1 Kur Demetri mori vesh se kishte rënë në luftë Nikanori dhe ushtria e tij, vendosi ta dërgojë përsëri në Jude Bakidin e Alcimin e me ta krahun e djathtë të ushtrisë.
2 Ata u nisën në drejtim të Galgalës dhe e ngulën fushimin në Masalot, që është në Arbelë. E pushtuan atë dhe vranë shumë njerëz.
3 Mandej në muajin e parë të vitit njëqindepesëdhejtedytë ngulën fushimin kundër Jerusalemit.
4 Mandej u nisën e shkuan në Beret me njëzet mijë këmbësorë e me dy mijë kalorës.
5 Juda e kishte ngulur fushimin e vet në Elasë. Kishte me vete tri mijë ushtarë të zgjedhur.
6 Kur panë se ushtria ishte tepër e madhe, u trembën për së forti. Shumë u larguan nga fushimi e s’mbetën prej tyre, pos tetëqind vetë.
7 Juda pa se atëherë kur lufta po ndizej flakë ushtria e tij ishte shpërndarë. Zemra iu gri pse s’kishte kohë t’i bashkojë.
8 Ashtu i tronditur krejtësisht, u tha atyre që kishin mbetur: “Në këmbë! Të sulemi kundër armiqve tanë, ndoshta do t’i mundim!”
9 U munduan ta largojnë nga ai mendim e i thanë: “Tash s’mund të bëjmë tjetër, por ta shpëtojmë vetveten e më vonë do të kthehemi me vëllezërit tanë e do t’i mundim. Vërtet jemi tepër pak!”
10 Por, Juda vazhdoi: “Larg qoftë (ta bëjmë këtë gjë) të ikim para tyre! Nëse na ka ardhur dita, le të vdesim si burrat për vëllezërit tanë e të mos i lëmë dangë lavdisë sonë!”
11 Ushtria doli nga fushimi e qëndroi ballë për ballë me armikun. Kalorësia qe ndarë në dy pjesë, bahëtarët e shigjetarët ecnin në ballë të ushtrisë, kështu edhe togat sulmuese: të gjithë trima mbi trima.
12 Bakidi ishte në krahun e djathtë. Rreshti i luftës afrohej nga të dy anët e krisnin boritë! Ushtuan boritë edhe nga ata që ishin në anën e Judës,
13 u tund toka nga zhurma e ushtrive! Krisi lufta prej mëngjesit deri në mbrëmje.
14 Juda hetoi se Bakidi dhe pjesa më e fortë e ushtrisë ishte në krahun e djathtë. Me të u bashkuan të gjithë zemërluanët
15 dhe, prej tyre qe thyer krahu i djathtë dhe i ndoqi deri në malin Azot.
16 Kur panë ata të krahut të majtë se u thye krahu i djathtë, u vunë pas Judës e atyre që ishin me të, pas shpine.
17 Atëherë u ndez flakë lufta dhe u plagosën shumë nga njëra dhe nga pala tjetër.
18 Atëherë ra edhe Juda e të tjerët ikën.
19 Jonata e Simoni e morën Judën, vëllanë e vet, dhe e varrosën në varrin e etërve të vet në Modin.
20 E qanë dhe i bënë gjëmë të madhe mbarë populli i Izraelit dhe mbajtën zi për shumë ditë.
21 E vajtonin kështu: “Oh si ra trimi i trimit që e shpëtonte Izraelin!”
22 Veprat e tjera të Judës, luftërat e trimëritë që i bëri e veprat e tjera të madhërueshme të tija nuk kanë
qenë shkruar: ishin me të vërtetë të shumta!
23 Pas vdekjes së Judës çuan krye në mbarë dheun e Izraelit bakëqijtë dhe u ngritën të gjithë ata që bënin keq.
24 Ndër ato ditë u bë zi e madhe buke dhe mbarë vendi u bë me ta.
25 Bakidi zgjodhi njerëz të këqij dhe i bëri pari të vendit.
26 Këta i kërkonin dhe i shqyrtonin miqtë e Judës e i sillnin te Bakidi, i cili i ndëshkonte dhe i vinte në lojë.
27 E aso kohe në Izrael u bë një shtypje e madhe sa që një shtypje e tillë nuk u pa qysh se ndër ta nuk u duk ndonjë profet.
28 Atëherë u bashkuan të gjithë miqtë e Judës e i thanë Jonatës:
29 ”Qysh se yt vëlla Juda vdiq, nuk ka më njeri porsi ai që t’u dalë përballë armiqve - Bakidit e atyre që janë armiq të popullit tonë.
30 Ne, pra, po të zgjedhim sot të jesh prijësi dhe udhëheqësi për të luftuar luftën tonë në vend të tij.”
31 Atë ditë Jonata e
mori udhëheqësinë dhe zuri vendin e të vëllait, Judës.
Jonata në shkretëtirën e Tekues.
32 Bakidi e mori vesh e kërkonte ta vrasë.
33 E morën vesh edhe Jonata, Simoni, vëllai i tij, e të gjithë ata që ishin me të u arratisën në shkretëtirën Tekue e ngulën afër ujit të liqenthit Asfar.
34 Bakidi e mori vesh ditën e shtunë dhe ai e gjithë ushtria e tij kaluan përtej Jordanit.
35 Jonata dërgoi vëllanë e vet, në krye të përcjelljes, për t’iu lutur nabutenjve, miqve të vet, t’i lënë në rojë te ta pajisjet e veta që s’ishin pak.
36 Por, i dolën bijtë e Jambriut nga Madaba, e zunë Gjonin me gjithçka kishte dhe shkuan me atë pre.
37 Pas këtyre ngjarjeve, i ra në vesh Jonatës e Simonit, vëllait të tij, se bijtë e Jambriut po bënin dasmë të madhe e me kremtori të madhe dhe se po e merrnin nusen nga Nadabati, vajzën e njërit nga krerët e mëdhenj të Kanaanit.
38 Atëherë u ra ndër mend gjaku i vëllait të tyre, i Gjonit. U ngjitën në mal dhe u fshehën.
39 I çuan sytë e panë një turmë të madhe zhurmëzëre dasmorësh; dhëndri me vëllezër e me miq u shkonte në takim me tupana, me vegla muzikore e me armë të shumta.
40 Dolën nga prita, u sulën në ta dhe i vranë e shumë të tjerë mbetën të plagosur. Të tjerët ikën e morën malin. Judenjtë u morën gjithçka kishin pasur.
41 Kështu dasma u kthye në vaj, e kënga e muzikës së tyre në vajtim.
42 Ia morën gjakun vëllait të vet dhe u kthyen në brigjet e Jordanit.
43 Kur e mori vesh Bakidi, erdhi me ushtri të madhe në një të shtunë në brigjet e Jordanit.
44 Jonata u tha të vetëve: “Në këmbë! Të luftojmë për jetën tonë! Sot nuk është si dje e pardje!
45 Ja, armiqtë i kemi përballë e pas shpine! Në njërën e në anën tjetër uji i Jordanit, kënetë e pyll! S’ka mundësi të ikim!
46 Tash klithni drejt Qiellit që të mund të shpëtoni nga kthetrat e armiqve tuaj!” Atëherë krisi lufta!
47 Jonata çoi dorën për ta goditur Bakidin, por ky u shmang prapazi.
48 Atëherë Jonata e njerëzit e tij kërcyen në Jordan e not kaluan në anën tjetër. Armiqtë nuk kaluan pas tyre përtej Jordanit.
49 Atë ditë në anën e Bakidit mbetën të
vrarë një mijë ushtarë. Atëherë u kthyen në Jerusalem.
50 Bakidi atëherë nisi t’i ndërtojë nëpër Jude qytetet e fortifikuara me mure të larta: qytezën që ishte në Jerikon, në Emaus, në Betoron, në Betel, Tamnatë, Faraton e Tefon.
51 Në to vendoi njësi roje që të ushtronin armiqësi në Izrael.
52 E fortifikoi qytetin e Betsurës e të Gazarës dhe Qytezën. Vendoi ushtarë e ushqime në to.
53 I mori peng bijtë e krerëve të krahinës e i vuri nën rojë në Qytezën e Jerusalemit.
54 Në vitin njëqind e pesëdhjetë e tre, në muajin e dytë, Alcimi dha urdhër të rrënohet muri i tremes së brendshme; kështu rrënonte veprat e profetëve. Ia filloi t’i rrënojë.
55 Në atë kohë Alcimi qe goditur dhe qe ndërprerë vepra e tij, mbeti pa gojë, u paralizua e nuk mundte më të flasë asnjë fjalë, as familjes së vet nuk mundte t’i japë urdhra.
56 Në atë kohë Alcimi vdiq në dhimba të mëdha.
57 Kur pa Bakidi se vdiq Alcimi,
u kthye te mbreti. Dheu i Judës pushoi i qetë për dy vjet.
58 Të gjithë të paligjët bënë këtë këshillim: “Qe, Jonata e të tijtë po jetojnë të qetë e të sigurt. Të shkojmë, pra, e ta sjellim Bakidin e t’i kapë të gjithë në një natë të vetme.”
59 Shkuan, pra, e ia dhanë këtë këshill.
60 Ai u ngrit me një ushtri të madhe e u nis për rrugë dhe u shkroi fshehtas letër besëlidhurve të vet që ishin në Jude, për ta kapur Jonatanin me ata që ishin me të. Por, nuk ia dolën, sepse ata e hetuan synimin e tyre.
61 Përkundrazi, këta i zunë disa vetë të krahinës - prijësit e kësaj tradhtie - rreth pesëdhjetë vetë e i vranë.
62 Atëherë Jonatani e Simoni me ata që ishin me ta, u shmangën në Betbasi, në shkretëtirë. Ndreqën rrënojat e saja dhe e fortifikuan.
63 Bakidi e mori vesh, bashkoi të gjithë ushtrinë e vet e i thirri edhe përkrahësit e vet nga Judeja.
64 Shkoi, nguli fushimin përballë Betbasiut, punoi vegla luftarake e luftoi shumë ditë.
65 Jonatani e la vëllanë e vet Simonin në qytet, kurse ai vetë, me pak njerëz, doli ta qarkullojë krahinën.
66 E goditi Odomerën me vëllezër e bijtë e Fasironit në tëbanishten e tyre: vriste e priste e gjithnjë rritej në fuqi.
67 Ndërkaq Simoni me ata që ishin me të, dolën nga qyteti e i ndezën veglat luftarake
68 e luftuan kundër Bakidit, e thyen dhe e ankthuan rëndë, sepse synimi i tij dhe sulmi i dolën pa sukses.
69 E pushtoi një felgrim i madh kundër atyre mbrapshtanave që e kishin këshilluar të vijë në krahinë, shumë prej tyre i vranë e vendosën të kthehen në vendin e vet.
70 Jonata e mori vesh këtë gjë, dërgoi tek ai kasnecët për të lidhur paqe e për t’i ndërruar robërit e luftës.
71 Ai pranoi e bëri sipas kërkesave të tija, për më tepër iu përbetua se për sa të jetë gjallë nuk do t’ia bëjë asnjë të keqe.
72 Pasi ia ktheu robërit e luftës që më parë i kishte robëruar në dheun e Judës Bakidi u kthye e shkoi në vendin e vet e kurrë s’i shkeli më këmba në dheun e Judës.
73 Shpata pushoi në Izrael. Janata nguli në Makmas. Aty zuri të ushtrojë gjyqin e popullit. Nga Izraeli i çrrënjosi të patenzonët.