< 1Mak 15 2Mak 1 >
Lexim prej librit të parë të Makabenjve(1Mak 16)
16

1 Gjoni u ngjit nga Gazara e i tregoi Simonit, babës së vet, çka bëri Cendebeu.

2 Simoni i thirri dy djemtë e vet më të moçëm, Judën e Gjonin e u tha: “Unë e vëllezërit e mi, mbarë shtëpia e tim et, që nga rinia e deri në ditën e sotme kemi luftuar kundër armiqve të Izraelit e ia kemi dalë ta shpëtojmë Izraelin shpeshherë.

3 Por, tash jam plakur, kurse ju, në saje të mëshirës, jeni në moshën e duhur. Merreni këmbën time e të vëllezërve të mi dhe dilni e luftoni për popullin tonë: paçi ndihmën e Qiellit!”

4 Atëherë zgjodhi në vend njëzet mijë luftëtarë e kalorës. Shkuan kundër Cendebeut. Natën e kaluan në Modin

5 e në mëngjes u ngritën e shkuan në fushë të luftës. Kur qe, një ushtri e madhe këmbësorësh e kalorësish po u vinte përballë. Ndërmjet tyre ishte një përrua.

6 Gjoni i vuri në lëvizje kundër tyre njësitet e veta. Kur pa se populli po trembet ta kalojë përroin, e kaloi ai i pari e, kur njerëzit e panë,kaluan edhe ata pas tij.

7 E vuri në rreshta ushtrinë e ndërmjet këmbësorëve futi kalorësit. Kalorësia e armiqve ishte njëmend tepër e shumtë!

8 U ranë borive! Cendebeu dhe ushtria e tij u vunë të ikin. Shumë prej tyre ranë të plagosur, kurse pjesa tjetër u strehua në vendin e fortifikuar.

9 Aso here u plagos Juda, vëllai i Gjonit. Gjoni i ndoqi deri në Cedron që e kishte fortifikuar.

10 Të mundurit ikën deri në kulla të fushës së Azotit. Gjoni u dha zjarr kullave. Prej armiqve atë ditë ranë të vrarë dy mijë luftëtarë. Gjoni u kthye qetësisht në Jude.

11 Për qeveritar në fushën e Jerihonit qe vënë Ptolemeu, biri i Abubit. Ky kishte shumë argjend e ar,

12 sepse ishte dhëndri i kryepriftit.

13 Por, atij iu rrit mendja, synonte ta pushtonte mbarë vendin e mendonte t’i bënte pabesi Simonit e bijve të tij e t’i zhdukte.

14 Ndërkaq, Simoni po qarkullonte nëpër qytetet e vendit e, duke pasur kujdes për to, zbriti në Jerihon ai e Matatia e Juda, bijtë e tij, në vitin njëqind e shtatëdhjetë e shtatë, në muajin e njëmbëdhjetë, d.m.th. në muajin Sabat.

15 Biri i Abubit i ftoi me pabesi në kështjellëzën që quhet Dok, të cilën e kishte ndërtuar ai. Bëri një gosti të madhe për ta, por aty kishte fshehur disa njerëz.

16 Por, kur u dehën Simoni e bijtë e tij, u ngrit Ptolemeu me njerëzit e vet, kapën armët, hynë në shujtore, vranë Simonin e dy bijtë e tij e disa nga përcjellja e tyre.

17 Bëri pabesi të madhe dhe të mirën e ktheu me të keqe.

18 Për këto gjëra Ptolemeu i shkroi mbretit dhe i kërkoi t’i dërgojë ushtri për ndihmë e t’ia dorëzojë atij qytetet e vendin.

19 Disa të tjerë i dërgoi në Gazarë për ta vrarë Gjonin. U shkroi edhe prijësve të ushtrisë të shkojnë tek ai për t’u dhënë argjend, ar e dhurata.

20 Do të tjerë i dërgoi në Jerusalem e në Malin e Tempullit.

21 Por, dikush ia doli të shkojë më përpara te Gjoni në Gazarë e t’i lajmërojë se i kishte mbetur i vrarë i ati dhe vëllezërit e tij dhe se: “Ka dërguar gjithashtu të të vrasë edhe ty.”

22 Kur Gjoni e mori vesh, u trand për së tepërmi, i kapi ata njerëz që kishin ardhur për ta vrarë e i vrau. E hetoi se donin ta vrisnin.

23 Veprat e tjera të Gjonit, luftërat e tija dhe trimëritë që i ka bërë me guxim, ndërtimet e mureve që i lartësoi si dhe ndërmarrjet e tjera që i sendërtoi,

24 ja, të gjitha do t’i gjesh të shkruara në Librin e jetës së tij si kryeprift, që nga dita që u bë kryeprift në vend të t’et.



Fjala e Zotit