< 1Mbr 15 1Mbr 17 >
Lexim prej librit të parë të Mbretërve(1Mbr 16)
16

1 Atëherë fjala e Zotit i qe drejtuar Jehuit, birit të Hananiut, kundër Baasës:

2 “Megjithëse unë të ngrita nga pluhuri e të bëra prijësin e popullit tim Izraelit, prapëseprapë ti ece udhës së Jeroboamit dhe bëre që të mëkatojë populli im, Izraeli, me qëllim që të më ngacmojë me mëkatet e tija,

3 ja, unë do ta fshij Baasën dhe do t’i fshij pasardhësit e familjes së tij. Shtëpinë tënde, Baasë, do ta bëj si shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nabatit!

4 Cilido prej shtëpisë së Baasës që të vdesë në qytet, do ta hanë qentë dhe cilido prej të tijve që të vdesë në fushë, do ta hanë shpendët e ajrit”.

5 Veprat e tjera të Baasës, gjithçka bëri dhe trimëritë e tija, a nuk janë të shkruara këto në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?

6 Edhe Baasa fjeti pranë të parëve të vet dhe qe varrosur në Tersë. Në vend të tij u bë mbret Ela, biri i tij.

7 Por fjala e Zotit i qe drejtuar përmes gojës së profetit Jehu, birit të Hananiut, Baasës e shtëpisë së tij jo vetëm sepse i bëri të gjitha të këqijat para syve të Zotit duke e fyer atë me veprat e duarve të veta saqë u bë i ngjashëm me shtëpinë e Jeroboamit, por edhe sepse e shfarosi familjen e tij.

8 Në vitin e njëzetegjashtë të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, mbret në Tersë mbi Izraelin u bë Ela, biri i Baasës, e mbretëroi dy vjet.

9 Kundër tij u ngrit një shërbëtor i tij, Zambriu, prijësi i gjysmës së karrocave të luftës. Ela ndodhej në Tersë, në shtëpinë e Asës, kryetarit të pallatit në Tersë. Ishte dehur duke pirë.

10 U fut, pra, Zambriu brenda, i ra dhe e vrau në vitin e njëzeteshtatë të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, e u bë mbret në vend të tij.

11 Si u bë mbret dhe hipi në fron, vrau mbarë familjen e Baasës. Nuk la prej tij asnjë mashkull për be, as të afërm e as miq të tij.

12 Zambriu e shfarosi mbarë shtëpinë e Baasës sipas fjalës së Zotit që e kishte folur kundër Baasës me gojën e Jehuit profet.

13 Shkak ishin mëkatet e Baasës e të birit të tij Elës, të cilët mëkatuan dhe bënë të mëkatojë Izraeli, duke e zemëruar Zotin, Hyjin e Izraelit, me anë të idhujve të rrejshëm.

14 Veprat e tjera të Elës dhe gjithçka bëri, a nuk janë këto të shkuara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?

15 Në vitin e njëzeteshtatë të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, në Tersë mbretëroi Zambriu shtatë ditë. Asokohe populli e kishte rrethuar Gebetonin, një qytet i filistenjve.

16 Kur populli mori vesh se Zambriu ishte çuar kundër mbretit dhe e kishte vrarë, mbarë Izraeli e shpalli për mbret të vetin Amriun, që asokohe ishte kryekomandant i ushtrisë në fushim të mbarë Izraelit.

17 Kështu, pra, Amriu e mbarë Izraeli me të lëshuan rrethimin e Gebetonit dhe e rrethuan Tersën.

18 Kur Zambriu pa se qyteti do të pushtohej, hyri në pallatin mbretëror, i dha zjarr pallatit mbretëror dhe vdiq i djegur nga zjarri

19 në mëkatet e veta që i bëri duke bërë të keqen para syve të Zotit duke jetuar udhës së Jeroboamit dhe në mëkatin e tij, me të cilin e bëri Izraelin të mëkatojë.

20 Veprat e tjera të Zambriut si dhe kryengritja që bëri, vallë a nuk janë të shkruara këto në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?

21 Atëherë populli i Izraelit u nda në dy pjesë: gjysma e popullit përkrahte Tebniun, birin e Ginetit, për ta bërë atë mbret, kurse gjysma tjetër e donin Amriun.

22 Por mbizotëroi populli që ishte me Amriun kundrejt popullit që përkrahte Tebniun, të birin e Ginetit. Kur Tebniu vdiq, u bë mbret Amriu.

23 Në vitin tridhjetë e një të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, mbretëroi Amriu mbi Izraelin për dymbëdhjetë vjet. Në Tersë mbretëroi gjashtë vjet.

24 Atëherë e bleu prej Somerit malin e Samarisë për dy talenta të argjendtë. Ndërtoi një qytet dhe qytetin që e ndërtoi e quajti Samari, me emrin e Somerit, pronarit të malit.

25 Amriu bëri keq ndër sy të Zotit, madje veproi edhe më keq se të gjithë të tjerët që kishin qenë para tij.

26 Eci të gjitha udhëve të Jeroboamit, birit të Nabatit, si edhe në mëkatin e tij, me të cilin e bëri Izraelin të mëkatojë me qëllim që ta fyenin Zotin, Hyjin e Izraelit, me anë të idhujve të kotë.

27 Veprat e tjera të Amriut si dhe luftërat e tija, që i bëri me trimëri, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?

28 Amriu fjeti pranë të parëve të vet dhe qe varrosur në Samari. Në vend të tij mbretëroi Akabi, i biri.

29 Akabi, biri i Amriut, u bë mbret mbi Izraelin në të tridhjetetetin vit të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës. Akabi, biri i Amriut, mbretëroi në Samari mbi Izraelin për njëzet e dy vjet.

30 Akabi, biri i Amriut, bëri keq ndër sy të Zotit më tepër se të gjithë ata që kishin qenë para tij.

31 Dhe nuk iu duk mjaft të ecë në mëkatet e Jeroboamit, birit të Nabatit, por edhe u martua me Jezabelën, bijën e Etbaalit, mbretit të sidonëve dhe zuri t’i shërbejë Baalit e të përkulej para tij.

32 Ai ndërtoi një lter për nder të Baalit në tempullin e Baalit që kishte ndërtuar në Samari,

33 madje ndërtoi edhe banirin, bëri edhe vepra të tjera të liga duke e fyer Zotin, Hyjin e Izraelit, më tepër se të gjithë mbretërit e Izraelit që kishin qenë para tij.



Fjala e Zotit