1 Kur iu afrua dita e vdekjes, Davidi i urdhëroi birit të vet Salomonit. I tha:
2 “Unë po nisem për rrugën që do ta bëjnë të gjithë njerëzit mbi tokë. Ji i fortë dhe ji njeri!
3 Mbaji urdhërimet e Zotit, Hyjit tënd! Ec udhëve të tija! Mbaji ligjet e tija, urdhërimet e tija, porositë dhe dëshmitë ashtu siç shkruan në Ligjin e Moisiut që të të shkojë mbarë gjithçka të ndërmarrësh, kudo që të sillesh,
4 që Zoti ta çojë në vend fjalën që e ka folur kur m’u zotua: ‘Nëse bijtë e tu në jetën e tyre do të kujdesen që të ecin në praninë time me besnikëri me gjithë mend e zemër, mbi fronin e Izraelit do të rrijë gjithmonë njëri prej pasardhësve të tu’.
5 Edhe ti e di se çfarë më ka bërë mua Joabi, biri i Sarvisë, ç’u bëri dy prijësve të ushtrisë së Izraelit, Abnerit, birit të Nerit, dhe Amasës, birit të Jeterit, të cilët i vrau. E derdhi gjakun në kohë të paqes siç bëhet në luftë, dhe e njollosi me gjak lufte brezin që kishte rreth ijës së vet dhe sandalet që i kishte në këmbët e veta.
6 Vepro me zgjuarsi e mos lejo që thinjat e tija të zbresin në paqe në banesën e të vdekurve.
7 Përkundrazi, ndaj bijve të Bezelait galaadas, sillu me mirësi; le të jenë ndër ata që hanë në tryezën tënde, sepse ata m’u gjetën në ndihmë kur ikja prej vëllait tënd Absalomit.
8 Tek ti është Semei, biri i Gerës, beniaminas, prej Bahurimit. Ky më mallkoi me një mallkim të tmerrshëm, kur po shkoja në Mahanaim. Por, meqenëse zbriti tek Jordani për të më përshëndetur, prandaj unë iu përbetova në Zotin: ‘Unë nuk do të të vras me shpatë.’
9 Por ti tani mos e lër të pandeshkuar mëkatin e tija. Ti e merr vesh vetë, se je i mençur e di si duhet të sillesh me të. Bëj të zbresin thinjat e tija në dhe me gjak”.
10 Kështu, pra, Davidi pushoi me etërit e vet dhe qe varrosur në Qytetin e Davidit.
11 Mbretërimi i Davidit mbi Izraelin zgjati dyzet vjet: në Hebron mbretëroi shtatë vjet, kurse në Jerusalem tridhjetë e tri vjet.
12 Salomoni ndenji në fronin e Davidit, babait të vet, dhe mbretëria e tij erdhi e u forcua shumë.
13 Adonia, biri i Hagitës, shkoi te Betsabeja, nëna e Salomonit. Ajo i tha: “A është ardhja jote me qëllim paqeje?” Ai iu përgjigj: “Me qëllim paqeje”.
14 Dhe shtoi: “Kam diçka për të të thënë”. Ajo i tha: “Fol”! Ai vazhdoi:
15 “Ti e di se mua më ka takuar mbretëria dhe se mbarë Izraeli më kishte parashikuar për mbretin e vet, por tani mbretëria më shpëtoi prej dore dhe i takoi vëllait tim, sepse i qe dhënë prej Zotit.
16 Tani s’ kam veçse një lutje të vetme tek ti; ma plotëso të lutem”. Ajo i tha: “Fol”!
17 Ai vazhdoi: “Të lutem, i thuaj mbretit Salomon ‑ ai s’ mund të të mohojë ty asgjë ‑ të ma japë për grua Abisagën sunamite”.
18 Atëherë Betsabeja i tha: “Mirë, për ty do të flas me mbretin”.
19 Shkoi, pra, Betsabeja te Salomoni mbret për të biseduar me të për Adoninë. Mbreti u ngrit në këmbë dhe i doli para, e përshëndoshi dhe u ul të rrijë mbi fronin e vet. Urdhëroi atëherë që të vihet edhe një fron tjetër për nënën e mbretit dhe ajo u ul në të djathtë të tij.
20 Ajo i tha: “Kërkoj një nder të vogël prej teje, mos ma moho”. Mbreti iu përgjigj: “Kërko, nëna ime, se s’ ka hije të mos ta dëgjoj kërkesën”.
21 Ajo i tha: “A bën t’i jepet për grua Adonisë, vëllait tënd, Abisaga sunamite”?
22 Mbreti Salomon iu përgjigj nënës së vet e i tha: “Pse e kërkon për Adoninë Abisagën sunamite? Kërkoje për të edhe mbretërinë! Pse a nuk e di ti se ai është vëllai im më i madh dhe e përkrah prifti Abiatar dhe Joabi, biri i Sarvisë?”.
23 Atëherë u përbetua Salomoni mbret në Zotin e tha: “More kështu e kështu ma bëftë Zoti mua e edhe më zi, nëse Adonia nuk e ka folur këtë fjalë sot në dëm të jetës së vet!
24 Pasha Zotin e gjallë, që më ka përforcuar dhe më ka vendosur mbi fronin e tim eti, Davidit, dhe që më ka dhënë të hyj në radhën mbretërore, ashtu sikurse ai vetë ka thënë: mu sot Adonia do të vritet”!
25 Dhe Salomoni mbret dërgoi Banajën, birin e Jojadës.
Ky e goditi dhe Adonia vdiq.
26 Priftit Abiatar mbreti i urdhëroi: “Shko në pronën tënde në Anatot. E ke merituar vdekjen, por sot nuk po të vras, sepse e ke bartur Arkën e Zotit Hyj në praninë e babait tim Davidit dhe pse i ke duruar të gjitha të vështirat që i ka hequr edhe im atë”.
27 Kështu Salomoni përjashtoi Abiatarin prej priftërisë së Zotit që të shkonte në vend fjala e Zotit, të cilën e tha për shtëpinë e Heliut në Silo.
28 Lajmi i shkoi në vesh Joabit. Joabi kishte marrë anën e Adonisë, megjithëse nuk e kishte përkrahur Absalomin. Atëherë iku në Tendën e Zotit dhe u kap për brirë të lterit.
29 E lajmëruan mbretin Salomon se Joabi kishte ikur në Tendën e Zotit dhe se ishte përbri lterit. Salomoni e dërgoi Banajën, birin e Jojadës e i urdhëroi: “Shko e vritie”!
30 Banaja shkoi në Tendën e Zotit e i tha: “Kështu thotë mbreti: ‘Dil jashtë’”! Ai u përgjigj: “S’dal jashtë, por do të vdes këtu”! Banaja i çoi mbretit fjalën e i tha: “Kështu foli Joabi dhe kështu m’u përgjigj”.
31 Mbreti i urdhëroi: “Bëj siç ka thënë: vritie e varrose. Kështu do ta heqësh prej meje e prej shtëpisë së tim eti gjakun e pafajshëm që ka derdhur Joabi.
32 Zoti do të bëjë që gjaku i tij të bjerë mbi kokën e tij, sepse i ka vrarë dy njerëz të pafajshëm më të mirë se ai vetë; i preu me shpatë pa dijen e babait tim Davidit: Abnerin, birin e Nerit, prijësin e ushtrisë së Izraelit, dhe Amasën, birin e Jeterit, prijësin e ushtrisë së Judës.
33 Gjaku i tyre le të bjerë mbi kokën e Joabit dhe në kokën e pasardhësve të tij për amshim, kurse mbi Davidin, mbi trashëgiminë e tij, mbi shtëpinë mbretërore e mbi fronin e tij rëntë prej Zotit paqja e përhershme”.
34 Kështu Banaja, biri i Jojadës, shkoi, iu sul dhe e vrau.
Joabi u varros në shtëpinë e vet në shkretëtirë.
35 Në vend të tij mbreti prijës të ushtrisë e bëri Banajën, birin e Jojadës, e në vend të Abiatarit për prift vuri Sadokun.
36 Mbreti çoi dhe e thirri edhe Semein dhe i tha: “Ndërto për vete një shtëpi në Jerusalem dhe bano në të. Mos dil prej saj për të shkuar andej e këndej.
37 Atë ditë që të dalësh e ta kalosh përruan Cedron, dije mirë se do të vritesh: gjaku yt do të bjerë mbi kokën tënde”!
38 Semei iu përgjigj mbretit: “Urdhër me vend! Siç urdhëron zotëria im mbreti, ashtu do të bëjë shërbëtori yt”. Dhe Semei jetoi një kohë të gjatë në Jerusalem.
39 Pas tre vjetësh ndodhi që dy shërbëtorë të Semeit të iknin tek Akisi, biri i Maakës, mbreti i Getit. E lajmëruan Semein se shërbëtorët e tij ishin në Get.
40 Atëherë Semei u çua, e shaloi gomarin dhe shkoi në Get tek Akisi për t’i kërkuar skllevërit e vet dhe i mori prej Getit.
41 E njoftuan Salomonin se Semei kishte shkuar nga Jerusalemi në Get dhe se ishte kthyer.
42 Çoi dhe e thirri e i tha: “A nuk ta kam qitur për dëshmitar Zotin e nuk të kam njoftuar me kohë: ‘Atë ditë që të dalësh e të shkosh andej e këndej, dije se do të vritesh’? E ti m’u përgjigje: ‘Urdhër me vend: e kam marrë vesh.’
43 Pse nuk e mbajte përbetimin që i bëre Zotit dhe urdhrin që të kam dhënë”?
44 Mbreti pastaj i tha Semeit: “Ti i di mirë dhe s’ke pasur si t’i harrosh të gjitha të këqijat që i ke bërë tim eti, Davidit; Zoti po e kthen të keqen tënde mbi kokën tënde.
45 Kurse Salomoni mbret do të jetë i bekuar dhe froni i Davidit do të jetë i qëndrueshëm për amshim para Zotit”.
46 Kështu mbreti i dha urdhër Banajës, birit të Jojadës. Ky doli, e goditi dhe Semei vdiq.
Kështu mbretëria vinte e bëhej përherë e më e fortë në dorën e Salomonit.