< 1Mbr 13 1Mbr 15 >
Lexim prej librit të parë të Mbretërve(1Mbr 14)
14

1 Asokohe u sëmur Abia, biri i Jeroboamit.

2 Jeroboami i tha gruas së vet: “Çohu e ndërroji petkat që të mos njihesh se je e shoqja e Jeroboamit, dhe shko në Silo. Atje është Ahia profet, që më ka parathënë se do të mbretëroj mbi këtë popull.

3 Merr me vete dhjetë bukë, ëmbëlsira, një enë me mjaltë e shko tek ai dhe ai do të të tregojë se çfarë do të ndodhë me djalin”.

4 Gruaja e Jeroboamit bëri ashtu. U çua, shkoi në Silo dhe hyri në shtëpinë e Ahisë. Ai më nuk shihte: sytë i ishin dobësuar për shkak të pleqërisë së thellë.

5 Por Zoti i kishte thënë Ahisë: “Ja, po vjen gruaja e Jeroboamit që të marrë këshillë prej teje lidhur me djalin e vet që është i sëmurë. Thuaji kështu e kështu. Kur të hyjë tek ti do të shtiret se është një tjetër”.

6 Kur Ahia i dëgjoi hapat e saj te dera, i tha: “Hyr, nusja e Jeroboamit! Pse po mundohesh të më shtiresh se je një tjetër? Unë kam për ty lajme të këqija!

7 Shko e thuaj Jeroboamit: ‘Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Unë të kam ngritur prej mesit të popullit. Unë të kam bërë prijës mbi popullin tim, Izraelin.

8 Unë e ndava mbretërinë prej shtëpisë së Davidit e ta dhashë ty. Por ti nuk qe si shërbëtori im Davidi. Ai i ka ruajtur urdhërimet e mia dhe ka ardhur pas meje me gjithë mend e zemër duke vepruar çka u pëlqen syve të mi.

9 Kurse ti ke vepruar keq, më zi se të gjithë ata që kanë qenë para teje: ke punuar zota të huaj e trupore për të më ngacmuar mua, kurse mua më hodhe pas shpinës sate.

10 Prandaj unë do të bëj një emnesë mbi shtëpinë e Jeroboamit: do t’i shfaros të gjithë meshkujt e Jeroboamit, të madh e të vogël në Izrael, e do ta fshij shtëpinë e Jeroboamit, siç fshihet plehu derisa të pastrohet plotësisht.

11 Qentë do t’i hanë ata që prej familjes së Jeroboamit do të vdesin në qytet, kurse ata që do të vdesin në fushë, do t’i hanë shpendët e ajrit’. ‑ Ja, kështu ka thënë Zoti!

12 Tani ti, çohu e shko në shtëpinë tënde! Pikërisht atëherë kur t’i vësh këmbët e tua në derën e qytetit, djali do të vdesë.

13 Mbarë Izraeli do t’i bëjë gjëmën dhe do ta varrosë: ai është i vetmi që, prej familjes së Jeroboamit, do të shtihet në varr, sepse vetëm në të është gjetur diçka në shtëpinë e Jeroboamit që i ka pëlqyer Zotit, Hyjit të Izraelit.

14 Zoti do të ngrejë një mbret për vete mbi Izraelin dhe ai do ta shuajë familjen e Jeroboamit.

15 Zoti do ta godasë Izraelin derisa të dridhet si kallami në ujë dhe do ta çrrënjosë Izraelin nga kjo tokë e mirë, që ua dha etërve të tyre e do t’i flakë përtej Lumit, sepse kanë punuar për vete banirë për ta ngacmuar Zotin.

16 Zoti do ta braktisë Izraelin për shkak të mëkateve që ka bërë Jeroboami dhe që i ka bërë izraelitët të mëkatojnë’”.

17 U çua, pra, gruaja e Jeroboamit, u nis e shkoi në Tersë. Posa hyri brenda pragut të shtëpisë, djali vdiq.

18 E varrosën dhe e qau mbarë Izraeli, sipas fjalës së Zotit që e tha me anë të shërbëtorit të vet, Ahisë profet.

19 Veprat e tjera të Jeroboamit: si luftoi dhe si mbretëroi, ja, i ke të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit.

20 Mbretëria e Jeroboamit zgjati njëzet e dy vjet. Paskëtaj pushoi pranë etërve të vet. Në vend të tij mbretëroi Nadabi, djali i tij.

21 Roboami, biri i Salomonit, mbretëroi në Judë. Ishte dyzetvjeçar kur u bë mbret. Roboami mbretëroi shtatëmbëdhjet vjet në qytetin e Jerusalemit, të cilin Zoti e zgjodhi prej të gjitha fiseve të Izraelit për të banuar aty Emri i vet. Nëna e tij quhej Naamë dhe ishte amonite.

22 Edhe Juda bëri ç’është e keqe para syve të Zotit. Me mëkatet që bënë, e hidhëruan Zotin më tepër se ç’e kishin hidhëruar të gjithë të parët e tyre.

23 Sepse edhe ata ndërtuan për vete lartësira, gurngulur, banira mbi çdo kodër të lartë e nën çdo lëndë plot me blerim.

24 Kishte në vend madje deri edhe lavire të kushtuara. I bënë të gjitha turpet e paganëve që Zoti i kishte dëbuar para fytyrës së bijve të Izraelit.

25 Por të pestin vit të sundimit të Roboamit, Sesaku, mbreti i Egjiptit, e sulmoi Jerusalemin

26 dhe i plaçkiti visaret e shtëpisë së Zotit e të palatit mbretëror dhe rrëmbeu gjithçka: madje edhe shqytat e artë që i kishte punuar Salomoni.

27 Në vend të tyre mbreti Roboam punoi shqyta të bronztë dhe ua dorëzoi oficerëve të rojës që ruanin në derë të pallatit mbretëror.

28 Kurdo shkonte mbreti në Shtëpinë e Zotit, rojtarët i merrnin shqytat me vete dhe pastaj i kthenin në armërojtoren e rojtarëve.

29 Veprat e tjera të Roboamit dhe gjithçka ka bërë, ja, i ke të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës.

30 Gjatë tërë kohës së jetës së tij është zhvilluar luftë ndërmjet Roboamit e Jeroboamit.

31 Po edhe Roboami fjeti bashkë me të parët e tij dhe qe varrosur bashkë me ta në Qytetin e Davidit. ‑ Emri i nënës së tij ishte Naamë. Ishte amonite. Në vend të tij u bë mbret Abiami, i biri.



Fjala e Zotit