1 Elia Tesbiu, nga Tesbiu, në tokën e Galaadit, i tha Akabit: “Pasha jetën e Zotit, Hyjit të Izraelit, në shërbimin e të cilit jam unë : në këto vite s’do të bjerë as vesë as shi, përveç në thënça unë”.
2 Atëherë fjala e Zotit i qe drejtuar Elisë. I tha:
3 “Largohu prej këndej e shko në lindje dhe fshihu në përroin Kerit, që është përballë Jordanit.
4 Kështu do të mund të pish ujë nga përroi, kurse korbave u kam urdhëruar të ta sjellin ushqimin atje”.
5 Elia shkoi dhe bëri si i kishte urdhëruar Zoti. Shkoi e banoi në përruan Kerit, që është përballë Jordanit.
6 Korbat i sillnin në mëngjes bukë e mish e në mbrëmje po ashtu bukë e mish, kurse ujë pinte nga përroi.
7 Pas do kohe, përroi shteri, sepse nuk binte shi.
8 Atëherë Elisë i qe drejtuar fjala e Zotit e i tha:
9 “Ngrihu e shko në Sareptën e sidonasve dhe qëndro atje. I kam urdhëruar një vejushe të të ushqejë”.
10 Elia u çua e shkoi në Sareptë. Kur arriti te dyert e qytetit, gjeti një grua të ve duke mbledhur dru. Elia e thiri e i tha: “Ma sill pak ujë në katrovë që të pi”.
11 Kur u nis ajo për t’i sjellë ujë, ky e thirri prapë dhe i tha: “Të lutem, më sill edhe një kafshatë bukë në dorë”!
12 Ajo iu përgjigj: “Pasha Zotin, Hyjin tënd, unë nuk kam bukë, por vetëm një grusht miell në tinar dhe pakëz vaj në qyp. Ja, po i mbledh dy‑tri dru e do të shkoj në shtëpi për ta gatuar për mua e per djalin tim, do ta hamë e do të vdesim”.
13 Por Elia i tha: “Mos ki frikë aspak, por shko e bëj siç the; porse më parë ma piq mua një kulaç të vogël me atë miell që ke e ma sill, dhe pastaj gatuaj për vete e për djalin tënd.
14 Sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit:
‘Në tinar mielli s’do të mungojë,
në qyp vaji s’do të mbarojë
derisa të vijë dita
që Zoti të falë shi mbi tokë’”.
15 Ajo shkoi e bëri si i tha Elia. Dhe u ushqye ajo, Elia dhe familja e saj për shumë ditë.
16 Tinari i miellit nuk u mbarua as qypi i vajit nuk u pakësua sipas fjalës së Zotit që e tha me anë të Elisë.
17 Ja se ç’ndodhi pas kësaj ngjarjeje: u sëmur djali i zonjës së shtëpisë. Sëmundja qe shumë e rëndë saqë në të s’mbeti më frymë.
18 Atëherë ajo i tha Elisë: “Ç’kam unë me ty, o njeriu i Hyjit?! Erdhe tek unë që të përkujtohen mëkatet e mia për të ma vrarë djalin”!
19 Por ai i tha: “Ma jep djalin tënd”! dhe e mori prej prehrit të saj, e çoi në dhomën ku banonte ai dhe e vuri mbi shtratin e vet.
20 Atëherë e thirri Zotin në ndihmë e tha: “O Zot, Hyji im! Vallë a do ta pikëllosh deri edhe gruan e ve, tek e cila unë po banoj si i huaj i humbur, saqë bëre t’i vdesë djali”?
21 Atëherë u shtri tri herë mbi djalin, e thirri ndihmën e Zotit e tha: “O Zot, Hyji im, bëj, po të lutem, të kthehet shpirti i këtij djali në të”!
22 Zoti ia dëgjoi lutjen Elisë, u kthye shpirti në djalin dhe ai u ringjall.
23 Atëherë Elia e mori djalin, e zbriti prej dhomës së sipërme poshtë në shtëpi, ia dha nënës së fëmijës e tha: “Ja, djali yt jeton”!
24 Gruaja i tha Elisë: “Tani po e di se je njeri i Hyjit dhe se fjala e Zotit në gojën tënde është e vërtetë”.