< 1Mbr 11 1Mbr 13 >
Lexim prej librit të parë të Mbretërve(1Mbr 12)
12

1 Roboami erdhi në Sikem, sepse mbarë Izraeli ishte bashkuar atje për ta shpallur mbret.

2 Posa e mori vesh Jeroboami, biri i Nabatit ‑ sepse ishte ende i ikur larg Salomonit mbret në Egjipt ‑ u kthye nga Egjipti,

3 pasi çuan dhe e thirrën. Erdhi, pra, Jeroboami dhe mbarë bashkësia e Izraelit dhe biseduan me Roboamin. I thanë:

4 “Yt atë na ka vënë zgjedhë tepër të rëndë. Ti tani na e lehtëso pakëz skllavërinë e tët eti edhe zgjedhën tepër të rëndë që na ka ngarkuar, dhe ne do të jemi shërbëtorët e tu”.

5 Ai u përgjigj: “Shkoni dhe ejani përsëri pas tri ditësh tek unë”. Pasi populli shkoi,

6 Mbreti Roboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbimin e babait të tij Salomonit kur ky ishte ende gjallë. U tha: “Ç’këshillë më jepni që t’i përgjigjem këtij populli”?

7 Ata i thanë: “Në qoftë se ia pranon fjalën sot këtij populli, nëse u shërben, nëse ua pranon kërkesën e tyre e nëse u flet fjalë të buta, gjithmonë do të jenë shërbëtorë të tu”.

8 Por ai nuk e pranoi këshillën që i dhanë pleqtë, po u këshillua me të rinj që ishin rritur bashkë me të dhe ishin ndjekësit e tij.

9 I pyeti ata: “Ç’këshillë më jepni që t’i përgjigjem këtij populli që më tha: ‘Na e lehtëso zgjedhën që yt atë na ka ngarkuar’?”

10 Djelmoshat që ishin rritur me të, iu përgjigjën: “Kështu thuaj këtij populli që bisedoi me ty e të tha: ‘Yt atë na ngarkoi zgjedhë të rëndë, ti na e lehtëso’; ti thuaju kështu: ‘Gishti i vogël imi është më i trashë se të hollët e tim eti.

11 Tashti, im atë ju ka vënë zgjedhë të rëndë, kurse unë do ta rëndoj ende zgjedhën tuaj; im atë ju rrahu me frushkuj, kurse unë do t’ju rrah me frushkuj me gallomë të metaltë”.

12 Erdhi, pra, Jeroboami dhe mbarë bashkësia e Izraelit te Roboami të tretën ditë, siç u kishte thënë mbreti: “Kthehuni tek unë të tretën ditë”!

13 Mbreti iu përgjigj popullit ashpër duke e përbuzur këshillën që i kishin dhënë pleqtë,

14 dhe iu përgjigj sipas këshillës së të rinjve. U tha:

“Im atë e ka bërë të rëndë zgjedhën tuaj,

kurse unë do ta bëj edhe më të rëndë;

im atë ju rrahu me frushkuj,

kurse unë do t’ju rrah me frushkuj me gallomë të metaltë”.

15 Mbreti nuk e dëgjoi popullin, sepse kështu e rregulloi Zoti që të shkonte në vend fjala e tij që ia tha Jeroboamit, birit të Nabatit, me anë të Ahisë së Silos.

16 Kur mbarë Izraeli pa se mbreti s’donte ta dëgjonte, tërë populli iu përgjigj e i tha:

“Ç’pjesë kemi në Davidin?

Ose ç’trashëgim në birin e Isait?

Në tendat e tua, o Izrael!

Tani kujdesu për shtëpinë tënde, David”!

Mbarë Izraeli shkoi në tendat e veta.

17 Roboami vazhdoi të mbretërojë mbi bijtë e Izraelit që banonin në qytetet e Judës.

18 Mbreti Roboam dërgoi Adoniramin, mbi‑ këqyrësin e angarisë, porse mbarë Izraeli e vrau me gurë dhe ai vdiq, kurse mbreti Roboam, shpejt e shpejt kërceu në karrocë dhe iku në Jerusalem.

19 Kështu Izraeli u nda prej shtëpisë së Davidit deri në ditën e sotme.

20 Kur izraelitët morën vesh se ishte kthyer Jeroboami, çuan dhe e thirrën në mbledhje dhe e bënë mbret mbi mbarë Izraelin. S’u gjet askush që të donte ta ndiqte shtëpinë e Davidit, përveç fisit të Judës, të vetmit.

21 Roboami erdhi në Jerusalem, e bashkoi mbarë shtëpinë e Judës dhe fisin e Beniaminit: njëqind e tetëdhjetë mijë ushtarë, luftëtarë të zgjedhur, për të luftuar kundër shtëpisë së Izraelit për t’ia kthyer mbretërinë Roboamit, birit të Salomonit.

22 Porse fjala e Zotit i qe drejtuar Semeit, njeriut të Hyjit. I tha:

23 “Fol me Roboamin, birin e Salomonit, mbretin e Judës, dhe me mbarë shtëpinë e Judës e të Beniaminit si dhe me mbarë popullin tjetër e thuaj:

24 ’Kështu thotë Zoti: Ruaj se dilni e luftoni kundër vëllezërve tuaj, bijve të Izraelit! Secili le të kthehet në shtëpinë e vet! Shkaktari i kësaj jam unë”!

E dëgjuan fjalën e Zotit dhe u kthyen siç u urdhëroi Zoti.

25 Jeroboami e fortifikoi Sikemin në malet e Efraimit dhe nguli të banojë në të. Pastaj doli prej andej dhe fortifikoi edhe Fanuelin.

26 Jeroboami bëri këtë pleqësi: “Në këtë gjendje që është mbretëria do t’i kthehej shtëpisë së Davidit,

27 në qoftë se populli shkon për të kushtuar fli në Shtëpinë e Zotit në Jerusalem dhe zemra e këtij populli do të kthehet te zotëria i vet Roboami, mbret i Judës, do të më vrasin dhe do të kthehen te Roboami, mbreti i Judës”.

28 Mbreti, pasi u këshillua, punoi dy viça të artë dhe i tha popullit: “Mos shkoni më në Jerusalem! Ja, o Izrael, zotat e tu, që të nxorën nga dheu i Egjiptit”.

29 Njërin e vendosi në Betel e tjetrin e vuri në Dan.

30 Ja, pra, këtu qëndron mëkati: populli shkonte para njërit prej tyre deri në Dan.

31 Jeroboami ndërtoi tempuj në lartësi dhe bëri priftërinj, njerëz të marrë nga populli i thjeshtë që s’ishin prej bijve të Levit.

32 Caktoi pastaj edhe një të kremte në të tetin muaj, të pesëmbëdhjetën ditë të muajit, porsi e kremtja që festohej në Jude dhe u ngjit në lter. Kështu veproi në Betel për t’u flijuar viçave që kishte punuar. Në Betel i caktoi edhe priftërinjtë për tempujt që kishte ndërtuar në lartësi.

33 Dhe u ngjit në lterin që kishte ndërtuar në Betel, të pesëmbëdhjetën ditë të muajit të tetë, që e kishte caktuar sipas mendimit të vet! E bëri festë për bijtë e Izraelit dhe u ngjit në lter për ta djegur kemin.



Fjala e Zotit