra, Zoti e ka futur shpirtin rrenacak në gojën e të gjithë këtyre profetëve të tu, që janë këtu; por Zoti lidhur me ty lajmëron kob”.

24 Atëherë u afrua Sedecia, biri i Kanaanës, dhe i ra Mikesë flakaresh e i tha: “Nga doli shpirti i Zotit prej meje për të folur me ty”?

25 Mikeja iu përgjigj: “Do ta shohësh atë ditë, kur do të hysh nga një dhomë në tjetrën për t’u fshehur”!

26 Foli mbreti i Izraelit: “Kape Mikenë dhe çoje te Amoni, kryetari i qytetit, dhe te Joasi, djali i mbretit

27 dhe thuaju: ‘Kështu urdhëron mbreti: Futeni këtë njeri në burg dhe mbajeni vetëm me bukë e ujë sa t’i mbahet fryma derisa të kthehem unë shëndoshë e mirë’”.

28 Mikeja tha: “Nëse ti do të kthehesh shëndoshë e mirë, atëherë Zoti nuk ka folur përmes meje.” E shtoi: “Dëgjoni, o popuj, të gjithë”!

29 Shkuan, pra, mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbreti i Judës, në Ramotin e Galaadit.

30 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: “Për të hyrë në luftë vetë do t’i ndërroj petkat, kurse ti mos i ndërro petkat e tua”. Mbreti i Izraelit i ndërroi petkat e ra në luftë.

31 Mbreti i Sirisë u kishte dhënë këtë urdhër tridhjetë e dy prijësve të karrocave të luftës: “Mos sulmoni as të voglin as të madhin, por vetëm mbretin e Izraelit”.

32 Kur prijësit e karrocave të luftës e panë Jozafatin, e morën për mbretin e Izraelit dhe u versulën në luftë kundër tij. Jozafati bërtiti.

33 Prijësit e karrocave të luftës e morën vesh se s’ishte mbreti i Izraelit, dhe u tërhoqën prej tij.

34 Një njeri e tendosi harkun dhe pa shënuar e lëshoi shigjetën dhe i ra mbretit të Izraelit ndërmjet brezit e pancirit. Ai atëherë i tha karrocëtarit të vet: “Kthehu e më nxirr nga lufta se jam i plagosur rëndë”.

35 Atë ditë lufta u ashpërsua shumë; megjithatë mbreti qëndronte në këmbë në karrocën e tij ballë për ballë me sirianët. Vdiq në mbrëmje. Prej plagës gjaku i ishte derdhur në karrocë.

36 Në perëndimin e diellit nëpër mbarë ushtrinë u hap zëri: “Secili le të kthehet në qytetin e vet e në vendin e vet”!

37 Mbreti, pra, vdiq dhe qe bartur në Samari. Mbretin e varrosën në Samari.

38 Karrocën e tij e lanë në peshkoren e Samarisë dhe qentë e llapën gjakun e tij, po edhe laviret u lanë sipas fjalës së Zotit, që e kishte pasë thënë.


39 Veprat e tjera të Akabit dhe gjithçka bëri ai, si dhe shtëpia prej fildishit, të gjitha qytetet që i ndërtoi, pse a nuk janë këto të gjitha të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?

40 Akabi pushoi pranë të parëve të vet. Në vend të tij u bë mbret Ohozia, i biri.

41 Kurse Jozafati, biri i Asës, u bë mbret i Judës në vitin e katërt të Akabit, mbretit të Izraelit.

42 Ishte tridhjetepesëvjeçar kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi në Jerusalem njëzet e pesë vjet. Nëna e tij quhej Azubë. Ishte bija e Selahut.

43 Eci udhës së babait të vet, Asës, dhe nuk iu shmang asaj. Bëri çka ishte e drejtë para syve të Zotit.

44 Megjithatë lartësirat nuk i zhduku; sepse populli gjithnjë flijonte dhe digjte kem në lartësira.

45 Porse Jozafati bëri paqe me mbretërit e Izraelit.

46 Veprat e tjera të Jozafatit dhe trimëritë si dhe luftërat që i bëri, a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës?

47 Ai i dëboi prej vendit edhe laviret e kushtuara që kishin mbetur në kohën e Asës, babait të tij.

48 Asohere nuk kishte mbret në Edom, por qeveritar të mbretit.

49 Mbreti Jozafat ndërtoi edhe flotën e Tarsit për të lundruar në Ofir e për të sjellë ar; por nuk shkuan, sepse u thyen në Asiongaber.

50 Atëherë Okozia, biri i Akabit, i tha Jozafatit: “Le të shkojnë shërbëtorët e mi me shërbëtorët e tu në anije”, por Jozafati nuk deshi.

51 Jozafati pushoi me të parët e vet dhe qe varrosur me ta në Qytetin e Davidit, stërgjyshit të vet. Në vend të tij u bë mbret Jorami, i biri.

52 Okozia, biri i Akabit, kishte filluar të mbretëronte në Samari mbi Izraelin në vitin e shtatëmbëdhjet të mbretërimit të Jozafatit, mbretit të Judës. Mbretëroi mbi Izrael dy vjet.

53 Bëri të keqen ndër sytë e Zotit dhe eci udhës së babait të vet e të nënës së vet dhe udhës së Jeroboamit, birit të Nabatit, i cili e ngashnjeu Izraelin të mëkatonte.

54 I shërbeu Baalit dhe e adhuronte. Kështu e hidhëroi Zotin, Hyjin e Izraelit, pikërisht siç kishte vepruar i ati i tij.



Fjala e Zotit