< 2Sam 24 1Mbr 2 >
Lexim prej librit të parë të Mbretërve(1Mbr 1)
1

1 Mbreti David ishte plakur dhe kishte kaluar në moshë shumë të thellë: megjithëse mbulohej trashë, nuk mund të nxehej.

2 Shërbëtorët e tij i thanë: “Le të kërkohet për Zotërinë tonë, mbretin, një vajzë e re virgjër që të qëndrojë me mbretin, të kujdeset për të: le të flejë në gjiun tënd e do ta nxehë zotërinë tonë, mbretin”.

3 Kështu pra, kërkuan në mbarë tokën e Izraelit një vajzë të bukur, e gjetën Abisagën sunamite dhe e prunë te mbreti.

4 Vajza ishte vërtet shumë e bukur e kujdesej për mbretin dhe i shërbente. Por mbreti nuk e njohu.

5 Tashti Adonia, biri i Hagitës, çoi kokën e thoshte: “Unë do të mbretëroj”! Fitoi karrocë e kuaj dhe pesëdhjetë burra që shkonin para tij.

6 Dhe i ati asnjëherë nuk e qortoi e nuk i tha: “Pse po bën ashtu”? Edhe ky ishte shumë i pashëm dhe kishte lindur pas Absalomit.

7 Ishte marrë vesh me Joabin, birin e Sarvisë, dhe me Abiatarin prift, të cilët e përkrahnin Adoninë.

8 Kurse Sadoku prift, Benaja, biri i Jojadës, Natani profet, Semei, Rei dhe trimat e zgjedhur të rojës trupore të Davidit nuk ishin me Adoninë.

9 Një ditë Adonia flijoi dele e viça të majmë te guri Zohelet, që është afër burimit Rogel, i grishi të gjithë vëllezërit e vet, bijtë e mbretit, dhe të gjithë burrat e Judës që ishin në shërbim të mbretit,

10 por nuk thirri Natanin profet, Banajën, as disa prej trimave, as Salomonin, vëllanë e vet.

11 Atëherë Natani i tha Betsabesë, nënës së Salomonit: “A nuk dëgjove se u bë mbret Adonia, biri i Hagitës, dhe zotëria ynë Davidi nuk e di.

12 Tashti eja të të këshilloj si ta shpëtosh jetën tënde dhe jetën e djalit tënd Salomonit.

13 Shko e paraqitu te Davidi mbret dhe thuaj: ‘Zotëri mbret, a nuk m’u përbetove mua, shërbëtores sate, e nuk më the: ‘Salomoni, biri yt, do të mbretërojë pas meje dhe ai do të rrijë në fronin tim’? Pse atëherë po mbretëron Adonia?

14 Dhe ndërkohë që ti ende do të jesh duke folur me mbretin, pas teje do të vij unë dhe do t’i vërtetoj fjalët e tua”.

15 Kështu, pra, Betsabeja hyri në dhomë te mbreti. Mbreti vërtet ishte plakur shumë dhe Abisaga sunamite i shërbente.

16 Betsabeja u përkul dhe ra përmbys para mbretit. Mbreti i tha: “Çka do”?

17 Ajo iu përgjigj: “Imzot! Ti iu përbetove në Zotin, Hyjin tënd, shërbëtores sate e the: ‘Salomoni, yt bir, do të mbretërojë pas meje dhe ai do të rrijë në fronin tim.’

18 Por, ja, tani po mbretëron Adonia e ti, o mbreti im, nuk e di.

19 Ai preu qe, viça të majmë, dele të shumta dhe i grishi të gjithë bijtë e mbretit si dhe Abiatarin prift dhe Joabin, kryetarin e ushtrisë, por nuk e thirri Salomonin, shërbëtorin tënd.

20 Megjithëkëtë, imzot mbret, në ty i ka ngulur sytë e vet mbarë Izraeli që t’i dëftosh cili duhet të rrijë në fronin tënd, pas teje, imzot mbret!

21 Sepse, përndryshe, kur imzot mbreti të ketë pushuar përbri etërve të vet, unë dhe im bir Salomoni do të jemi fajtorë”.

22 Ajo ende po fliste me mbretin, dhe ja, ia behu Natani profet.

23 I lajmëruan mbretit e i thanë: “Këtu është Natani profet”. Pasi hyri te mbreti dhe pasi e nderoi duke u përkulur deri në tokë,

24 Natani i tha: “Imzot mbret, vallë ti paske urdhëruar: ‘Adonia le të mbretërojë pas meje dhe ai le të rrijë mbi fronin tim’?

25 Sepse ai sot zbriti dhe flijoi gjedhë, bagëti të majme e shumë desh. Thirri edhe të gjithë bijtë e mbretit, prijësit e ushtrisë, madje edhe priftin Abiatar dhe ata, duke ngrënë e duke pirë para tij, po bërtasin: ‘Rroftë mbreti Adoni’!

26 Porse mua, shërbëtorin tënd, dhe Sadokun prift, Banajën, birin e Jojadës, dhe Salomonin, shërbëtorin tënd, nuk na thirri.

27 A mos e ka dhënë këtë urdhër imzot mbreti e nuk më dëftove mua, shërbëtorit tënd, se cili do të rrijë mbi fronin e zotërisë tim mbretit pas tij”

28 Atëherë u përgjigj Davidi mbret: “Thirreni Bersabenë të vijë këtu tek unë!” Ajo hyri te mbreti dhe qëndroi para mbretit.

29 E mbreti u përbetua e tha: “Pasha Zotin e gjallë që e shpëtoi jetën time prej çdo ngushtimi,

30 se, sikurse të jam përbetuar në Zotin, Hyjin e Izraelit, kur të kam thënë: ‘Salomoni, biri yt, do të mbretërojë pas meje dhe se ai do të rrijë mbi fronin tim, në vend tim, sot do të bëj ashtu” !

31 Atëherë Betsabeja u përkul me fytyrë përdhe, i dha nderim mbretit David dhe tha: “Rroftë imzot mbreti për amshim” !

32 Atëherë Davidi mbret shtoi: “M’i thirrni këtu Sadokun prift, Natanin profet dhe Banajën, birin e Jojadës”.

Kur hynë ata te mbreti,

33 mbreti u tha: “Merrni shërbëtorët e zotërisë suaj me vete; Salomonin, tim bir, vëreni në mushkën time dhe çojeni në Gihon,

34 atje Sadoku prift dhe Natani profet le ta shugurojnë për mbret mbi Izraelin, bjeruni borive dhe shpalleni: ‘Rroftë Salomoni mbret’ !

35 Pastaj ngjituni këtu me të, le të vijë e le të rrijë mbi fronin tim dhe ai le të sundojë në vendin tim. Unë dua që ai të jetë prijësi i Izraelit e i Judës”!

36 Benaja, biri i Jojadës, iu përgjigj mbretit e tha: “Amen! Kështu vendostë edhe Zoti, Hyji i zotërisë tim, mbretit.

37 Siç qe Zoti me zotërinë tim mbretin, po ashtu qoftë edhe me Salomonin dhe e lartësoftë fronin e tij edhe më tepër se fronin e zotërisë tim Davidit mbret”!

38 Zbriti, pra, Sadoku prift, Natani profet e Benaja, biri i Jojadës, e me ta edhe keretët e feletët; Salomonin e vunë mbi mushkën e Davidit mbret dhe e çuan në Gihon.

39 Sadoku prift e mori bririn e vajit prej Tendës dhe e leu Salomonin. Pastaj i ranë borisë dhe mbarë populli brohoriti: “Rroftë Salomoni mbret”!

40 Mbarë populli u ngjit pas tij duke u rënë fyejve dhe duke brohoritur me gëzim të madh: ushtoi mbarë vendi prej brohoritjeve të tyre.

41 Dëgjoi për këtë Adonia dhe të gjithë ata që kishin qenë grishur prej tij. Sa kishte marrë fund gostia. Edhe Joabi, kur e dëgjoi zërin e borisë, tha: “Ç’do të thotë kjo zhurmë e qytetit të zhurmitur”?

42 Ndërsa ai ende po fliste, ia behu Jonatani, biri i priftit Abiatar. Adonia i tha: “Hyr, sepse ti je burrë i mirë dhe sjell lajme të mira”.

43 Por Adonisë Jonatani iu përgjigj: “Assesi! Sepse zotëria ynë, mbreti David, e bëri Salo‑ monin mbret.

44 Dërgoi me të priftin Sadok, Natanin profet, Banajën, birin e Jojadës, keretët e feletët dhe e vunë mbi mushkën e mbretit.

45 Sadoku prift e Natani profet në Gihon e shuguruan për mbret. Prej andej u ngritën plot gëzim dhe qyteti ushtoi prej poteres: kjo është zhurma që dëgjuat.

46 Salomoni u ul në fronin e mbretërisë.

47 Hynë edhe shërbëtorët e mbretit dhe e bekuan zotërinë tonë mbretin David e i thanë: ‘Hyji e bëftë edhe më të madh emrin e Salomonit se emri yt dhe fronin e tij e bëftë më të madhërishëm se troni yt’! Dhe mbreti u përkul në shenjë nderimi mbi shtratin e vet.

48 Madje ai tha kështu: ‘ Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, që e dha sot atë që rri mbi fronin tim dhe që e panë sytë e mi’”.

49 I kapi, pra, frikë e madhe dhe u ngritën të gjithë ata që kishin qenë të grishur prej Adonisë, dhe secili shkoi në punë të vet.

50 Po edhe Adonia, prej frikës së Salomonit, u çua e shkoi dhe u kap për brirë të lterit.

51 E lajmëruan Salomonin dhe i thanë: “Ja, Adonia, prej frikës së Salomonit mbret, i ka kapur brirët e lterit e thotë: ‘Le të më betohet sot Salomoni mbret se nuk do ta presë me shpatë shërbëtorin e vet’”.

52 Salomoni u përgjigj: “Nëse do të sillet si burrë i ndershëm, asnjë fije floku nuk do t’i bjerë mbi tokë prej kokës së tij; por, në qoftë se në të do të gjendet ndonjë synim i keq, do të vdesë”.

53 Atëherë Salomoni mbret dërgoi njerëzit që e larguan prej lterit. Ai erdhi te Salomoni dhe iu përkul mbretit në shenjë nderimi. Salomoni i tha: “Shko në shtëpinë tënde”.



Fjala e Zotit