1 Por edhe mbretëresha e Sabës, duke pasë dëgjuar për zërin e madh që kishte arritur Salomoni në saje të Emrit të Zotit, erdhi ta sprovojë në gjëegjëza.
2 Ajo erdhi në Jerusalem me një ndjekësori të madhe shumë, me pasuri, me deve të ngarkuara me erëra të mira, me shumë ar dhe gurë të paçmueshëm; erdhi te Salomoni dhe bisedoi me të për gjithçka që kishte në zemrën e saj.
3 Salomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve: s’qe asnjë çështje aq e panjohur për të, sa të mos dinte t’i jepte përgjigje.
4 Duke parë mbretëresha e Sabës dijen e Salomonit, shtëpinë ‑ pallatin, që kishte ndërtuar,
5 ushqimet në tryezën e tij, banesat e oborrtarëve, fisnikërinë e mëkëmbësve të tij, petkat e tyre, verëqitësit; flitë e shkrumbimit që i kushtonte në Shtëpinë e Zotit, mbeti pa frymë!
6 Ajo i tha mbretit: “Paskan qenë të vërteta fjalët që i kam dëgjuar të fliteshin në vendin tim për ty e për dijen tënde.
7 Unë nuk u besoja atyre që më tregonin deri Tani që erdha e pashë me sytë e mi dhe po shoh se as gjysmën s’m’i paskan pasë treguar! Qenka më e madhe dija jote dhe pasuria sesa kam dëgjuar unë!
8 Lum njerëzit e tu dhe lum shërbëtorët e tu që gjenden përherë pranë teje dhe dëgjojnë urtësinë tënde!
9 Qoftë bekuar Zoti, Hyji yt, që i paske pëlqyer dhe të paska vënë mbi fronin e Izraelit; duke qenë se Zoti e do Izraelin për amshim, ai edhe të vuri mbret që ta ushtrosh të drejtën e drejtësinë”.
10 Ajo i dhuroi mbretit njëqind e njëzet talenta ar, erëra të mira pa masë dhe shumë gurë të paçmueshëm: kurrë nuk u sollën më aq erëra të mira, sa i dhuroi mbretëresha e Sabës Salomonit mbret.
11 Edhe flota e Hiramit, që mbartte ar prej Ofirit, solli nga Ofiri dru rrëshinore me shumicë dhe gurë të paçmueshëm.
12 Me dru rrëshinore mbreti punoi parmakët për Shtëpinë e Zotit, për pallatin mbretëror si dhe lira e cetra për këngëtarë. Kurrë më nuk u sollën aq dru rrëshinore as nuk u pa deri tani.
13 Mbreti Salomon i dha mbretëreshës së Sabës sa dëshironte dhe kishte kërkuar, përveç sa i kishte dhënë si dhuratë mbretërore. Atëherë ajo u kthye e shkoi në vendin e vet bashkë me shërbëtorët e vet.
14 Pesha e arit që i vinte çdo vit Salomonit, ishte gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talenta ari,
15 pa llogaritur sa i vinte nga taksat e nënshtetasve, nga shitjet e tregtarëve, nga mbretërit e Arabisë dhe nga prijësit e vendit.
16 Mbreti Salomon i punoi dyqind shqyta ari të kulluar, për secilin shqyt i shkonte nga gjashtëqind sikla ar;
17 punoi edhe treqind shqyta të vegjël, ari të kulluar, për secilin prej tyre duheshin tri mina ar. Këta shqyta mbreti i vendosi në pallatin e quajtur “Pylli i Libanit”.
18 Mbreti Salomon punoi edhe një fron të madh fildishi dhe e veshi me ar të pastër.
19 Froni kishte gjashtë shkallë; shpinëza ishte e rrumbullakët; bërrylëzore kishte dy në këtë e në atë anë të ndenjëses e në krye të bërrylëzoreve kishte nga një luan;
20 në gjashtë shkallët qëndronin, këndej e andej, dymbëdhjetë luanë. Diçka si ky fron nuk qe punuar në asnjë mbretëri.
21 Po edhe të gjitha kupat, me të cilat pinte mbreti Salomon, ishin të arta si dhe mbarë enët e pallatit “Pylli i Libanit”, ishin prej ari të pastër; asnjë s’ishte prej argjendi, sepse argjendi nuk çmohej në kohën e Salomonit.
22 Sepse mbreti kishte në det anijet e Tarsit bashkë me flotën e Hiramit dhe një herë në tre vjet ktheheshin e sillnin ar, argjend, fildish, majmuna e pavoda.
23 Kështu, pra, Salomoni mbert u bë më i madhi ndër të gjithë mbretërit e botës për nga pasuria dhe dija.
24 Mbarë bota dëshironte ta shihte Salomonin për t’ia dëgjuar urtësinë e tij me të cilën e kishte pajisur Hyji zemrën e tij.
25 Gjithkush i sillte dhuratat e veta: gjëra argjendi, gjëra ari, petka, armë, erëra të mira, kuaj e mushq dhe kështu vit për vit.
26 Salomoni mblodhi karroca e kuaj. Kishte një mijë e katërqind karroca lufte dhe dymbëdhjetë mijë kuaj dhe i vendosi nëpër qytete karrocash lufte dhe te mbreti në Jerusalem.
27 Salomoni ia arriti të kishte në Jerusalem argjend me shumicë porsi gurë; dhe dru cedri kishte aq shumë sa ç’janë fiqtë e egër në Sefelë!
28 Kuajt e Salomonit vinin prej Egjiptit e prej Koes, sepse tregtarët e mbretit i blinin me çmim të caktuar nga Koa.
29 Një karrocë e blerë në Egjipt, kushtonte gjashtëqind sikla të argjendtë, kurse një kalë njëqind e pesëdhjetë. Kështu të gjithë mbretërit e hetenjve e të Sirisë i shitnin me anë të tregtarëve.