1 Ndërkaq mbreti Antiok qarkullonte nëpër krahinat e epërta. Dëgjoi se në Persi ishte Elimaida qytet i përmendur për pasuri, për ar e argjend,
2 dhe se kishte një tempull tepër të pasur, se kishte në të armë të arta, pancirë e shqyta, që i kishte lënë atje Aleksandri i Filipit, mbreti maqedonas, i cili i pari mbretëroi mbi grekë.
3 Arriti e dëshironte ta pushtojë qytetin për ta plaçkitur, por nuk ia doli, sepse qytetarët e hetuan qëllimin e tij.
4 Ata i dolën përballë me armë në dorë. Iu desh të ikte prej andej e të kthehej me trishtim të madh në Babiloni.
5 Ndërsa ky ende ishte në Persi erdhi një lajmtar dhe e njoftoi se kishte qenë shpartalluar ushtria që kishte shkuar në Jude.
6 Edhe Lizja e kishte sulmuar me një ushtri shumë të madhe, por qe vënë në ikje prej tyre dhe se judenjtë ishin bërë shumë të fortë me armë, me ushtri e me plaçka të shumta që i kishin marrë nga çetat që i kishin shpartalluar,
7 se e kishin rrënuar truporen e urryeshme që e kishte pasë ndërtuar përmbi lter që ishte në Jerusalem dhe se vendin e vet të shenjtë e kishin rrethuar me mure të larta si më parë, po ashtu edhe Betzurën, njërën nga qytezat e tija.
8 Kur mbreti i dëgjoi këto lajme, mbeti i habitur, u trand për së tepërmi në shpirt, ra në shtrat e, prej trishtimit, e kapi ligështi e madhe sepse nuk i ndodhi ashtu sikurse kishte menduar.
9 Mbeti në këtë gjendje për shumë ditë, sepse i përsëritej vazhdimisht kjo ligështi e u bind se po vdiste.
10 Atëherë i thirri të gjithë miqtë e vet e u tha: “Gjumi po më tret prej syve të mi e zemra po më pëlcet prej brengave
11 e mendova vetë më vete: në ç’mjerim të madh rashë e në ç’stuhi të madhe po gjendem tash? Unë, që në kohën e kulmit të mbretërimit tim isha i dashur e i nderuar!
12 Tash po më bien ndër mend të këqijat që ia bëra Jerusalemit kur ia rrëmbeva të gjitha enët e arta e të argjendta, që ishin në të dhe kur kam dhënë urdhër të çfarosen pa arsye judenjtë.
13 Tash e kuptoj se të gjitha këto të zeza më gjetën për këtë punë. Ja, pra, po vdes me trishtim të madh në
dhe të huaj!”
14 Atëherë e thirri Filipin, njërin nga miqtë e vet, dhe e vuri në krye të mbretërisë së vet.
15 I dha kurorën e petkun e vet mbretëror edhe unazën që t’ia rritë e t’ia edukojë djalin Antiok për ta marrë mbretërinë në dorë.
16 E vdiq aty mbreti Antiok në vitin njëqindedyzetenëntë.
17 Lizja kur mori vesh për vdekjen e mbretit, e bëri mbret në këmbë të tij të birin Antiokun, të cilin e kishte
pasur në kujdes ta rritë e ta edukojë qysh në fëmijëri dhe ia ngjiti emrin Eupator.
18 Ata që ishin në Qytezë, u qitnin izraelitëve pengime rreth Shenjtërores, s’pritonin t’u bëjnë ndonjë të keqe vazhdimisht dhe i përkrahnin paganët.
19 I vendosur për t’i zhdukur, Juda bashkoi mbarë popullin për t’i rrethuar.
20 U bashkuan, pra, dhe e rrethuan Qytezën në vitin njëqindepesëdhjetë. Punuan vegla gjuajtëse e vegla të tjera lufte.
21 Por, disa nga të rrethuarit ia dolën të dalin jashtë dhe disa të pabesë prej izraelitëve u bashkuan me ta;
22 shkuan te mbreti e i thanë: “Deri kur do të vonosh ta zbatosh të drejtën e t’ua marrësh gjakun vëllezërve tanë?
23 Ne vendosëm t’i shërbejmë tyt et, t’i zbatojmë urdhrat e tij e t’i nderojmë vendimet e tija.
24 Për këtë punë bijtë e popullit tonë e kanë rrethuar Qytezën dhe na urrejnë. Për më tepër i vrasin të gjithë tanët që mund t’i zënë e na e marrin trashëgimin.
25 Ata jo vetëm se çojnë dorë kundër nesh, por edhe mbi mbarë territorin tënd.
26 Ja, sot e kanë rrethuar Qytezën në Jerusalem për ta pushtuar. I kanë fortifikuar Vendet e shenjta dhe Betsurën.
27 Nëse nuk do të nxitosh t’ua ndalësh
hovin, do të bëjnë edhe më zi e nuk do të mundesh më t’ua ndalësh hovin!”
28 Mbreti, posa i dëgjoi këto, u zemërua dhe i bashkoi të gjithë miqtë e vet, komandantët e këmbësorisë e të kalorësisë së vet.
29 Po edhe nga mbretëritë e tjera e nga ishujt e detit i erdhën ushtri me pagesë.
30 Numri i ushtrisë së tij arriste në njëqind mijë këmbësorë, e njëzet mijë kalorës e tridhjetë e dy elefantë të ushtruar për luftë.
31 Erdhën nëpër Idume dhe e rrethuan Betsurën. E sulmuan shumë ditë me vegla luftarake. Por, të ngujuarit dilnin jashtë, ua digjnin veglat e i kundërsulmonin trimërisht.
32 Juda u largua nga Qyteza e shkoi të ngulë fushimin në Betzaharë, kundër çetave të mbretit.
33 Mbreti u ngrit pak para ditës dhe me nxitim e drejtoi ushtrinë udhës së Betzaharës. Ushtria e tij u vu në rreshtat e luftimit, u ranë borive,
34 elefantëve u dhanë lëng rrushi e mani për t’i nxitur për luftë.
35 Kafshët i venduan ndërmjet rreshtave të luftës dhe për çdo elefant caktuan një mijë këmbësorë të mbërthyer me pancirë të gërshetuar me vargje, me përkrenare të bronzta në kokë. Përveç këtyre caktuan për çdo elefant pesëqind kalorës të zgjedhur.
36 Këta çdo herë, kudo gjendej kafsha, aty, ishin edhe ata, kahdo shkonte ajo, shkonin edhe ata: nuk iu ndanin.
37 Mbi secilën kafshë ishin kulla të shtrënguara mirë, me nënbarkëse, mbrojtëse dhe mbi secilën nga katër luftëtarë të zgjedhur që luftonin nga ajo edhe indusi që i grahte.
38 Pjesën tjetër të kalorësisë mbreti e vendoi këndej e andej ushtrisë, mbanesh, për ta ngacmuar armikun e për ta mbrojtur ushtrinë.
39 E, si ra dielli në shqyta të arta e të bronztë, shkëlqyen prej tyre malet dhe ndritën porsi vravashkat e ndezura.
40 Një pjesë e ushtrisë mbretërore mori malet e larta e pjesa tjetër rrafshinën: gjurmët i ndërronin me kujdes e në rregull.
41 Dridheshin të gjithë ata që e dëgjonin zhurmën e asaj morie, krizmën e ecjes e rropamën e armëve: vërtet ishte një ushtri e madhe shumë dhe e fortë!
42 Juda me ushtrinë e vet u sul në luftë! Nga ushtria e mbretit mbetën të vrarë gjashtëqind ushtarë.
43 Eleazar Abarani e pa një elefant, të mbrojtur me parzmore mbretërore: ngalliste mbi të gjitha kafshat e tjera. Ia mori mendja se mbi të do të jetë mbreti.
44 Vendosi ta bëjë fli vetveten për ta shpëtuar popullin e vet dhe për të fituar emër të pambarueshëm.
45 U lëshua turr plot guxim kundër tij, përmjedis të legjionit, duke vrarë djathtas e majtas. Armiqtë ndaheshin përpara tij këndej e andej.
46 Shkoi e u fut nën elefant, duke qenë ashtu nën të e shporoi me shpatë dhe e mbyti. Elefanti ra për tokë mbi të dhe Eleazari vdiq aty.
47 Por, judenjtë, duke e parë fuqinë e madhe të ushtrisë mbretërore dhe fuqinë sulmuese të saj, u tërhoqën prej saj.
48 Ushtria mbretërore u nis kundër jerusalemasve. Mbreti e nguli fushimin kundër Judesë e Malit Sion.
49 Bëri paqe me ata që ishin në Betsurë, të cilët dolën nga qyteti, sepse nuk kishin ushqime, pasi ishte viti shtunor e nuk mund të duronin më të rrethuar: toka ishte në pushim.
50 Mbreti e pushtoi Betsurën dhe aty e vendoi një njësi për ta ruajtur.
51 Ndërkaq e mbajti të rrethuar për kohë të gjatë Shenjtë- roren. Përdori aty hedhës, vegla të ndryshme lufte, hedhës zjarri, makina hedhëse gurësh, makina për të hedhur shigjeta dhe bahe.
52 Po edhe të rrethuarit punuan makina kundër makinash të tyre dhe luftuan për kohë të gjatë.
53 Por, në drithnikë nuk kishte më ushqime. Ishte viti i shtatë e për më tepër izraelitët që kishin ardhur në Jude prej paganëve u dhanë fund edhe tepricave të fundit.
54 Atëherë në Shenjtërore u la një pakicë njerëzish, sepse i kishte ngushtuar uria. Të tjerët u shpërndanë
secili në vendin e vet.
55 Lizja mori vesh e Filipi, të cilin mbreti Antiok, kur ende ishte gjallë, e kishte caktuar, t’ia përgatisë të birin për sundimtar,
56 kishte kthyer nga Persia në Medi bashkë me ushtrinë që kishte pasë shkuar me të dhe se kërkonte t’i marrë në dorë punët e mbretërisë.
57 U dëftoi me nxitim se duhet të shkojnë. I tha mbretit, prijësve të ushtrisë dhe njerëzve: “Çdo ditë jemi më të ligshtë, ushqime kemi pak, vendi që po e rrethojmë është i forcuar mirë. Mandej na presin edhe punët e mbretërisë.
58 Tash, pra, t’ua japim të djathtat këtyre njerëzve, të bjëmë paqe me ta e mbarë popullin e tyre.
59 Po u lejojmë të jetojnë sipas dokeve të tyre si më parë: për shkak të Ligjit të tyre që ua ndaluam, u zemëruan me ne e vepruan kështu.”
60 Mbretit dhe prijësve u pëlqeu ky parashtrim. Dërgoi të bëjnë paqe dhe çifutët pranuan.
61 Mbreti dhe krerët përforcuan marrëveshjen me përbetim. Me këto qyshke dolën të rrethuarit nga Qyteza.
62 Mbreti hyri në Malin Sion e pa vendin e fortifikuar, e theu përbetimin që kishte bërë dhe dha urdhër të rrënohet muri rrethues.
63 Atëherë vrik e çoi fushimin e u kthye në Antioki. Aty e gjeti Filipin zotërues të qytetit. E sulmoi
qytetin dhe e pushtoi me forcë.