< 1Mak 4 1Mak 6 >
Lexim prej librit të parë të Makabenjve(1Mak 5)
5

1 Kur paganët përreth morën vesh se kishte qenë rindërtuar lteri dhe se kishte qenë rikushtuar Shenjtërorja si më parë, u zemëruan për së tepërmi

2 dhe vendosen t’i zhdukin ata që ishin të rodit të Jakobit në mesin e tyre: filluan t’i vrasin e t’i përndjekin ata që i përkisnin atij populli.

3 Atëherë Juda u shpalli luftë bijve të Ezaut në Idume, në Akribatane, sepse i kishin shtërnguar në rrethim izraelitët. I rroposi krejtësisht, i mposhti dhe mori pre të madhe.

4 I ranë ndër mend edhe të këqijat e bijve të Beanit që i kishin vënë leq e pusi popullit duke u vënë prita gjatë udhës.

5 Të shtrënguar prej tij, u mbyllën në kulla. Ai i rrethoi, i dorëzoi mallkimit dhe me zjarr i dogji kullat me të gjithë ata që ishin brenda.

6 Pastaj vazhdoi kundër bijve të Amonit. Në ta hasi në ushtri të fortë e në shumicë të madhe të popullit nën kryesinë e Timoteut.

7 Ndërmori kundër tyre sulme të shumta, i mposhti dhe i asgjësoi.

8 E pushtoi Jazerin me fshatrat që i përkisnin dhe u kthye në Jude.

9 Kombet që ishin në Galaad u bashkuan kundër izraelitëve që banonin në territorin e tyre për t’ua tretur farën. Këta u ndrynë në fortesën Dateman

10 dhe i shkruan Judës e vëllezërve të tij këtë letër: “Paganët që janë rreth nesh janë bashkuar kundër nesh për të na zhdukur.

11 Po përgatiten ta pushtojnë fortesën në të cilën jemi ngujuar. Timoteu është prijësi i ushtrisë së tyre.

12 Deh, eja sa më parë e na shpëto prej kthetrave të tyre, sepse edhe deri tash shumë prej të tanëve u vranë.

13 Të gjithë vëllezërit tanë,që jetonin në vendet e Tobijajve, u vranë, gratë e fëmijët ua morën në skllavëri, ua morën pasurinë dhe i vranë atje rreth një mijë burra.”

14 Ende po lexohej letra kur, qe, ia behën lajmëtarë të tjerë nga Galileja me petka të shqyera e sollën lajme këso dore.

15 Thanë se ishin bashkuar kundër tyre banorët e Ptolemaidës, të Tirit e të Sidonit si dhe mbarë pjesa pagane e Galilesë për t’i asgjësuar.

16 Kur Juda e mbarë populli i dëgjoi këto lajme, thirrën kuvendin e dheut për të vendosur çfarë duhet të bëjnë për vëllezërit e vet që gjendeshin në vështërsi dhe po sulmoheshin prej paganëve.

17 Atëherë Juda i tha Simonit, të vëllait: “Zgjidhi disa njerëz e shko t’i shpëtosh vëllezërit e tu në Galile, kurse unë dhe im vëlla Jonata po shkojmë në krahinën Galaad.”

18 Për ta ruajtur Judenë la Jozefin, birin e Zakarisë, dhe Azarinë prijësin e popullit, me pjesën e ushtrisë që teproi.

19 U urdhëroi kështu: “Qëndroni në krye të këtij populli, por mos nisni luftë me paganë deri sa të kthehemi ne.”

20 Simonit i dhanë tri mijë luftëtarë për të shkuar në Galile, kurse Judës i dhanë tëtë mijë për të shkuar në krahinën e Galaadit.

21 Simoni shkoi në Galile e luftoi shumë me paganë. Paganët u thyen para tij

22 e i ndoqi deri në derën e Ptolemaidës. Prej paganëve mbetën të vrarë rreth tri mijë vetë të cilëve Simoni ua mblodhi plaçkat.

23 Mandej i mori me vete izraelitët që ishin në Galile e në Arbatë me gra, fëmijë e me gjithçka kishin e i solli në Jude me gëzim të madh.

24 Ndërkaq edhe Juda Makabe e Jonata, i vëllai, kaluan Jordanin dhe ecën tri ditë nëpër shkretëtirë.

25 I takuan nabatenjtë, që u dolën para miqësisht dhe u treguan gjithçka u kishte ndodhur vëllezërve të tyre në Galaaditidë:

26 e se shumë prej tyre ishin të rrethuar në Bosorë e në Bosor, në Alimaj, në Kasfo,në Maced e në Karnain e se këto qytete ishin të gjitha të fortifikuara e të mëdha;

27 se ishin edhe në të tjera qytete të Galaaditidës të rrethuar e se kishin vendosur t’i sulmojnë nesër qytezat e t’i pushtojnë e t’i marrin në një ditë të gjithë ata që të gjenden në to.

28 Juda me ushtri e dredhoi menjëherë rrugën nëpër shkretëtirë në drejtim të Bosorës. E pushtoi qytetin, me teh të shpatës preu çdo mashkull, u rëmbeu gjithçka kishin e qytetit i dha zjarr.

29 Natën u nis prej andej e iu afrua qytezës.

30 Heret në agim çuan sytë e panë një mori të panumërt njerëzish, që kishin kapur shkallë e makina lufte për ta pushtuar kalanë. Lufta kishte filluar kundër tyre!

31 Kur pa Juda se po fillon lufta: klithma e qytetit e përzier me ushtimë borie e me zhurmë të madhe arriti në qiell,

32 u tha njerëzve të ushtrisë së vet: “Luftoni sot për vëllezërit tanë!”

33 I vendosi në tre rreshta pas tyre. Jehuan boritë e ushtoi britma në uratë.

34 Fushimi i Timoteut e mori vesh se ishte Juda Makabe, u dha ikja para tij. Juda i goditi e bëri në ta kërdi të madhe: atë ditë mbetën të vrarë prej tyre rreth tetë mijë vetë.

35 Atëherë Juda iu soll rreth Masfës, e sulmoi dhe e pushtoi. Vrau çdo mashkull të saj, e plaçkiti dhe i shtiu zjarrin.

36 Prej andej u drejtua dhe e pushtoi Kasfon, Macedin, Bosorin e qytetet e tjera të Galaaditidës.

37 Pas këtyre ngjarjeve Timoteu bashkoi një ushtri tjetër dhe e nguli fushimin kundrejt Rafonit, përtej lumit.

38 Juda dërgoi njerëz ta vëzhgojnë ushtrinë. Ata u kthyen e i thanë: “Janë bashkuar rreth tij të gjithë paganët që janë rreth nesh - një ushtri shumë e madhe.

39 Ka marrë në ndihmë edhe arabë. Fushimin e ka ngulur përtej lumit e po përgatiten të vijnë të luftojnë kundër teje.” Juda u nis t’i befasojë.

40 Timoteu u tha prijësve të ushtrisë së vet: “Kur Juda e ushtria e tij t’i jetë afruar lumit me ujë, nëse do të kalojë i pari kundër nesh, s’do të mundemi t’i bëjmë ballë, sepse do të ketë epërsi të madhe ndaj nesh;

41 kurse, nëse do të trembet të kalojë dhe e ngul fushimin përtej lumit, ne do të kalojmë e do ta mundim.”

42 Kur Juda iu afrua rrjedhës së ujit, i vendoi shkruesit e popullit gjatë lumit dhe u urdhëroi: “Askënd mos lejoni të ngrehë tendën, por të gjithë le të sulen në luftë!”

43 Kaloi i pari kundër tyre e mandej mbarë populli pas tij. Paganët qenë shpartalluar para tyre, i hodhën armët dhe ikën në faltoren Karnain.

44 Njëherë pushtuan qytetin e mandej faltores i dhanë zjarr me të gjithë ata që ishin brenda. Kështu qe pushtuar Karnaini dhe s’mundi t’i bëjë ballë Judës.

45 Juda i bashkoi të gjithë izraelitët që ishin në Galaaditidë, prej më të voglit e deri në më të madhin, gratë e tyre, fëmijët e tyre e gjithçka kishin - një turmë shumë e madhe e drejtuar për Jude.

46 Arritën në Efron. Ky qytet është në udhë, shumë i madh dhe i mbrojtur mirë. Nuk mund të kalohej përtej as djathtas as majtas, vetëm për mes të tij.

47 Banorët e qytetit u ndrynë brenda e dyert i zunë me gurë. Juda u dërgoi lutje me këso fjalësh miqësore:

48 “Na lejoni të kalojmë nëpër vendin tuaj që të shkojmë në vendin tonë. Askush prej nesh nuk do t’ju bëjë farë dëmi: do të kalojmë vetëm këmbë.” Por ata s’deshën t’ua hapin udhën.

49 Atëherë Juda i dha urdhër ushtrisë që secili të qëndronte aty ku ndodhej.

50 Ushtarët trima zunë pozicionet. Juda e sulmoi qytetin gjithë ditën e gjithë natën edhe qyteti iu dorëzua.

51 Me teh të shpatës i preu të gjithë meshkujt, e rrafshoi qytetin me gjithë themele, plaçkiti pasurinë dhe e përshkoi qytetin duke kaluar përmbi kufoma.

52 E kaluan va Jordanin në rrafshinën e madhe kundruall Betsanit.

53 Gjithë rrugës Juda s’i linte të ndahen të sprasmit turmës dhe i jepte zemër popullit deri që arritën në dheun e Judesë.

54 U ngjitën në malin Sion me këngë e me hare dhe kushtuan fli shkrumbimi që u kthyen në paqe pa mbetur i vrarë asnjë prej tyre.

55 Ndër ato ditë kur Juda e Jonata ishin në Galaad e Simoni, vëllai i tij, në Galile, përballë Ptolemaidës,

56 Jozefi, biri i Zakarisë, dhe Azaria, prijësi i ushtrisë, dëgjuan për veprat e madhërueshme të tyre e për luftërat që po i bënin, e thanë:

57 “T’ia rrisim edhe ne zërin vetes e të shkojmë e të luftojmë kundër paganëve që i kemi përreth!”

58 U dhanë urdhra forcave që i kishin nën komandë e u nisën kundër Jamnisë.

59 Gorgia e ushtarët e tij dolën nga qyteti të ndeshen me ta në luftë.

60 Jozefit e Azarisë u dha ikja dhe qenë përndjekur deri në kufij të Judesë. Ranë të vrarë atë ditë prej popullit të Izraelit rreth dy mijë burra. Dhe u bë një ikje e madhe në popull,

61 sepse nuk e dëgjuan Judën e vëllezërit e tij, duke menduar se do të bëjnë trimëri të madhe.

62 Por, ja, nuk ishin nga gjaku i atyre burrave, të cilëve u ishte dhuruar ta shpëtojnë Izraelin.

63 Kreshniku Judë dhe vëllezërit e tij fituan nam të madh në mbarë Izraelin e në të gjitha kombet ku arrinte lajmi i emrave të tyre.

64 Ngarendin tek ata dhe u brohorisnin.

65 Juda e vëllezërit e tij u nisën të luftojnë bijtë e Ezaut në krahinën e jugut. E goditën Kebronin e fshtarat e tij, i rrënoi qytezat e tija dhe ia dogji gjithkund përreth kullat.

66 Atëherë çoi fushimin për të shkuar në dheun e të huajve dhe e përshkoi Marisën.

67 Atë ditë ranë të vrarë priftërinjtë që deshën të dëftohen trima e mendjelehtësisht deshën të luftojnë.

68 Juda u drejtua kundër Azotit në dheun e të huajve, i rrënoi lterët e tyre, i dogji idhujt e tyre, i plaçkiti qytetet dhe u kthye në dheun e Judës.



Fjala e Zotit