< 1Mak 3 1Mak 5 >
Lexim prej librit të parë të Makabenjve(1Mak 4)
4

1 Gorgia mori me vete pesë mijë këmbësorë e një mijë kalorës të spikatur dhe e çoi llogorin natën

2 me qëllim që ta befasojë fushimin e judenjve e t’i godasë papritmas. Udhën i tregonin njerëzit që banonin në Qytezë.

3 Por, edhe Juda ia doli ta marrë vesh këtë gjë, u çua edhe ai me trimat e vet të zgjedhur e shkuan për ta goditur ushtrinë e mbretit që ishte në Emaus,

4 ndërkohë që ushtria ishte ende e shpërndarë jashtë llogorit.

5 Natën Gorgia arriti në fushimin e Judës, por s’gjeti askënd. Shkoi atëherë t’i kërkojë në male, sepse i thoshte mendja: “Këta po ikin prej nesh!”

6 Posa agoi drita Juda u duk në fushë me tri mijë njerëz. Por këta nuk kishin armë e shpata si kishin dëshiruar.

7 E panë fushimin e paganëve të fuqishëm e të fortifikuar, kalorësinë përreth tyre, njerëz të stërvitur mirë për luftë.

8 Atëherë Juda u tha njerëzve që kishte me vete: “Mos u trembni nga numri i tyre i madh as mos kini frikë nga sulmet e tyre!

9 Le t’ju bjerë në mend se si shpëtuan etërit tanë në Detin e Kuq, kur i ndoqi faraoni me ushtri.

10 Le ta thërrasim në ndihmë Qiellin që të ketë dhimbë për ne, t’i bjerë ndër mend Besëlidhja e etërve tanë e para syve tanë ta shtypë sot këtë ushtri.

11 Le ta dinë të gjitha kombet se është Ai që e shpëton edhe e libron Izraelin!”

12 Të huajt i ngritën sytë dhe i panë këta duke ardhur kundër tyre,

13 dolën nga llogori për t’u kacafytur. Ata që ishin me Judën i ranë borisë.

14 Krisi lufta! U thyen paganët dhe morën të ikin fushës.

15 Të sprasmit ranë të gjithë nga shpata. I ndoqën deri në Gazeron, deri në fusha të Idumesë e të Azotit e të Jamnisë: prej paganëve mbetën të vrarë rreth tri mijë vetë.

16 Atëherë u kthye nga ndjekja e tyre Juda me ushtrinë e vet,

17 e i tha popullit: “Mos t’ju habisë dëshira e presë, sepse e kemi kundër nesh edhe një luftim:

18 Gorgia me ushtirnë e vet është këtu afër nesh në mal, tash njëherë qëndroni kundër armiqve tanë, luftoni ata e pastaj bashkoni në qetësi prenë!”

19 Ndërsa Juda ende po fliste kështu, kur qe, një njësi që po vezhgonte nga kreshta e malit.

20 Pa se të vetët kishin marrë ikjen e se të tjerët i kishin dhënë zjarr fushimit: sepse tymi që shihej tregonte se ç’kishte ndodhur.

21 Kur i panë këto, i pushtoi frikë e madhe, e, kur e panë ushtirnë e Judës në fushim të gatshëm për luftë,

22 ikën të gjithë në dheun e të huajve.

23 Juda atëherë u kthye në fushim për të mbledhur prenë. Morën shumë ar, argjend, pëlhura ngjyrë vjollcë e të kuqe bojëgjake e pasuri të tjera të mëdha.

24 Në kthim këndonin e i lartësonin këngë Qiellit dhe e bekonin: “Ai është i mirë dhe e amshueshme është dashuria e tij!”

25 Ishte ajo ditë ditë fitoreje e madhe për Izraelin!

26 Të gjithë ata, prej të huajve, që kishin shpëtuar, shkuan te Lizja dhe i treguan krejt ç’kishte ndodhur.

27 Kur ky i dëgjoi, u trazua dhe u prish në zemër, pse s’kishte ecur puna ashtu si kishte dashur në Izrael dhe pse shkoi huq urdhri që i kishte dhënë mbreti.

28 Prandaj, një vit pas bashkoi gjashtëdhjetë mijë ushtarë të zgjedhur dhe pesë mijë kalorës për të luftuar kundër Izraelit.

29 Erdhën në Idume dhe e ngulën fushimin në Betsurë. Juda doli kundër tyre me dhjetë mijë ushtarë.

30 E pa ushtrinë e madhe e u lut kështu: “I bekuar je ti, o Shpëtues i Izraelit, që e theve sulmin e luftëtarit të fuqishëm me dorën e shërbëtorit tënd Davidit dhe ia dorëzove llogoret e të huajve Jonatës, birit të Saulit, e armbajtësit të tij.

31 Dorëzoja edhe këtë ushtri popullit tënd Izraelit! Bëj të bjerë çnderimi mbi ushtrinë e tij e mbi kalorësit e tij!

32 Shtiju frikën e shuaje guximin e fuqisë që kanë e le të plandosen në rrënimin e tyre!

33 Rrafshoj me shpatën e të gjithë atyre që të duan, të gjithë atyre që me këngë të lavdërojnë dhe të të gjithë atyre që ta njohin emrin!”

34 E krisi lufta e njërit kundër tjetrit. Prej ushtrisë së Lizjes u vranë pesë mijë ushtarë e ranë para përballë judenjve.

35 Kur e pa shpartallimin e ushtrisë së vet e guximin e judenjve si ishin të gatshëm o të jetojnë ose të vdesin trimërisht, Lizja iku në Antioki. Atje bashkoi ushtarë me pagesë që me një shumicë më të madhe ta sulmonte përsëri Judenë.

36 Atëherë Juda dhe vëllezërit e tij thanë: “Ja, i shpartalluam armiqtë tanë: ejani ta pastrojmë Shenjtëroren e ta shugurojmë!”

37 U bashkua mbarë ushtria dhe u ngjitën në malin Sion.

38 Gjetën shenjtëroren e shkretuar, lterin e dhunuar, dyert e djegura, në treme ishte rritur shkorreti si në pyll ose në ndonjë mal e dhomat e shenjta të rrënuara.

39 I shqyen petkat e veta, zunë të bëjnë gjëmë të madhe, i qitën kresë hi,

40 ranë me fytyrë për dhe e, në shenjë të borisë, klithën drejt Qiellit.

41 Atëherë Juda u urdhëroi disa njerëzve t’i luftojnë ata që ishin në Qytezë derisa ai ta pastronte Shenjtëroren.

42 Mandej zgjodhi priftërinj të patëmetë e që e zbatonin Ligjin.

43 Këta e pastruan Shenjtëroren e gurët e dhunuar i çuan në vend të papastërt.

44 Pastaj bënë këshillim përkitazi me lterin e flive të shkrumbimit që kishte qenë dhunuar, çfarë të bënin me të.

45 Urtisht vendosën ta rrënojnë që kurrë të mos u jetë për turp, sepse paganët e kishin dhunuar. E rrënuan lterin.

46 Gurët i vunë në një vend të përshtatshëm në Malin e Shtëpisë së Zotit derisa të mos vijë ndonjë profet e të vendosë për ta.

47 Atëherë morën gurë të palatuar, siç kërkon Ligji, dhe ndërtuan një lter të ri krejt si ai që kishte qenë më parë.

48 E ndreqën Shenjtëroren edhe Banesën përbrenda dhe i shuguruan tremet.

49 I punuan enët e shenjta të reja dhe i shtinë në Tempull shandanin, lterin e kemimit dhe tryezën.

50 Dogjën kem mbi lter e i ndezën dritat në shandan që e ndriçonin Tempullin.

51 Mbi tryezë vunë bukët, i vunë kultrinat dhe i kryen të gjitha përmirësimet që kishin ndërmarrë.

52 Më njëzet e pesë të nëntit muaj - që është muaji Kasleu - të vitit njëqindedyzetetetë, u ngritën heret në agim

53 dhe e kushtuan flinë ashtu si e kërkon Ligji mbi lterin e ri të shkrumbimit që e kishin punuar:

54 po në atë kohë e në atë ditë, në të cilën e kishin dhunuar paganët, e rishuguruan me këngë të përcjella me citarë, me cetër e me cimbale.

55 Mbarë populli ra me fytyrë për dhe, adhuruan dhe e bekuan Atë që është në qiell, që aq fatbardhësisht u kishte prirë.

56 Kremtuan shugurimin e lterit tetë ditë, kushtuan fli shkrumbimi me gëzim e kushtuan fli kungimi e falënderimi

57 dhe e stolisën ballanikun e Tempullit me keza të arta e me shqyta. I shuguruan dyert dhe dhomat e shenjta e u vunë dyert.

58 Një gëzim i madh e pushtoi mbarë popullin dhe u shlye turpi i sjellë prej paganëve.

59 Juda me vëllezërit e vet e me mbarë bashkësinë e Izraelit, caktuan që të festohen me gëzim e hare ditët e shugurimit të lterit në kohën e tyre, vit për vit, për tetë ditë, qysh më njëzet e pesë të muajit Kasleu.

60 Në këtë kohë rreth malit Sion ndërtuan mure të larta e pirgje të forta që, nëse vijnë paganët, të mos e shqelmojnë, siç bënë më parë.

61 Juda aty vendosi një numër ushtarësh për ta mbrojtur. Fortifikoi edhe Betsurën për ta mbrojtur, që populli të kishte fortesë përballë Idumesë.



Fjala e Zotit